Basha nuk tërhiqet edhe pas takimit me ministrin gjerman: Qeveri teknike

Ditën e sotme ministri i Jashtëm gjerman, Sigmar Gabriel kritikoi shumë ashpër qëndrimin e PD-së për bojkotin dhe mospjesëmarrjen në zgjedhje. Ky qëndrim, më i forti i ndërkombëtarëve që nga nisja e protestës së PD-së, duket se nuk ka sjellë asnjë ndryshim në politikën e PD-së.

Lulzim Basha zhvilloi për rreth 1 orë një takim me ministrin Gabriel, pas takimit që ky i fundit zhvilloi me Ramën. Në përfundim të takimit, Basha është shprehur sërish i vendosur për qeveri teknike dhe mospjesëmarrjen në zgjedhje. “Zgjedhja pa reformë zgjedhore, pa kushtet e garancitë një qeverie teknike, nuk ka për të patur”.

Në një prononcim për mediat, Basha tha se e ka sqaruar ministrin gjerman për gjithë situatën në vend. Ai tha se Rama ka mashtruar ndërkombëtarët për reformën në drejtësi, por edhe për gjendjen e trafikut të drogës në vend.

“Realiteti nuk mund të fshihet pas propagandës, propagandë që i shërben vetëm krimit dhe kapjes së shtetit dhe zgjedhjeve. Kjo nuk ka për të ndodhur. Ne jemi të vendosur t’i shkojmë deri në fund kësaj beteje, jo për llogaritë tona, por në emër të interesave të vendit. Pata rastin si sqaroja ministrit rrenat e Edi Ramës për vettingun”,- tha Lulzim Basha.

Kryedemokrati theksoi se çështja e drogës është një problem që nuk ka lidhje vetëm me Shqipërinë. “Injorimi i tonelatave të drogës është ndëshkim për Shqipërinë. Ku do të çojë kjo? Kjo do të çojë edhe më tepër në rritjen e trafikut. Ja pra që beteja jonë bëhet për fatin e Shqipërisë dhe në emër të sigurisë rajonale dhe evropiane”.

Lidhur me refromën në drejtësi, Basha tha se PD do të votojë ligjet kur të zbatohet marrëveshja që prishi Edi Rama për 7 ligjet.

Prononcimi i plotë për shtyp i Lulzim Bashës pas takimit me ministrat e jashtëm të Holandës dhe Gjermanisë:

Pyetje: Z.Basha ju kërkoi ministri gjerman ndalimin e bojkotit?

Basha: Kam pasur bisedim shumë të frytshëm me të dy ministrat,  ministrin holandez Koenders dhe me ministrin gjerman z.Gabriel. Në qendër të bisedës nga ana ime ka qenë shpjegimi i fakteve reale me qëllim njohjen e realitetit në Shqipëri, dhe jo të narrativave të prodhuara nga lobistët e paguar me paratë e drogës dhe të korrupsionit. Jam i bindur se vendet që kanë ndihmuar Shqipërinë në rrugëtimin e saj të vështirë por transformues në këto 27 vite, përfitojnë nga njohja totale e realitetit dhe problemit të jashtëzakonshëm që Shqipëria ka me drogën dhe krimin, dhe jo me injorimin. Sepse injorimi i tonelatave të drogës është një ndëshkim për Shqipërinë dhe një inkurajim për Edi Ramën për të vazhduar për të mbjellë tonelata të tjera dhe për shkatërruar në këtë mënyrë sistemin politik, garancitë për liritë e qytetarëve dhe ekonominë e shqiptarëve. Ndaj në të njëjtën kohë çdo përpjekje për të shkatërruar opozitën është një përpjekje për të shkatërruar demokracinë.

E vetmja rrugë mbetet një qeveri teknike, me mandat politik për të luftuar drogën dhe paratë e drogës, për të zbatuar ligjin për dekriminalizimin dhe për të krijuar kushtet për zgjedhje të lira dhe të ndershme.

Partia Demokratike dhe opozita mbeten të hapura për dialog, por dialog të mirëfilltë që shkon në funksion të zgjidhjes së kësaj krize politike dhe jo monologje shterpë që rëndon gjendjen ku ndodhet vendi, kriza në të cilën  ndodhet vendi, krizë që ka një impakt të drejtpërdrejtë në jetën, dhe në cilësinë e jetës së qytetarëve shqiptarë, nga të cilët 10% në këto 4 vite, 300 mijë pra, janë larguar nga vendi.

