Meta:Vetëm me konsensus. Rama-Basha: Sherr dhe konflikt për reformën

Dita e sotme ka qenë e ngarkuar me takime, negociata dhe deklarata të drejtuesve të tre partive kryesore në vend, PS, PD dhe LSI.

Kreu i PD-së, Lulzim Basha akuzoi sot kryeministrin Edi Rama si njerin që po pengon konsensusin. Ai tha se Edi Rama ka një komplot kundër reformës në drejtësi. Sipas tij, Rama ka shmangur konsensusin duke hedhur poshtë marrëveshjen që u arriti gjatë orëve të natës. Deklarata e Bashës u bë pas takimit me kreun e Kuvendit, Ilir Meta. “Ka ndodhur prishja e marrëveshje, me një qëllim, shmangien e konsesusit në parlament. Dy çështjet që kanë të bëjmë me misionin kombëtarë dhe formulën për legjitimin e misionit ndërkombëtar dhe ndërkohë që jo marrëveshje po shkruhej, u prish.

Kjo është një përpjeke ogurzezë për të shkatërruar konsensusin në frymën e deklaratave të kryeministrit. Ai e shpalli axhendën në Pallatin e Brigadave për të mos pranuar negociata”,- tha Basha. Pas kesaj deklarate te Bashes duket se punet po shkojne keq, sepse se Edi Rama po synon te gjejë sebep qe ta çoje Shqiperine ne zgjedhje te parakohshme parlamentare duke krijuar idene se vota popullore duhet te jete kunder antiamerikaneve! Pasi eshte koha me volitshme per Ramen per zgjedhje sepse sa me shume kalon koha aq me keq do jete qeverisja dhe revolta popullore.

Pritet qe Rama te dale te flase pas Bashes dhe prape Basha pas Rames.

Rama: PD bllokoi negociatat, propozimi i tyre nuk pranohet nga SHBA

Kreu i qeverisë Edi Rama në një konferencë për mediat deklaroi se bllokimi i negociatave ka ardhur për shkak të PD-së. Ai tha se negociatat janë bllokuar në orën 03:00 të mëngjesit nga ana e përfaqësuesve të PD. “Vija e kuqe e PD ka rezultuar e pakapërcyeshme për të hequr procesin e monitorimit ndërkombëtarë nga ndryshimet kushtetuese. Propozimi i Nuland është e vetmja mundësi për konsensusin parlamentar të 21 korrikut, asgjë më shumë asgjë më pak”,- tha Rama.

Ai shtoi se PS do të pres konsensusin deri ditën e enjte. Rama u shpreh i bindur se ka votat e gjithë koalicionit të majtë. “Deri në orën 10:00 të 21 korrikut gatishmëria për të gjetur buzëqeshjen reciproke mbi këtë propozim, ne 140 deputetët jemi para një zgjedhje; o të votojmë për cclirimin e drejtësisë, ose të votojmë në emër të frikës nga drejtësia, duke vazhdua pengmarrje nga të korruptuarit në sistemin e drejtësisë. Aleanca e Shqipërisë Europian do të votojë në bllok për çlirimin”,- tha kryeministri Edi Rama.

Deklarata e plotë e Kryeministrit Edi Rama:

“Sot në mëngjes rreth orës 03:00 ka ndalur një odise e gjatë negociatash me PD, por këtë herë jo vetëm me ekspertëve tanë, por ballë për ballë përfaqësuesve të dy misioneve të ekspertizës ndërkombëtare për Reformën në Drejtësi, misionit europian EURALIUS dhe misionit amerikan OPDAT.

Është realizuar një progres i mirë në disa aspekte teknike, por vija e kuqe e SHBA dhe BE ka rezultuar e kapërcyeshme për pretendimin e PD për të hequr nga projekti kushtetues Operacionin Ndërkombëtar të Monitorimit dhe për të ndryshuar kornizën e veprimtarisë së këtij operacioni në funksion të pastrimit të sistemit të drejtësisë nga gjykatësit dhe prokurorët e korruptuar.

Propozimi “hibrid” i kompromisit të paraqitur nga Ndihmës Sekretarja e Shtetit Viktoria Nuland është e vetmja mundësi për konsensusin parlamentar të 21 korrikut. Asgjë më shumë. Asgjë më pak.

