Basha: Mesazhi im për çakejtë e Ramës. Mos guxoni të prekni votat, ndryshe…
Në mitingun përmbyllës së Partisë Demokratike në Dibër, kreu i PD-së Lulzim Basha është ndalur në fenomenin e blerjes së votës dhe presionet e zyrtarëve ndaj votuesve.
Kreu i PD-së tha se kushdo që do të prekë votat do të marrë një përgjigje të fortë nga Partia Demokratike dhe opozita.
“Kam një mesazh për çakejtë dhe orlat e Edi Ramës që sillen vërdallë. Mos guxoni të prekni një votë të vetme. Mos fusni duart në vullnetin e sovranit se do të jetë një përgjegjësi që nuk do tua mbajnë dot gjunjët. Ne opozita, Partia Demokratike, vëzhguesit, njerëzit tanë, jemi të pranishëm kudo. Ne jemi garancia se vota nuk do të preket, se Dibra do të ketë zgjedhje të lira dhe të ndershme. Se Dibra është dhe do të jetë e dibranëve dhe jo e trafikantëve, e punës dhe jo e drogës, e dinjitetit dhe jo e nëpërkëmbjes. Dibra është e burrave e grave të saj, e bijëve të saj më të mirë. Nuk ka qënë, nuk është dhe nuk do të jetë e plaçkë e Edi Ramës. Ndaj dhe ti japim së bashku fund këtu nga Dibra politikës së përçarjes që i shërben një pakice të babëzitur duke plaçkitur”,- tha Basha.
Kreu i PD shtoi se socialistit ndjehen të papërfaqësuar. Në vend të tyre,- tha Basha,- janë sjellë horra dhe banditë që thonë se përfaqësojnë çamët. “Ata nuk përfaqësojnë as çamë, as kosovarë, as dibranë, janë horra dhe banditë duan të vjedhin zgjedhjet”,- tha Basha.
Kreu i PD-së u ndal dhe në mbjelljen e hashashit në Dibër. Ai tha se banorët e fshatrave janë dëshmitarë të mbjelljes masive të drogës në gjithë zonën e Dibrës.
Kreu i PD-së tha se Dibra ka varfëri për shkak se ata që premtuan ndryshimin sollën rrënimin.
“Shoh entuziazëm te ju, kjo është energjia e vërtetë për bashkimin e Dibrës. Anembanë Dibës ka varfëri të tmerrshme. Ka vuajte që Sherefendin i tha dhe i ka parë nga afër. Ka papunësi të skajshme dhe shkaku është shpërfillja dhe arroganca”,- tha kreu i PD.