Realiteti nuk mund të injorohet dhe as të fshihet pas propagandës absurde të Edi Ramës, propagandë që nuk i shërben Shqipërisë, nuk i shërben as PS, por i shërben vetëm falangave të krimit dhe aktivitetit kriminal, mbushjes së Shqipërisë me drogë, kapjes së zgjedhjeve të ardhshme për të ruajtur privilegjet dhe pushtetin që kanë në mënyrë që të shumëfishojnë drogën, të shumëfishojnë pasurinë, të asgjësojnë demokracinë, të kapin partitë politike, të kapin Parlamentin, qeverinë, vendimmarrjen, dhe të shndërrojnë shqiptarët në skllevër të ndërmarrjes së tyre të madhe kriminale.

Kjo nuk ka për të ndodhur. Ne jemi të vendosur t’i shkojmë kësaj beteje deri në fund, jo në emër të llogarive tona politike, as llogarive tona elektorale, por në emër të interesave publike të shqiptarëve, të djathtë dhe të majtë. Padyshim, kam patur rastin t’i shpjegoj për rrenat e Edi Ramës në raport me vetingun. Fakti është që Edi Rama shkeli marrëveshjen e 21 korrikut për të miratuar 7 ligjet me konsensus. SHBA e detyruan për ligjin për të cilin ishin përgjegjës për SPAK-un dhe BKH-në, BE dështoi ta detyronte t’i përmbahej marrëveshjes.

Ndaj 6 ligjet janë pa miratimin e opozitës sepse opozita është përjashtuar nga Edi Rama me qëllim kapjen e drejtësisë. Në këto kushte, opozita kurrsesi nuk mund të jetë alibi për kapjen e drejtësisë nga Edi Rama, por opozita është e gatshme të ulet me maxhorancën që këto 6 ligje të kthehen në frymën dhe germën e Kushtetutës dhe të rekomandimeve të Komisionit të Venecias dhe vetëm kjo do mundësojë që opozita të ecë përpara me rolin e saj përsa i përket miratimit dhe zbatimit të këtyre ligjeve. Kjo është rruga e vetme. Gjithçka tjetër është propagandë, gënjeshtër e pastër e cila është ushqyer me shumicë, të cilën pata rastin sot, me fakte dhe argumenta të pakundërshtueshme ta çmontoj në themel, me bashkëbiseduesit e mi, 2 ministrat e jashtëm që takova sot.

Pyetje: Ministri i Jashtëm Gabriel ishte shumë i qartë. Nuk e kuptonte dot arsyen e bojkotit, qeveria teknike nuk është opsion për atë. Nëse opozita do ndihmë, jemi të gatshëm ta ndihmojmë. Madje i quajti edhe klika të caktuara ato që bllokojnë reformën në drejtësi dhe bojkotojnë parlamentin. Më qartë se kaq për të bërë mesazh opozitës që të kthehej në Parlament, nuk kishte çfarë thoshte?

Basha: Ora është 16:27, që do të thotë takimi im me ministrin zgjati goxha. Zgjati pikërisht sepse pas deklaratës së tij të bërë para takimit me mua, ishte detyra ime jo në emrin tim, as në emër të Partisë Demokratike, po në emër të të gjithë qytetarëve shqiptarë të paraqisja fakte dhe argumenta të pakundërshtueshme të cilat çmontojnë gënjeshtrat e qeverisë për gjendjen e krimit në vend, për gjendjen e drogës, për impaktin që ka te zgjedhjet dhe natyrisht rrenën për reformën në drejtësi.

E kam bërë këtë me qetësi, me fakte, me argumenta, në mënyrën më europiane të mundshme dhe më është dhënë mundësia ta bëj këtë me ministrin e jashtëm gjerman. Nuk komentoj deklaratën e tij të mëparshme sepse kisha mundësinë ta sqaroja, siç nuk kam ndërmend ti paraprij gjykimit të tij për informacionet që i dhashë.

Një gjë është e qartë. Gjithçka që opozita dhe Partia Demokratike ka depozituar, është e bazuar mbi fakte të pakundërshtueshme, jo thjeshtë të opozitës por të verifikuara ndërkombtarisht, siç është raporti i Europol për drogën, siç është raporti i Departamentit  të Shtetit për drogën.

Në një kohë komplekse me njëmijë kriza, e kuptoj që të merresh me këto detaje nuk është e thjeshtë, por për Shqipërinë këto detaje janë gjithçka. Europol e thotë qartë. Shqipëria në 2016 është kthyer në prodhuesin dhe shpërndarësin kryesor të kanabisit, në një vend kyç për shpërndarjen e marijuanës, në një bazë rajonale të klrimit të organizuar dhe pastrimit të parave.

Injorimi i tonelatave të drogës është ndëshkim për Shqipërinë, është inkurajim për krimin e organizuar dhe për Edi Ramën që të mbjellë dhe  tonelata të tjera. Ku do të cojë kjo? Kjo do të cojë në një destabilizim të vendit drejt një rënie totale të institucioneve të demokracisë, do të dëmtojë Shqipërinë, rajonin dhe Europën.