Por, pavarësisht faktit që unë e rikonfirmoj se deri në orën 10:00 të 21 korrikut, gatishmëria për të gjetur buzëqeshjen reciproke mbi këtë propozim është e plotë tanimë, ne 140 deputetë e Kuvendit të Shqipërisë jemi përballë një zgjedhjeje shumë të qartë; Ose të votojmë në emër të Shqipërisë dhe njerëzve të zakonshëm të këtij vendi, që kërkojnë çlirimin nga kthetrat e të korruptuarve që kanë marrë peng drejtësinë, ose të votojmë në emër të frikës nga drejtësia duke lejuar vazhdimin e pengmarrjes së dhunshme çerekshekullore të popullit tonë prej të korruptuarve të drejtësisë.

“Aleanca për Shqipërinë Europiane” do të votojë në bllok për çlirimin, jo për pengmarrësit.

Ose të votojmë faqebardhë për të çelur rrugën e negociatave për anëtarësimin e Shqipërisë në Bashkimin Europian dhe për t’u përgatitur që të ulemi me dinjitet, pas një shekulli e kusur shtet shqiptar në tryezën e bashkuar të Familjes Europiane, ose të votojmë për faqen e zezë të Shqipërisë kundër Shteteve të Bashkuara dhe kundër Bashkimit Europian e ta bëjmë Shqipërinë vendin që do damkoset, sepse refuzoi botërisht ndihmën e partnerëve strategjikë, për pastrimin e shtëpisë sonë nga plehrat e korrupsionit në sistemin e drejtësisë.

“Aleanca për Shqipërinë Europiane” do të votojë në bllok për ta çuar faqebardhë vendin dhe popullin tonë në derën e negociatave për anëtarësim në BE.

Ose të votojmë me konsensus të gjithë sëbashku, duke ngritur kartonin jeshil të dritës së çelur të së ardhmes për gjeneratën tjetër, ose të ndahemi në mbrojtës të dritës dhe imponues të errësirës, ku çdo karton i kuq është ndalim i vullnetit sovran të popullit për t’i dhënë fund maskaradave në sallat e gjykatave që prej 25 vjetësh bëjnë ujë gjakun e këtij populli.

“Aleanca për Shqipërinë Europiane” do të votojë në bllok, për të mbrojtur dritën e të ardhmes për gjeneratën tjetër.

I bëj thirrje kryetarit të Partisë Demokratike, të sillet si lider që ka mbi supe përgjegjësinë e një barre nga ato që historia nuk i sjell çdo ditë në udhëheqjen e një opozite.

I kemi dhënë konsensus për gjithçka të negociueshme.

I kemi plotësuar opozitës kërkesën themelore për barazi të plotë në procesin e jetësimit të reformës. Nuk mund t’ia plotësonim dhe nuk mund t’ia plotësojmë dot kërkesën për t’u bashkuar në një front kundër Shteteve të Bashkuara dhe BE. Vija e tyre e kuqe është vija mbrojtëse për Shqipërinë dhe shqiptarët, e cila garanton suksesin e fshesës së hekurt mbi të korruptuarit në sistemin e drejtësisë.

Partia Demokratike ka fituar në këtë proces të gjatë dhe shumë të vështirë të gjithë atë që i takon. Sinqerisht e komplimentoj Lulzim Bashën dhe ekipin e tij për rezultatet që kanë arritur. Por Partia Demokratike as nuk mund të kërkojë e as nuk mund të marrë atë që nuk i takon e që i bie ndesh rrugës tonë të përbashkët për të bërë një shtet dinjitoz të shqiptarëve, me shqiptarët dhe për shqiptarët, jo të partive, me partitë dhe për partitë.

Thirrja ime për ndërgjegjen e çdo deputeti opozitar nuk është as blerje dhe as dhunim i konsensusit, por detyra ime si Kryeministër, si lider i Partisë më të madhe shqiptare dhe si një qytetar i këtij vendi që nuk mund të mos lërë gur pa lëvizur nga muri shurdh i Partisë Demokratike, jo për hesapin aritmetik të qeverisë që unë drejtoj, por për llogarinë morale të vendit që unë qeveris.

Ndërsa kërcënimet, shantazhet, presionet dhe bllofet me djegie mandatesh, me baltosje të individëve që mund të shkëputen nga blloku antieuropian dhe antiamerikan i Reformës në Drejtësi, janë shprehje alarmante të kulturës diktatoriale të linçimit të armiqve të brendshëm, që bashkëpunojnë me agjenturat e huaja kundër partisë së tyre.

