Basha: Po prekët Teatrin, zjarri do të shkojë në Surrel!

“Nëse ky pushtet do i shkojë marrëzisë deri në fund për të shembur Teatrin, le ta presin popullin te çdo institucion i uzurpuar, le ta presin zjarrin nga Surreli te qendrat tregtare dhe objektet luksoze të oligarkëve të lidhur me krimin e organizuar. Kjo është thirrja ime ndaj qytetarëve shqiptarë, ndaj opozitës.Teatri është vija e kuqe”,- deklaroi kreu i PD-së.

Në fillim ishte Presidenti Meta që reagoi fort për vendimin e qeverisë për ta kaluar Teatrin Kombëtar në varësi të Bashkisë së Tiranës, e cila do ta shembë për të ndërtuar Kulla biznesi si dhe një teatër mes kullave.
Presidenca depozitoi në Gjykatën Kushtetuese padinë. “Autoritetet kanë reaguar këto javë se nuk tërhiqen për shembjen e kompleksit të Teatrit Kombëtar. Bashkia nuk mund të shprehet për një pasuri të tillë. Juridiksioni i Bashkisë së Tiranës është i kufizuar për një ndërtesë publike”,- deklaroi Presidenti Ilir Meta.
Presidenti shtoi se vendimmarrja për çështje të tilla duhet t’u takojë institucioneve më të larta. “Gjykata Kushtetuese është i vetmi institucion që ka të drejtë të shprehet për vendimmarrje të tilla. Kompleksi i godinave në diskutim është përdorur që në fillim për qëllime kulturore. Ky kompleks godinash nuk i përket më një qeverie apo një bashkie, por gjithë qytetarëve”,- deklaroi Presidenti Meta.
Por mënjëherë ka reaguar edhe Lulzim Basha.
Projekti i qeverisë për të shembur Teatrin Kombëtar ka provokuar reagime të forta nga artistët, intelektualët dhe partitë e opozitës. Kryetari i Partisë Demokratike, Lulzim Basha, pas takimit me artistët që mbrojnë teatrin, bëri dje paralajmërimin më të fortë ndaj Edi Ramës personalisht dhe ndaj qeverisë. Në një komunikim me mediat, Basha tha se shembja e Teatrit Kombëtar do të ishte një akt lufte nga Edi Rama që do të merrte përgjigje të fortë dhe reagim qytetar. “Nëse ky pushtet do i shkojë marrëzisë deri në fund për të shembur Teatrin, le t’a presin popullin te çdo institucion i uzurpuar, le ta presin zjarrin nga Surreli tek qendrat tregtare dhe objektet luksoze të oligarkëve të lidhur me krimin e organizuar. Kjo është thirrja ime ndaj qytetarëve shqiptarë, ndaj opozitës; Teatri është vija e kuqe”,- deklaroi kreu i PD-së. Basha shtoi se nëse Edi Rama shemb godinën, përgjigja nuk do të vij vetëm nga artistët, por edhe nga qytetarët dhe opozita. “Çdo akt për prishjen e Teatrit Kombëtar është një akt i pastër luftë ndaj qytetarëve, por edhe ndaj artit dhe artistëve. Përgjigja është një përgjigje që nuk i takon vetëm artistëve, por gjithë qytetarëve. Ndaj unë i bëj thirrje sot në emër të PD-së dhe gjithë demokratëve, mbështetësve të opozitës dhe çdo qytetari të majtë apo të djathtë, ta kuptojë se te Teatri Kombëtar është vija e kuqe me regjimin që ju ka vjedhur dhe ju ka lënë pa bukë fëmijët”,- u shpreh kreu i PD-së. Kërcënimi i Lulzim Bashës ndaj Edi Ramës dhe oligarkëve paralajmëron tensione dhe konflike mes qytetarëve dhe vendimit të qeverisë për të shembur godinë.
Bashkia e Tiranës, duke zbatuar porositë e Edi Ramës ka vendosur që ditën e hënë, më 18 maj, të mbledhë Këshillin Bashkiak ku do të vendoset procedura e shembjes së godinës. Në një njoftim të Bashkisë dje thuhej se do të prezantohet projekti i ri i Teatrit Kombëtar, duke nënkuptuar dhe rrënimin e godinës ekzistuese. Po në 18 maj, në të njëjtë orë kur Këshilli Bashkiak do të marrë vendimin, artistët që mbrojnë Teatrin Kombëtar kanë paralajmëruar një protestë. Teatri dhe Bashkia janë vetëm 100 metra larg dhe praktikisht protesta do të zhvillohet para zyrës ku janë mbledhur këshilltarët e pushtetit vendor në Tiranë. Bashkë me artistët do të jenë dhe përfaqësuesit e opozitës dhe qytetarë që kanë dalë në mbrojte të Teatrit Kombëtar.
Qeveria ka vendosur të mos tërhiqet nga shembja e godinës edhe pse kanë nisur një sërë procedurash ligjore kundër projektit të saj.
Pavarësisht se ligjërisht dhe moralisht qeveria nuk ka të drejtë të prekë teatrin, mazhoranca duket e vendosur për të shembur objektin historik. Qëndrimet e fundit të qeverisë dhe bashkisë, janë provokime të rrezikshme ndaj qytetarëve, që mund të kthehen në përplasje. Prekja e teatrit nga kjo qeveri mund të kthehet në konfliktin më të fortë, pasi të gjitha palët nuk e përjashtojnë përplasjen fizike. Kërcënimi i Lulzim Bashës dhe deklaratat e forta për flakët që mbërrijnë në Surrel dhe te oligarkët është paralajmërimi se bashkë me Teatrin Kombëtar mund të bien dhe institucionet e tjera të paligjshme të kësaj qeverie.
Mili Xhani

SHKARKO APP