Basha: Po përgjohem! Rama: Babalekryetar!
Denoncimi i Partisë Demokratike: Operacion kriminal i policisë kundër kreut të PD dhe familjes së tij. Do pendoheni për këtë vepër kriminale. Policia: Eshtë sajesë e lojës politike të ditës.
Historitë e përgjimeve në nivelet e larta të politikës janë kthyer dje edhe një herë në temë kryesore të ditës. Partia Demokratike bëri dje një denoncim, që nëse do të jetë i vërtetë kemi të bëjmë me një nga skandalet më të mëdha të viteve të fundit. Nënkryetari i PD-së, Edmond Spaho akuzoi Edi Ramën dhe Fatmir Xhafaj se kanë urdhëruar përgjimin e kreut të PD-së Lulzim Basha dhe familjes së tij. Spaho deklaroi se njësi të Skuadrës së Operacioneve Speciale në Ministrinë e Brendshme kanë vendosur në survejim, pa leje, kreun e PD dhe familjen e tij. Numri dy i PD tha se kemi të bëjmë me “një operacion kriminal” që tregon se “Policia e Shtetit po përdoret si bandë për interesa të “krimit qeveritar”. Pak orë para se Spaho të deklaronte publikisht lajmin që qarkullonte për survejimin e kreut të PD-së, një grup deputetësh të selisë blu u paraqitën në Drejtorinë e Policisë së Shtetit. Deputetët Edi Paloka, Enkelejd Alibeaj dhe Flamur Noka mësohet se kanë kërkuar sqarime nga policia shtetit për atë që e quajnë “përgjim dhe “presion” ndaj kreut të PD-së. Gjithashtu, deputetët kanë paralajmëruar dhe masa ligjore për efektivët e policisë apo zyrtarët që kanë dhënë urdhrin për një operacion të tillë. Burime nga PD thonë se prej disa ditësh është venë re një prani agjentësh civilë, të paautorizuar, që survejonin kreun e PD dhe familjarët e tij.
Ndërkohë Policia e Shtetit në një deklaratë për mediat paraqiti një tjetër situatë të ngjarjes. Në deklaratën e Policisë theksohet denoncimi i PD është i pavërtetë dhe se ndaj kreut të PD nuk ka pasur asnjë survejim. Sipas Policisë së Shtetit, Basha ruhet nga Garda e Republikës, sipas ligjit për sigurinë e personaliteteve. Policia e Shtetit e cilësoi denoncimin e PD-së si një skenar me prapavijë politike. Pas deklaratës së Policisë së Shtetit ka ardhur dhe reagimi i kreut të qeverisë, Edi Rama. Më shumë se sqarim për alarmin e ngritur nga PD, Rama është tallur dhe ka bërë humor me Lulzim Bashën. Kryeministri e cilëson denoncimin si një sajesë për të fshehur të vërtetën e përgjimit që publikoi disa javë më parë PD kundër ministrit të Brendshëm, Fatmir Xhafaj. “Babalepartitë e babaleopozitës kanë shpikur sot (dje) një përgjim të Policisë së Shtetit për babalekryetarin e Partisë Babalokratike. Shpejt do të dalë e vërteta e babalepërgjimit të shpikur dje për ministrin dhe ndërkohë le të qeshim me babalepërgjimin e shpikur për Lulëzimin”,- shkruan në reagimin e tij kryeministri, Edi Rama.
Kjo është kronika e serisë së radhës me përgjime. PD bërtet se kemi të bëjmë me një shkelje të rëndë ligjore. Ndërsa policia e mohon me një deklaratë dhe kryeministri bën humor në rrjetet sociale. Institucione si Prokuroria që kanë detyrë në raste të tilla të ndërhyjnë mes akuzave politike për të zbardhur të vërtetën, deri mbrëmë, nuk kanë bërë asnjë reagim. Denoncime të tilla edhe nëse cilëson qesharake nga një kamp i politikës, në asnjë rrethanë nuk duken neglizhuar. Nëse është e vërtetë ajo që thotë PD, pra që Basha dhe familja e tij janë nën survejim dhe përgjim policor, qeveria dhe institucionet e kanë shkelur ligjin me të dyja këmbët. Nëse kjo histori është loje viktimizmi e PD për ta përdorur politikisht, sigurisht që është gafë politike dhe shkelje ligji. Por që të marrin fund hamendësimet duhet që institucionet që paguhen për të zbardhur të vërtetën të vihen në lëvizje.
Prokuroria duhej të kishte nisur mënjëherë hetimin e rastit që po ndez politikën dhe trazon shoqërinë.
Q.Xhani