Basha: Rama dështoi me negociatat. Duhet të ndryshojmë qeverinë

Kreu i Partisë Demokratike, Lulzim Basha ka dalë sot në një konferencë për mediat për të shprehur qëndrimin e opozitës, pas shtyrjes së negociatave me një vit. Në komunikimin me mediat, Basha paralajmëroi zhvillime të forta nga ana e opozitës, lidhur me dështimin e procesit të integrimit. Basha tha se arsyeja pse BE nuk i hapi negociatat lidhet vetëm me krimin dhe korrupsionin qeveritar.

“Rama dështoi në luftën kundër krimit dhe korrupsionit. Në javët e muajt e ardhshëm ne do të na duhet duhet të reflektojmë thellë për të ndryshuar thellësisht politikën dhe qeverisjen, për t’ju rikthyer në mënyrë të sigurtë perspektivës europiane”,- tha Basha në komunikimin me gazetarët.

Kreu i PD-së tha se propaganda e qeverisë për sukses me negociatat është e turpshme. Ai shtoi se qëndrimi i BE duhet lexuar qartë edhe nga mediat pasi duhen nxjerrë përgjegjësitë se cilat janë reformat ku qeveria ka dështuar. “Gjuha që përdori Këshilli Europian konfirmoi edhe një herë se mos hapja e negociatave nuk është refuzim as i shqiptarëve dhe as i perspektivës Europiane të Shqipërisë. Përkundrazi sikurse deklaroi Këshilli rruga e shqiptarëve dhe Shqipërisë drejt BE-së është e hapur dhe është plotësisht në dorën tonë që të përparojmë në këtë rrugë për t’u bërë pjesë e BE-së. Moshapja e negociatave është refuzim ndaj krimit dhe korrupsionit që ka pushtuar Shqipërinë nën qeverisjen Rama, është refuzim i politikës së kapur nga krimi dhe i ekonomisë të kontrolluar nga paratë e drogës dhe të krimit”,- tha Basha.

Sipas kreut të PD-së, qëndrimi i BE për shtyrjen e negociatave është refuzim ndaj Edi Ramës dhe qeverisë së tij. “Moshapja e negociatave është refuzim personal ndaj Edi Ramës dhe klikës së inkriminuar që sundojnë mbi shqiptarët. Është refuzim i Saimir Tahirit, Fatmir Xhafajt, Taulant Ballës, Damian Gjiknurit, Arben Ahmetajt, Vangjush Dakos, Qazim Sejdinit, Elvis Rroshit, dhe kupolës politike të PS, pothuajse e gjitha e lidhur me krimin dhe me drogën”,- tha Lulzim Basha.

Kryedemokrati paralajmëroi se opozita do të jetë në qendër të aksionit për të shpëtuar vendin nga krimi dhe korrupsioni që ka kapur qeverinë. “Në emër të Partisë Demokratike siguroj shqiptarët se opozita do të bëjë gjithçka për t’u çliruar nga kjo e keqe e madhe, në mënyrë që të realizojmë së bashku anëtarësimin e vendit në Bashkimin Europian”,- tha Lulzim Basha.

VIDEO/DEKLARATA E LULZIM BASHËS PËR NEGOCIATAT

https://www.facebook.com/lulzimbasha.al/videos/1934775393240299/

Lajme të tjera për këtë argument

SHKARKO APP