Basha: Përballje në rrugë dhe sheshe. Të ndalim talebanin Rama
Opozita do të nisë aksion kombëtar për mbrojtjen e Teatrit Kombëtar. Në një deklaratë për mediat, kreu i PD-së Lulzim Basha tha se përballja me qeverinë “Rama” do të jetë në rrugë dhe në sheshe. Ai paralajmëroi se do të ketë protesta të mëdha qytetare, të cilat do të detyrojnë Edi Ramën që të tërhiqet nga vendimmarrja për prishjen e godinës së Teatrit Kombëtar. Dhe do ta rrëzojmë kryeministrin me çdo kusht e çmim, tha kryetari i PD.
Aksioni për teatrin pritet të kthehet në një aksion mbarëkombëtar të gjithë opozitës shqiptare dhe shoqërisë civile. Lulzim Basha premtoi se kjo do të jetë një betejë jo vetëm për vlerat kulturore, por për gjithë problematikën që ka sot vendi.
Me një retorikë të ashpër, Basha e cilësoi Edi Ramën si “talebani që po shkatërron memorien e kombit”. Ndërsa shtoi se përveç se kemi një kryeministër që po sillet si talebanët me monumentet, por kemi dhe një drejtues qeverie narkoman.
Kreu i PD-së u bëri thirrje dhe ambasadorëve të vendeve partnere që të reagojnë për situatën e krijuar në vend, pas miratimit të ligjit për shkatërrimin e Teatrit Kombëtar. Basha u shpreh se ky projekt është një skemë e pastrimit të parave. Nëse ambasadorët nuk flasin për këtë projekt më kot të flasin më vonë, pasi nuk do ti besoj njeri.
-Ja ku i kanë “peshqit” e mëdhenjë!- deklaroi Basha.
Duke folur për format e reagimit të opozitës, Basha u shpreh se ato do të jenë të ndryshme, duke mos përjashtuar as djegien e mandateve të deputetëve. “Djegia e mandateve është më e thjeshta, por jo e vetmja. Ne do të përpiqemi me çdo mënyrë që reagojmë dhe protestojmë ndaj kësaj qeverisje. Forca e Ramës është indiferenca e qytetarëve, ndaj u bëj thirrje të gjithëve që të jenë në sheshe dhe në rrugë për të ndalur ketë qeveri telebane”,- tha Lulzim Basha.
Pas miratimit të ligjit mbrëmjen e së enjtes, Basha tha se nuk ka asnjë mënyrë për të gjetur konsensus me këtë qeveri, përveçse ta detyrojnë me protesta që të tërhiqet. Gjithashtu, kreu i PD-së kërkoi nga Presidenti i Republikës që të mos dekretojë ligjin e shumëdiskutuar. Por cilido qoftë qëndrimi i kreut të shtetit, edhe në rastin e mos dekretimit, PS ka votat për ta rikthyer edhe një herë në Kuvend ligjin dhe për ta miratuar sërish.
Ndaj gjithë suksesi i aksionit të opozitës do të varet sesa seriozisht e kanë nisjen e protestave dhe refuzimin e qeverisë “Rama”. Nëse e kanë ndarë mendjen, opozita këtë vjeshtë e rrëzon qeverinë dhe nuk futet në zgjedhjet vendore me kryeministër Ramën. Kjo, thonë në selinë blu, do jetë synimi i kësaj vjeshte me përplasje.
VIDEO/Deklarata e kreut të PD, Lulzim Basha
https://www.facebook.com/lulzimbasha.al/videos/1949267768457728/