Basha paralajmëron Ramën për përplasje civile
Opozita po përgatitët për reagime të forta në rast se mazhoranca do të votojë në Kuvend dekretin e Presidentit që rrëzoi ligjin për godinën e re të Teatrit Kombëtar.
Në bashkëbisedimin me gazetarët kryedemokrati Lulzim Basha, apeloi kryeministrin Rama të tërheq ligjin për shembjen e teatrin apo ligjin ‘Fusha’, sikundër e cilëson ai. “Të tërhiqet menjëherë pa bërë gëk mëk. Shansin ia ka dhënë Presidenti me kthimin e ligjit. E përshendes personalisht këtu kreun e shtetit. Të tërheq ligjin Fusha, mos t’i shkojë ndërmend ta sjellë në seancë se do të përballet me pasojat më të paparashikueshme. Do të jetë shpallje e konfrontimit dhe e përplasjes civile”
Ndërsa e konsideroi ligjin për shembjen e teatrit, si vijën e kuqe, Basha apeloi kryeministrin Rama, të mos e kalojë atë, pasi pasojat do të jenë të paparashikueshme. “Miratimi i ligjit në parlament, do të thotë të asgjësosh kushtetutën të grabitësh pronën publike për të pastruar paratë e drogës. Ajo është vija e kuqe, pastaj gjithçka do të jetë në dorë te qytetareve dhe këtu nuk dikton me opozita”,- u shpreh Basha.
Mazhoranca ka planifikuar që më datën 13 të fusë në seancën e parë parlamentar për këtë sesion rivotimin e ligjit për Teatrin Kombëtar. Dy muaj më parë kreu i shtetit e ktheu ligjin duke e cilësuar si antikushtetues. Por pavarësisht vendimit të presidentit, kundërshtive të artistëve dhe kundërshtive të opozitës, Partia Socialiste është e vendosur në kalimin e ligjit.
Ky vendim është marrë si një sfidë edhe nga opozita e cila ka deklaruar se nuk do të lejojë që një ligj i tillë të miratohet në Kuvend. Në seancën e 13 qershorit pritet që të ketë jo vetë debate, por edhe tensione dhe përplasje të forta mes mazhorancës dhe opozitës.
Ndërkohë që ende nuk dihet qëndrimi i mazhorancës nëse do të votojë menjëherë ligjin, apo do ta shtyjë për më vonë. Deklarata e Lulzim Bashës sot ishte ultimatim.