Basha:Parlamenti është foleja e krimit. Kryemadhi: Rama është kryekrimi
-Edi Rama për Lulzim Bashën: “Kur duhet të hyjë në zgjedhje, futet në çadër. Kur duhet të shkojë në punë, rrotullohet në gjumë. Kur humbet, shpall fitoren..”.
-Monika Kryemadhi tha për “Koha Jone” se kryeministri Rama nga frika e hoqi datën 13 shtator për kalimin e ligjit për teatrin, pra që ta ligjërojë shembjen e Teatrit, por e sigurojmë se opozita do t’ia bëjë çdo ditë, Edi Ramës, datë 13-të, siç e kemi planifikuar.
Opozita filloi dje sesionin e ri parlamentar jashtë parlamentit zyrtar. Iu drejtua Shkodrës te “parlamenti i qytetarëve”. Lideri i opozitës Lulzim Basha tha se “vendi ynë nuk mund të jetë në një fole krimi, siç është sot parlamenti shqiptar”. Po kështu edhe kreu i deputetëve të LSI, Petrit Vasili theksoi se opozita do të vijojë të mbajë një qëndrim të kushtëzuar me parlamentin, ashtu siç bëri edhe këtë të hënë ku në Tiranë u hap zyrtarisht sesioni i ri i Kuvendit. “Kryeministri më frikacak. Së bashku me ata që drejtojnë grupin e tij, që sot hapi një parlament grabitqar, armiq të popullit. Marrëdhënia me parlamentin do të jetë e kushtëzuar, zero kompromis. Faktet tregojnë inkriminimin e kryeministrit. Frikacakët janë në Tiranë. Kjo luftë e papajtueshme, nuk ndalet deri në çlirimin e Shqipërisë. Reagimi do të jetë shumë i fortë, format do i shikoni. Opozita nuk ka bojkotuar, ka marrëdhënie të kushtëzuar.”-tha Vasili. Dy partitë kryesore të opozitës PD dhe LSI e quajtën Kuvendin e Shqipërisë si vend krimi e mafie. Dhe se vajtja në komisionet parlamentare dhe në seancat e tij nuk do të ketë vijëmësi, theksuan. Me sa duket vjeshta do të jetë e nxehtë këtë vit, ku pritet përplasje e fortë mes mazhorancës dhe opozitës.
PD dhe LSI kritikojnë kryeministrin dhe qeverisjen si mafioze. Nga ana e saj PS-ja bëri një shtyrje të planit për datën 13 shtator ku ishte parashikuar se do të kalonte dekreti i Presidentit Meta që ka kthyer ligjin për rishikim. Por mazhoranca është përgatitur për ta rrëzuar dekretin e presidentit, duke e bërë ligjin me fuqi praktike. Opozita dje dha sinjalin e parë të këtij sesioni parlamentar, i cili do të përfundojë pas zgjedhjeve vendore qershor 2019. Deri atëhere do ketë rrjedhur shumë ujë e ku mund të jetë përmbytur qeveria e zotit Rama. PD dhe LSI mezi po presin që kryeministri të fusë në seancë parlamentare dekretin e presidentit për ligjin e Teatrit. Mësohet se janë përgatitur fort PD dhe LSI për një përballje spektakolare me kryeministrin, në sallën e Kuvendit, por sidomos jashtë seancës ku do jetë krejt populli. Lulzim Basha ka thënë se nuk duhet të guxojë Edi Rama ta sjellë në Kuvend dekretin nëse don ta rrëzojë, pra që ta miratojë futjen e ligjit në fuqi. Sipas Kushtetutës një herë ka të drejtë Presidenti të kthejë një ligj. Nëse parlamenti ia rrëzon dekretin, ligji hyn në fuqi mënjëherë. Këtë gjë synon të bëjë kryeministri. Por edhe opozita mezi pret ta fusë në seancë. Do të jetë ditë fatale për mazhorancën, por edhe për vendin tonë. Do jetë përplasje e paparashikuar në këto vitet e fundit.
Edi Rama përqeshi nga Tirana, kryetarin e PD-së që ishte në Shkodër. “Kur duhet të jetë në Tiranë, shkon në Shkodër. Kur duhet të hyjë në zgjedhje, futet në çadër. Kur duhet të shkojë në punë, rrotullohet në gjumë. Kur humbet, shpall fitoren. S’kemi ç’i bëjmë, duhet të bëjmë dhe pa të- shkruan kryeministri.
Por po nga Shkodra Lulzim Basha i dërgoi kryeministrit të falat e shkodranëve të cilët mezi presin, si gjithë populli opozitar e të zhgënjyerit e PS-së, që të mbërrijnë në Tiranë për të rrethuar Kuvendin ditën e kalimit të ligjit për Teatrin.
Me sa duket ajo ditë po vjen shpejt, brenda shtatorit. Monika Kryemadhi tha për “Koha Jone” se kryeministri Rama nga frika e hoqi datën 13 shtator për kalimin e ligjit për teatrin, pra që ta ligjërojë shembjen e Teatrit, por e sigurojmë se opozita do t’ia bëjë çdo ditë, Edi Ramës, datë 13-të, siç e kemi planifikuar.