Ja pra, që beteja jonë, në mënyrë absolute nuk bëhet për fatet tona si parti politike, bëhet për fatin e Shqipërisë, për fatin e Shqipërisë europiane. Bëhet për vlerat europiane, bëhet pra edhe në emër të sigurisë rajonale dhe sigurisë europiane.

Pyetje-Z.Gahler, a ju kërkoi kthimin në Kuvend?

Basha: Diskutuam për reformën në drejtësi, ua thashë edhe një here, dhe çmontova gënjeshtrën e Edi Ramës se jemi ne që nuk duam Vetingun. I thashë se ne kemi votuar për Vetingun në Kushtetutë, se Vetingu do bëhet, por jo sic e do Edi Rama.  As sic e dua unë, sepse Vetingu i gjyqtarëve dhe prokurorëve nuk duhet bërë nga asnjë kryeministër, kushdo qoftë, Edi Rama, Lulzim Basha apo e shenjta Nënë Terezë.

Sepse, sic është e shenjtë në Europë, që Vetingu i drejtësisë nuk bëhet nga qeveria, sepse është në konflikt interesi. Qeveria është potencialisht e paditur, (kallëzuar) sepse ka në dorë paratë, ka në dorë pushtetin, ka aferat korruptive, në këtë rast dhe krimin. Kush do ta hetojë qeverinë, gjyqtarët dhe prokurorët që do t’i emërojë Edi Rama përmes mashave të tij? Sepse kështu është ligji sot. Pra, pata rastin ta çmontoj me fakte dhe argumenta dhe jo me propagandë, por me fakte dhe argumenta, gënjeshtrën e Edi Ramës mbi Vetingun. PD dhe opozita do të kthehen për të votuar të gjashtë ligjet, kur Edi Rama të zhbëjë thyerjen e paktit. Thyerja e paktit, përvecse qe një akt i pacivilizuar, nuk mund të shpërblehet. Nuk mund të shpërblehet dikush që thyen marëveshjen. Kishte marrëveshjen e theu atë. Në ligjin për  SPAK dhe BKH, SHBA e detyruan për zbatimin e marëveshjes dhe të gjithë jemi dëshmitarë, që ne e votuam ligjin. Do ti votojmë të gjashtë ligjet në momentin kur marëveshja e shkelur të rikthehet dhe këto ligje të garantojnë drejtësi të pavarur,  që nuk mbron zyrtarët e korruptuar trafikantët e drogës, por i ndërshkon ata sipas ligjit.

-A do të futeni në zgjedhje dhe a do të ktheheni në Parlament, pyetja që bëjnë gjithë shqiptarët?

Basha: Ky është një vendim që e kanë marrë shqiptarët. Zgjedhje pa qeveri teknike, që të garantojë kushtet për zgjedhje të lira e të ndershme, duke zbatuar ligjin e Dekriminalizimit, duke i nxjerrë kriminelët nga parlamenti, nga bashkitë,  nga institucionet e vendit, zgjedhje pa luftuar drogën dhe paratë e drogës, dhe krimin, zgjedhje pa reformë zgjedhore dhe krijimin e kushteve për zgjedhje të lira e të ndershme, pra zgjedhje fasadë të diktuar nga krimi, nuk ka për të patur sepse këto do të conin në situatë eksplozive drejt destabilizimit total.

Jemi të hapur dhe të vendosur të bashkëpunojmë me të gjitha forcat e përgjegjshme politike për zgjedhje të lira e të ndershme vetëm përmes një qeverie teknike.​

  Çfarë deklaroi sot Ministrit Gjerman për bojkotin e PD

Ministri i Jashtëm gjerman, Sigmar Gabriel, i dërguar i kancelares Angela Merkel për krizën politike në Shqipëri, ka mbajtur një qëndrim që ngjan si dajak dhe dru mu në ballë Lulzim Bashës. Nuk e kishte sulmuar kaq ashpër Edi Rama, liderin e PD-së, sa e sulmoi dhe dërmoi ministri i kancelares gjermane Merkel. Nuk pritej një kritikë kaq e fortë dhe ballore e ministrit gjerman ndaj liderit të PD-së.

