Basha: Prokuroria fsheh përgjimet që lidhin Dakon e Gjiknurin me krimin
Lulzim Basha ka hedhur akuza të ashpra në drejtim të kreut të Bashkisë së Durrësit, Vangjush Dako dhe Ministrit të Infrastrukturës dhe Energjisë, Damian Gjiknuri.
Përmes një statusi në Facebook, Basha ka akuzuar kryeprokuroren e Përgjithshme Arta Marku dhe drejtuesen e prokurorisë së Krimeve të Rënda, Donika Prela se kanë fshehur përgjimet dhe provat e prokurorisë që sipas tij lidhin ministrin Gjiknuri dhe kreun e Bashkisë Durrës, Vangjush Dako me bandat e krimit të organizuar. Basha pretendon se për dy politikanët e lartë të PS ka përgjime që faktojnë pazaret me bandat e krimit në këmbim të votave gjatë zgjedhjeve të fundit në Durrës dhe në Vlorë. “Donika Prela dhe Arta Marku fshehin përgjimet dhe provat e prokurorisë që lidhin Vangjush Dakon dhe Damian Gjiknurin me bandat e krimit të organizuar në pazare korruptive “tendera dhe para në shkëmbim të votave” nga Dibra në Durrës dhe në Vlorë”,– shkruan Basha në deklaratën e tij në rrjetet sociale. Sipas kreut të PD, për të fshehur këto afera të krimit me politikën, Edi Rama po synon të kap drejtësinë për të garantuar paprekshmërinë nga ligji.
Ndërkohë ministri Gjiknuri e ka hedhur poshtë një sulm të tillë nga selia e PD-së, kurse Vangjush Dako ka preferuar të mos përgjigjet akuzave.
Postimi i Lulzim Bashës në Facebook:
“Donika Prela dhe Arta Marku fshehin përgjimet dhe provat e prokurorisë që lidhin Vangjush Dakon dhe Damian Gjiknurin me bandat e krimit të organizuar në pazare korruptive “tendera dhe para në shkëmbim të votave” nga Dibra në Durrës dhe në Vlorë.
Dy vjet pas miratimit të Reformës në Drejtësi duhet të kishim një prokurori që ndëshkon dhe nuk mbron politikanët e lidhur me krimin. Vangjush Dako duhej të ishte në burg, bashkë me Sajmir Tahirin, Elvis Roshin, Mark Frrokun, Qazim Sejdinin, Damian Gjiknurin me shokë.
Por në vend të reformës, Edi Rama dhe Fatmir Xhafa e kapën drejtësinë me ndihmën dhe heshtjen e disa bashkfajtorëve që sot bëjnë shurdhmemecin. Drejtësia e kapur është sot garancia e vetme që mban larg burgut bandën në pushtet. Kush nuk e kupton është idiot. Kush bën sikur nuk e kupton është bashkëfajtor.
Qeveria e lidhur me krimin. Drejtësia e kapur nga qeveria. Ekonomia e kapur nga oligarkët që pastrojnë paratë e krimit dhe të korrupsionit qeveritar. Këto janë sfidat jetike, pa zgjidhjen e tyre Shqipëria shkon drejt katastrofës totale”.