Basha: Pas 28 qershorit largojmë Kryeministrin

-Re të zeza mbi qeverinë shqiptare nga BE për negociatat. E vetmja shpresë mbetet kancelarja gjermane Merkel, e cila mund të bindë vendet anëtare me kushtin që Shqipëria të kthehet në “rezervat” për refugjatët sirianë dhe ato nga Afrika e Veriut

Vendimi për negociatat me 28 qershor duket se do të vendos dhe fatin e qeverisë “Rama”. Refuzimi i vendeve të BE për t’i dhënë dritën jeshile qeverisë shqiptare, ose vendosja e kushteve shtesë do të jetë një dështim i cili do të ketë kosto politike në rrugën e integrimit. Përgjegjsia kryesore bie mbi qeverinë dhe kryeministrin, gjithnjë nëse nuk jepet statusi, sikurse do të marr meritat kryesorë nëse arrinë të bindë BE për statusin. Megjithatë punët nuk duken mirë, sepse Hollanda votoi si parliament kundër hapjes së negociatave me Shqipërinë. Mjafton një vend të mos jetë dakort dhe nuk jepet, pasi BE funksionon jo me votë apo shumicë, por në unision e mirëkuptim total.

Kreu i Partisë Demokratike, Lulzim Basha tha dje se faturën e dështimit, pas 28 qershorit, do ta paguajë kryeministri Edi Rama. Në fjalimin e mbajtur në një seancë të tensionuar, Basha ka paralajmëruar vendimin e disa vendeve të Bashkimit Europian. Basha foli për një informacion konfidencial, në dijeni të të cilit ishte dhe kryeministri Edi Rama ku flitej për kushte të reja ndaj Shqipërisë për negociatat. Sipas, Bashës arsyet se përse Shqipërisë nuk do t’i hapen negociatat është Edi Rama dhe qeveria e tij.

Kreu i PD-së la të kuptohet se dështimi i qeverisë “Rama” në procesin e integrimit do të sjellë një mobilizim kombëtar për të larguar qeverinë. “Sot është dita që shqiptarët të pyesin vetën: Cila është përgjegjësia jonë? Sepse një popull ka qeverinë që meriton. Vetëreflektimi i shqiptarëve do të na bashkojë në një drejtim të vetëm: mobilizim kombëtar dhe qytetar për të larguar një orë e më parë Edi Ramën, këtë tradhtar të interesave kombëtare dhe popullore”,- tha kreu i PD-së.

Ndërkohë, një pjesë e qëndrimeve të Bashës për çështjen e negociatave u konfirmuan pak orë më vonë. Shumica e parlamentit holandez  nuk është në favor të hapjes së negociatave. Mediat e këtij vendi njoftuan dje se më 28 qershor Holanda do të jetë kundër çeljes së negociatave me Shqipërinë. E njëjta situatë duket se është edhe me Francën. Qeveria e Presidentit Emanuel Macron, të paktën deri tani, hyn në radhën e vendeve më skeptike për hapjen e negociatave. Kundërshtitë janë ato që përmenden shpesh, lufta ndaj krimit, korrupsioni dhe numri i madh i azilantëve shqiptarë që duan të shkojnë në BE. Edhe pse qeveria “Rama” ka marrëdhëniet shumë të mira me qeverinë franceze, duket se gjithë lobimi, kontratat dhe marrëveshjet nuk kanë dhënë rezultatin që pritej.

Lulzim Basha tha dje se edhe Gjermania është kundër hapjes së negociatave me Shqipërinë, por përpjekjet e qeverisë Rama për të bindur Berlinin nuk po njohin limit. Media shtetërore gjermane “Deutsch Ëelle” shkruante dje për një skenar të ri ku hynin në lojë dhe ngritja e kampeve të emigrantëve. Sipas raportimit të medias gjermane mundet që qeveria “Rama” të pranojë një marrëveshje për pritjen e qindra mijëra emigrantëve nga zonat e luftës në këmbim të mbështetjes pa kushte për statusin. Një lëvizje kjo që Shqipërisë i jep negociatat dhe qeverisë gjermane të Angela Merkel i shmang krizën e brendshme që ka për refugjatët me ministrin e Brendshëm, Horst Seehofer. Interesant është fakti se po dje, ministri Fatmir Xhafaj ishte dje në një takim të veçantë me ministrin gjerman dhe politikanin më të rëndësishëm që “kërcënon” qeverinë e Merkel në Gjermani, Horst Seehofer. Dy ministrat kanë folur mes të tjerash dhe për çështjen e emigrantëve, por pa dhënë detaje se çfarë konkretisht.

Skenari i refugjatëve në këmbim të statusit, edhe pse në kufijtë e së besueshmes është prezantuar dje nga media më serioze gjermane, “Deutsch Ëelle”. “Rama shpëton Merkel”, thuhej në raportimin e “Deutsch Ëelle”, ndërsa shtohej se “një marrëveshje e mundshme e Shqipërisë  (për emigrantët) do të kishte rëndësi të jashtëzakonshme për një relaksim në mospajtimin e brendshëm gjerman: Shqipëria do të ofronte zgjidhjen humane,- shkruan radio shtetërore gjermane.

Por cilido qoftë qëndrimi i Gjermanisë vota për Shqipërinë duhet të jetë unanime në mbledhjen e Këshillit të Ministrave të BE. Për rrëzimin e negociatave mjafton vetëm vota kundër e një vendi. Holanda e ka dhënë verdiktin dhe tashmë pritet se çfarë do të bëjë opozita pas 28 qershorit.

Opozita ka gati skenarin e pas 28 qershorit. Protesta, përplasje dhe rrëzimin e qeverisë me forcën e popullit. Mundet të shkohet në zgjedhje të parakohshme nëse nuk hapen negociatat.

Q.Xhani

SHKARKO APP