Lulzim Basha: Në Dibër fitoi karteli i drogës. Humbi Shqipëria dhe politika

Kreu i PD-së Lulzim Basha ka komentuar sot humbjen e PD-së në Dibër. Në një deklaratë për mediat nga selia e PD-së, Basha tha se në Dibër fitoi karteli i drogës.

“Në Dibër fitoi karteli i drogës dhe krimit… Unë dua të falënderoj votuesit e PD që nuk u shitën, nuk u trembën, por që besuan të zgjedhjet e lira dhe të ndershme. Ata u përballën me krimin. Në këtë përballje fitoi krimi dhe humbi politika, humbi Shqipëria”,- tha Basha.

Kreu i PD falënderoi kandidatin Sherefedin Shehu, duke e cilësuar si politikanin me profilin më të mirë që mund të drejtonte bashkinë e Dibrës.

Në fjalën e  tij, Basha tha se shqiptarët duhet të bëhen gati për një betejë të ashpër në vitin 2017.

“Në i shpallin sot luftë totale kartelit të drogës dhe korrupsionit. Me shumë besim se ardhmja është në duart tona. Demokratët janë në krye të kësaj lufte dhe unë në krye të tyre. Çdo shqiptarë, pa dallim, është i thirrur të na bashkohet. Do të fitojë Shqipëria demokratike dhe evropiane”,- tha Basha..

FJALIMI I PLOTE I KREUT TE PD:

Në Dibër nuk pati zgjedhje politike, por përplasje mes qytetarëve të bashkuar me opozitën dhe Kartelit të Drogës, Krimit dhe Korrupsionit.

Ne e dinim këtë, e paralajmëruam, dhe kjo është edhe arsyeja se pse e gjithë Partia Demokratike ishte në Dibër. Jo për të kapur pushtetin e Bashkisë Dibër, por për të qenë në krah të qytetarëve të Dibrës në këtë përballje të pashembullt, jo mes dy kampeve politike, por mes opozitës dhe Kartelit të Drogës, Krimit dhe Korrupsionit.

Për të qenë bashkë dhe për të qëndruar bashkë përballë këtij Karteli dhe synimit të tij për të asgjësuar votën dhe zgjedhjet e lira e të ndershme.

Karteli i Drogës e fitoi këtë betejë por zbuloi skemën para Dibrës dhe mbarë Shqipërisë.

Ne e humbëm këtë betejë.

Por unë dua të falenderoj sot me zemër 14518 qytetarë, burra dhe gra të Dibrës, e në veçanti rininë dibrane, vajzat dhe djelmëninë dibrane që nuk u joshën, nuk u blenë, nuk u shitën, nuk u trembën, nuk u mposhtën por votuan për bindjen e tyre të lirë.

Në Dibër Partia Demokratike dhe qytetarët e ndershëm të cilët besojnë tek procesi politik, të cilët besojnë tek zgjedhjet e liria dhe të ndershme u përballën me kartelin e Drogës, Krimit dhe Korrupsionit i cili ushtron dhunë për të mbajtur nën kontroll qeverisjen.

Fatkeqësisht në këtë përplasje fitoi karteli i krimit dhe humbi politika. Ose më saktë në Dibër u asgjesua krejtësisht procesi politik.

Sot në Dibër nuk humbi vetëm një parti politike, por humbi Shqipëria, humbi politika e ndershme, humbi liria, humbi dinjiteti njerëzor, humbën vlerat europiane.

Në Dibër humbën edhe të varfrit që u joshën nga paratë e krimit, korrupsionit dhe drogës, humbën edhe ata që u trembën para presionit të pushtetit, kriminelëve të veshur me pushtet, segmenteve të policisë të bëra njësh me krimin, humbën edhe ata që nuk menduan për të nesërmen por panë vetëm përfitimin e momentit.

Në Dibër humbën edhe ata që votuan për Muharrem Ramën.

Koha do ta tregojë se të vetmit fitues në Dibër sot ishin pushteti abuziv i Edi Ramës, klientët e tij dhe krimi i lidhur me të.

Ne i humbëm zgjedhjet në Dibër edhe në vitin 2015. Por në vitin 2015 ne u përballëm dhe humbëm para qytetarëve të ndershëm Dibranë që besuan sinqerisht tek Rilindja.

Kurse sot ne humbëm para kartelit të drogës, të krimit në pushtet, të korrupsionit.

Ky kartel shfrytëzoi mjerimin, varfërinë, humbjen e shpresës së njerëzve për t’u rrëmbyer atyre votën.

Dikujt me para, dikujt me kanabis, dikujt me premtime, dikujt me presion.

Ne e kuptojmë këtë situatë. Ata kanë humbur kaq shumë shpresën tek politika sa mendojnë që më mirë një thes me miell sot se sa të besosh premtimet e politikanëve që nuk bëhen kurrë realitet.

Zhgënjimi i tyre, humbja e shpresës u përdor në mënyrë mjeshtërore e kriminale nga pushteti.

Unë i kuptoj të gjitha ata që zgjodhën të votojnë të keqen. E kuptoj gjendjen e tyre dhe zgjedhjen që ata bënë. Dhe unë ju premtoj se do të luftoj edhe për lirinë e tyre: për lirinë e tyre nga varfëria, nga pamundësia, nga frika. Do të luftoj që jeta e tyre të mos varet nga politika.

Ne bëmë më të mirën që mundëm gjatë kësaj fushate. Donim sinqerisht të fillonim një ndryshim për mirë në Dibër. Zgjodhëm një kandidat të shkëlqyer. Sherefedin Shehu është një dibran i mire dhe një punonjës publik model që e ka kaluar jetën në shërbim të interesit publik, pa u njollosur. Ndaj dua ta falenderoj për kontributin e tij, për përpjekjen e tij, për kurajon e tij.

Ne bëmë një fushatë dinjitoze, folëm shtruar dhe hapur me të gjithë. Përfitoj nga rasti t’i falenderoj të gjitha ata që na dëgjuan, na pritën na mbështetën.

Tani dua t’i ftoj të gjithë të reflektojmë dhe të shohim përpara. Mbi të githa të fillojmë të punojmë që Dibra të mos jetë akti i parë i dramës që Edi Rama po përgatit për zgjedhjet parlamentare.

Dibra 2016 duhet të jetë fillimi i rrënimit të krimit në politikë. Ne i shpallim sot lufte totale Kartelit të Drogës, Krimit dhe Korrupsionit. Me shumë besim se e ardhmja është në duart tona. Demokratët janë në krye të kësaj lufte dhe unë në krye të tyre.

Çdo shqiptar, pa dallim krahine, preardhje sociale apo bindjeje politike, është i thirrur të na bashkohet.

Do fitojë Shqipëria demokratike dhe europiane.

Ju faleminderit!

SHKARKO APP