Unë kam qenë, jam dhe do të jem deri në orën 10:00 të datës 21 korrik për konsensus. Kam bërë gjithçka për konsensusin. Por mes kërkesës për konsensus deri në absurd, që bllokon reformën, dhe miratimit të reformës që zhbllokon rrugën e një revolucioni që pritet prej 25 vjetësh në drejtësi, unë, “Aleanca për Shqipërinë Europiane” zgjedh vendosmërisht këtë të dytën. Kjo nuk është reforma ime, dhe nuk është reforma e një partie, e një koalicion qeverisës apo një krahu politik.

Prandaj, le të bashkojmë forcat individuale, të bashkojmë të gjitha partitë në Parlament, të bashkojmë të dyja koalicionet dhe me të dy krahët lart, të ngremë shpresën e shqiptarëve që përfaqësojmë duke miratuar bashkërisht Reformën në Drejtësi, e duke i dhënë të gjithëve një mesazh shumë të qartë se nuk ka asgjë të pamundur kur të gjithë jemi bashkë. Faleminderit!”

Meta: Reforma në drejtësi do miratohet, por jo me vota jo konsensusuale

Kreu i Kuvendit dhe kreu i LSI-së, Ilir Meta deklaroi pas takimit me kreun e PD-së, se të enjten reforma duhet të kalojë në votim. Ai theksoi se LSI-ja do të votojë pro reformës. Ndërsa ka theksuar se reforma nuk mund të kalojë me vota jo konsensusale.

“Gjithnjë kam thënë se jam i gatshëm të votojë gjithçka që arrihet me konsensus mes PS dhe PD sipas Venecias. Këtë vendim ua kam thënë përfaqësuesve të SHBA dhe BE. U kam thënë reforma nuk bëhet në mënyrë jo transparente dhe jo si telefon i prishur”,- tha Meta.

Ai tha se reforma do të jetë në Kuvend më 21 korrik. “Ditën e enjte në orën 10:00 Kuvendi nis dhe nuk do të mbarojë deri sa të mbarojë kjo reformë me konsensus” deklaroi kryetari i Kuvendit Ilir Meta.

Ai theksoi se plani i vetëm është i kalimit të reformës me konsensus. “Ka vetëm një plan, ai me konsensus. Jemi shumë pranë marrëveshjes. Falënderoj edhe Ramën dhe Bashën pasi kanë qenë mjaft konstruktiv, pavarësisht retorikave pas takimeve. Janë plotësisht të angazhuar për miratimin me konsensus. Dua ‘tju siguroj që të Enjten në orën 10: 00  Kuvendi nis me këtë çështje madhore. Dua të siguroj Washingtonin zyrtar dhe Brukselin se Republika e Shqipërisë do të hedhë një hap të vërtetë madhor dhe historik për dekadat që vijnë në drejtim të forcimit të shtetit ligjor dhe vetëm përmes konsensusit dhe sipas Venecias. Nuk mund të luftohet korrupsioni me korrupsion e krim të organizuar”,- u shpreh Meta.

 Prononcimi i plotë për mediat i Kryetarit të Kuvendit, z. Ilir Meta:

Meta, a do të votohet reforma në drejtësi të enjten në seancë plenare?

Kam deklaruar që ne krye të procesit se Reforma në Drejtësi do të votohet dhe miratohet. Kam deklaruar gjithashtu që ka vetëm një plan. Të mos mendojmë asnjë çast plan B, C e kështu me radhë. Plani për miratimin e Reformës në Drejtësi është votimi i saj me konsensus sipas parimeve të vendosura në Opinionin e Komisionit të Venecias. Bashkohem me deklarimet dhe shqetësimet e sotme të  Komisionerit Hahn. Jemi shumë pranë marrëveshjes. Dua të falënderoj z. Rama edhe z. Basha për takimin e djeshëm pasi mendoj se kanë qenë dhe janë mjaft konstruktiv, pavarësisht retorikave dhe besoj se janë plotësisht të angazhuar për miratimin e saj me konsensus dhe sipas Venecias. Falënderoj ekspertët që u vendosën dje për të vazhduar diskutimet me përfaqësuesit e misioneve të OPDAT-it dhe EURALIS-it.

