Basha me aleatët: Zgjedhjet janë në rrezik. Këto janë kushtet tona për PS

Opozita do të kushtëzojë qëndrimin e saj ndaj qeverisë deri në plotësimin e kërkesave për reformën zgjedhore.  Kushtet e PD u prezantuan sot nga kryetari i selisë blu, Lulëzim Basha gjatë një takimi me aleatët e opozitës, për koordinimin e qëndrimeve për reformën zgjedhore. Në takim ishin të pranishëm kreu i Partisë Republikane, Fatmir Mediu, kreu i Partisë Agrare Ambientaliste Agron Duka, kreu i Partisë Demokristiane, Nard Ndoka dhe kreu i LZHK-së, Dashamir Shehi.

Në prononcimin e dhënë për mediat, Basha tha se zgjedhjet janë në rrezik nga kriminalizimi dhe blerja e votës. Ai tha se opozita do të kushtëzojë reformën zgjedhore me vendosjen e rregullave të qarta kundër shit-blerjes së votës. Basha e cilësoi situatën si një emergjencë kombëtare për zgjedhjet. Ai tha se në procesin elektoral të qershorit nuk mund të vendosin kriminelët.

“Zgjedhjet janë të rrezikuara për shkak të krimit dhe korrupsionit, moszbatimit të ligjit të dekriminalizimit, problemit të drogës, shitblerjes së votës që jo vetëm nuk është ndëshkuar por është amnistuar nga Rama. Opozita ka paraqitur një platformë. Edi Rama ka sabotuar çdo përpjekje për të adresuar këto probleme. Kemi rënë dakord për një platformë e cila është kusht i patejkalueshëm për zgjedhje të lira dhe të ndershme. Në thelb qëndron ajo që thashë,  zgjedhjet nuk do ti vendosin kriminelët por qytetarët. Nuk do i vendosë varfëria por qytetarët. Rikonfirmojmë në këtë platformë dhe votimin dhe numërimin elektronik, kufizimin e shpenzimeve të fushatës”,- tha Basha. Kreu i PD-së tha se ishte pro qëndrimit të LSI-së për listat e hapura të kandidatëve për deputetë, por shtoi se kjo nuk është çështja më kryesore e reformës zgjedhore. Basha tha se zgjedhjet aktuale janë në rrezik për shkak të mos plotësimit të standardeve. Sipas tij, të diskutohet për listat e hapura dhe ndryshimin e sistemit zgjedhor në këtë fazë është propagandë.

Por ajo që theksoi Basha si pjesë më të rëndësishme për reformën është blerja e votës dhe element kriminal. Partia Demokratike prej disa vitesh ka folur për rrezikun e manipulimit të zgjedhjeve nga mazhoranca aktuale. Qëndrimi i sotëm shkon më tej sesa deklaratat, pasi flet për një platformë të opozitës për garantimin e zgjedhjeve të ardhshme.

Fakti që në retorikën e PD përdoren terma mafie, krim dhe elementë kriminalë, tregon se procesi i reformës zgjedhore do të jetë një përplasje e hapur me Partinë Socialiste.  Në qëndrimin e Bashës u fol hapur për kushte ndaj PS-së, të cilat do të përcaktojnë dhe sjelljen e opozitës në muajt në vijim. Duket se përplasja për zgjedhjet e qershorit sapo ka nisur në mënyrë të hapur.

SHKARKO APP