Basha, Njeriu i Amerikanëve

Kryetari i Partisë Demokratike, Lulzim Basha do të zhvillojë këto ditë një vizitë në Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Burime nga Partia Demokratike thanë dje se Basha është i ftuar në Konventën e Demokratëve të Shteteve të Bashkuara të Amerikës, ku do të bëhet dhe shpallja zyrtare e Hillary Clinton si kandidate për Presidente e Amerikës.

Basha do të jetë në SHBA nga data 25 deri në datën 28 korrik, gjatë ditëve që zhvillohet aktiviteti më i rëndësishëm i demokratëve amerikanë. Konventa është aktiviteti më i rëndësishëm politik i demokratëve në SHBA, para nisjes së fushatës zyrtare të zgjedhjeve. Këtë e tregon interesi i jashtëzakonshëm jo vetëm në Amerikë, por edhe në gjithë botën. Më shumë 2 mijë media vendase dhe botërore pritet të ndjekin aktivitetin tre ditor në Filadelfia.

Pjesëmarrja në një aktivitet të tillë ka rëndësi jo të vogël për politikanët shqiptarë, si një dëshmi e marrëdhënieve që ekzistojnë mes vendeve. Ndërsa dy politikanët kryesorë Ilir Meta dhe Lulzim Basha nisen drejt SHBA-së, bije në sy se kreu i Qeverisë dhe kreu i PS-së, Edi Rama nuk do të marrë pjesë. Kreu i Kuvendit, Ilir Meta ka qenë disa herë i ftuar në takime të tilla dhe dy vitet e fundit ka vizituar jo pak herë Uashingtonin në takime zyrtare.

Veç mungesës së Ramës, ajo që krijon surprizë është vizita e Bashës. Së pari, Basha është kryetar i një partie të djathtë dhe nga origjina politike duhet të kishte lidhje me Partinë Republikane në SHBA. Por nga Partia Demokratike në Tiranë askush nuk ishte në konventën e Republikanëve në SHBA, kur u zgjodh kandidat për president Donald Trump një javë më parë. Kjo tregon se selia blu në Tiranë ka vendosur që pikë reference në marrëdhëniet me SHBA-në të ketë Partinë Demokratike dhe kandidaten e saj Hillari Klinton.

Së dyti, vizita e Bashës nuk shihet si një çështje “qokash” dhe kongresesh, por ka një domethënie që lidhet me zhvillimet e ardhshme politike. Ftesa që i është drejtuar Bashës për të marrë pjesë në aktivitetin më të rëndësishëm të demokratëve në SHBA jep sinjale të një marrëdhënie tjetër mes PD dhe Uashingtonit zyrtar. Pak ditë më parë, para se të miratohej reforma në drejtësi, ndaj Bashës nisi një sulm frontal si politikan anti-perëndimor në Shqipëri. Deklaratat e bëra nga Kryeministri Edi Rama, por edhe nga vetë Ambasadorit i Amerikan në Tiranë, Donald Lu, tregonin se në Uashington lideri Basha ishte një njeri i padëshiruar dhe problematik.  Vetëm brenda 3 ditëve gjërat kanë ndryshuar krejtësisht. Edhe pse në Tiranë kishte njollën e një anti-amerikani, të orkestruar mjeshtërisht nga Edi Rama e grupi i tij, kryetari Basha merret në telefon nga Ndihmës Sekretarja e Shtetit Amerikan për Europën dhe Euroazinë, Victoria Nuland dhe vlerësohet për lidershipin e tij. Veç kësaj, kreu i PD merr dhe një ftesë personale për të qenë pjesë e Konventës së Demokratëve ku janë të pranishëm gjithë senatorët dhe kongresmenët e partisë që sot është në pushtet në SHBA dhe ku fjalimet kryesore do të mbahen nga Presidenti Barak Obama dhe ish-presidentit Bill Klinton. Duket se Departamenti i Shtetit në SHBA ka nxjerrë “asin” tjetër nën mëngë, që është Lulzim Basha, duke e kthyer nga “xhol” Ramën në letër normale, si gjithë letrat e lojës.

Nëse Basha do të kishte një problem personal me Uashingtonin zyrtar, nuk do të ftohej në të njëjtin takim ku merr pjesë gjithë hierarkia drejtuese e partisë që sot drejton Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Madje, si “anti-amerikan” i shpallur nga Rama, shefi i selisë blu Basha as mund të udhëtonte në SHBA dhe jo më të shtrëngonte duart me kongresmenë dhe senatorë të rëndësishëm.

Vizita e Bashës në këtë aktivitet jep dhe një tjetër sinjal. Hillary Cilnton është kandidatja e demokratëve dhe janë të gjitha gjasat që të jetë Presidentja që do pasojë Barak Obamën në Shtëpinë e Bardhë. Pjesëmarrja e kreut të PD-së në këtë konventë shihet dhe si nisja e një sezonit të ri të marrëdhënieve mes PD dhe Shtëpisë së Bardhë.

Drejt SHBA udhëtojnë Lulzim Basha, Ilir Meta dhe mundet Pandeli Majko, të cilin amerikanët e kanë ftuar personalisht, pasi njihet si ish-kryeministri i luftës së Kosovës. A mos është duke u përgatitur Pandeli Majko të zëvendësojë Edi Ramën?

E vështirë, pasi Rama nuk e lëshon kolltukun, por nuk i dihet se çfarë do gatuajnë Basha-Meta-Majko në Uashington.

Diçka po luan nën rrogozin e kryeministrit aktual. Por sidoqoftë vera nuk do ketë surpriza. Mundet fundvjeshta do të sjellë lëvizje të reja surprizë.

Spiten Prulli

SHKARKO APP