Në deklaratën e përbashkët me homologun Ditmir Bushati, Gabriel ka kërkuar daljen e PD nga çadra, futjen në zgjedhje dhe zbatimin e reformës në drejtësi. Ministri Gabirel u pyet dhe për akuzat e PD-së lidhur me qëndrimin e ndërkombëtarëve. “Me gjithë respektin, do them se në momentin që vjen në rajon, kupton se kur nuk gjendet një lloj zgjidhje, shpiken këto teoritë e komplotit. Çdo qytetar në Shqipëri mund të pyesë pse duhet që komuniteti ndërkombëtar të ketë interes për të ndryshuar ligjet dhe Kushtetutën këtu në Shqipëri, çfarë interesi do të kishte një ndërkombëtar të ndalonte luftën ndaj korrupsion, apo të bllokojnë procesin për verifikimin e gjyqtarëve dhe prokurorëve. Ka paragjykime ndaj Shqipërisë, dhe ajo që opozita po bën këtu forcon mendimet e shumë njerëzve jashtë Shqipërisë. Kush bllokon reformën në drejtësi i bën dëm vendit dhe shqiptarëve, dhe këshilla ime do të ishte të gjendet mënyra për të lënë bojkotin dhe për të gjetur zgjidhje për reformën. Kush dëshiron të shkojë i sigurt drejt BE, duhet të punojë si vend në forcimin e Parlamentit, zbatimit të Kushtetutës e me radhë. Janë qytetarët e një vendi ata që vendosin për të ardhmen. Minimi apo sabotimi i shtetit ligjor nuk është në interesin e BE apo ndërkombëtarëve”,- tha i dërguari i Merkel në Tiranë.

Diplomati gjermani kritikoi dhe qëndrimin e Partisë Demokratike për qeveri teknike. Gabriel u shpreh se është normale që një opozitë të mos e pëlqeje qeverinë, por kërkesa për qeveri teknike duket absurde në BE.

Numri një i diplomacisë gjermane ka deklaruar se “opozita me qëndrimet e saj po largohet nga Europa”. Sipas tij me qëndrimet që po mban dhe bllokimin e reformës në drejtësi duket sikur opozita ka frikë prej saj. Gabriel shtoi se politikanët duhet të ndjekin interesin publik dhe atë kombëtar përballë interesit të tyre personal. Aktualisht interesi i vendit është në rrezik. “Nëse reforma në drejtësi do të bllokohet, atëherë rruga drejt Bashkimit Europian do të vonohet. Interesi kombëtar i një opozite nuk mund të jetë kaosi i vendit. Unë mendoj që duhet tu bëjmë apel atyre që e kanë çuar Shqipërinë në një udhëkryq. Ky udhëkryq është mes BE apo ndërmarrjes së një rruge më të komplikuar. Ne konsiderojmë që pjesë të elitave ekonomike, për shkak të mos zbatimit të interesave të tyre kërkojnë të bllokojnë rrugën drejt Bashkimit Europian”,- tha Gabriel.

“Këtu në Shqipëri bëhet fjalë për zbatimin e reformës në drejtësi. Ajo që e dallon Europën nga vende të tjera të botës është zbatimi i ligjit dhe Kushtetutës. Shteti ligjor duhet të sigurojë dhe garantojnë që në fund të ditës në qendër të vëmendjes do jetë interesi i qytetarëve dhe jo klikave të ndryshme. Me shqetësim të madh dhe pa e kuptuar mirë shikojmë se reforma në drejtësi është duke u penguar. Parlamentarët që zgjedhin të bojkotojnë parlamentin. Në vendin tim dhe në Europë kjo është absurde. Në vend të kësaj mblidhen në çadër duke realizuar një opozitë përkundër parlamentit. Pas pak javësh kemi zgjedhje. Nëse deputetët nuk janë të kënaqur duhet ta anatemojnë në kuadër të fushatës elektorale. Pakicat duhet të pranojnë shumicën. Ka një farë frikë lidhur me zbatimin e reformës në drejtësi. Për ne është e rëndësishme që në varësi të Kushtetutës dhe ligjeve të vlefshme të zbatohet reforma në drejtësi. Apelojmë qeverinë dhe parlamentin të punojnë për zhvillimin e zgjedhjeve të lira dhe të ndershme”,- tha Gabriel, që këshilloi Lulzim Bashën të propozojë ndryshimin e Kodit Zgjedhor duke e garantuar për ndihmën e BE dhe të Gjermanisë.

“Këshilla ime drejtuar opozitës dhe qeverisë është zbatimi i Kushtetutës dhe realizimi i zgjedhjeve. Për argumentin e Bashës dhe mosbesimin që ai ka për mundësinë e zgjedhjeve të lira dhe të ndershme unë e ftoj të bëjë propozimet e nevojshme, se si do arrihen në këtë moment zgjedhjet r lira dhe të ndershme. BE dhe gjermanët t’i marrin këto propozime në konsideratë. Nëse dëshiron opozita mund të bëjmë shumë më tepër se kaq, por nuk është rruga e duhur bojkoti i parlamentit” u shpreh Gabriel.

SHKARKO APP