Dua t’ju siguroj se ditën e enjte në orën 10:00, Kuvendi i Shqipërisë pa asnjë diskutim do të fillojë procedurën për miratimin e kësaj çështje madhore. Dua gjithashtu të siguroj Washington-in zyrtar dhe Brukselin zyrtar se pavarësisht retorikave dhe zhurmave mediatike këtu, Republika e Shqipërisë do të hedhë një hap të vërtetë madhor dhe historik për dekadat që vijnë në drejtim të forcimit të shtetit ligjor, të luftës kundër korrupsionit dhe kundër krimit të organizuar përmes konsensusit dhe respektimit të parimeve të Komisionit të Venecias. Nuk mundet të luftohet korrupsioni me korrupsion dhe aq më keq me krim të organizuar. Kjo do të thotë se ditën e enjte në orën 10:00, Kuvendi i Shqipërisë fillon punën dhe nuk do të mbarojë deri sa të miratohet kjo reformë me konsensus dhe sipas Venecias, siç i takon një vendi anëtar të NATO-s, një vendi kandidat për anëtarësim në Bashkimin Europian. Shpreh bindjen absolute që Shqipëria do të hedhë një hap të jashtëzakonshëm dhe historik ditën e enjte, më datë 21 Korrik.

 Komisioneri Hahn ka deklaruar që nuk ka qenë aspak i informuara për takimin që ju keni zhvilluar dje me Ramën dhe me Bashën?

Prej kohësh kam kërkuar që pas Opinionit Final të Komisionit të Venecias të zhvillohej një takim midis z. Rama dhe z. Basha, si dy liderët e Partisë Socialiste dhe të Partisë Demokratike, forcat kryesore në Parlament. Gjithnjë kam thënë se jam i gatshëm të votoj gjithçka që arrihet me konsensus midis PS-së dhe PD-së dhe sipas parimeve të Komisionit të Venecias. Këtë mendim ua kam shprehur edhe dy përfaqësuesve të nderuar ndërkombëtarë, të Bashkimit Europian dhe të Shteteve të Bashkuara të Amerikës, sepse reforma duhet finalizuar me transparencë dhe të marrë fund loja e telefonit të prishur.

Sikurse jeni në dijeni, dje unë i kam ftuar të gjithë, pasi kam pritur gjatë që kjo çështje të zgjidhej. U kam kërkuar të gjithëve të jenë të qetë, të përqendrohen tek çështjet, të mos bëjnë politikë më këtë proces madhor, sepse politika nuk e ndihmon drejtësinë, sidomos një politikë konfliktuale, një politikë armiqësore, një politikë përjashtuese. Në 21 Korrik, të gjithë shqiptarët duhet të dalin të bashkuar, sepse janë 91 për qind e shqiptarëve që e duan reformën në drejtësi. Duhet të dalim të bashkuar dhe me besim të plotë se Shqipëria do të hedhë një hap madhor, historik, të besueshëm për shqiptarët, por njëkohësisht edhe për të gjithë partnerët tanë ndërkombëtarë.

Ju flisni sikur negociatat janë mbyllur me sukses, por janë ende dy çështje që presin të zgjidhen?

Padyshim që do të zgjidhen edhe këto dy çështje, sipas parimeve të Komisionit të Venecias dhe askush të mos shpresojë dhe ëndërrojë se do të arrijë të minojë konsensusin dhe do t’i vërë një njollë Shqipërisë, e cila do të miratojë një Kushtetutë të re, sepse kjo Kushtetutë nuk meriton të miratohet me vota të diskutueshme.

 Basha tha se do të shkohet deri në Bruksel nëse kjo nuk zgjidhet së bashku me ju?

Patjetër të shkojë z. Basha. Edhe unë jam i gatshëm të shkoj me z. Basha, nëse është e nevojshme. Ia kam konfirmuar këtë gjë dhe ai më ka premtuar që votat e PD-së do të jenë ne datë 21 Korrik për miratimin e reformës sipas Venecias.

Vetëm në parim?

Në parim dhe nen për nen. Jam i sigurt për këtë sepse gjërat janë tërësisht të zgjidhshme. Ajo që pengon marrëveshjen dhe konsensusin është retorika helmuese publike. Prandaj, u bëj thirrje të gjitha palëve në takimeve me aktorëve vendas, por edhe ndërkombëtarë, që të përqendrohemi tek çështjet konkrete dhe tek Opinioni i Komisionit të Venecias. Shqiptarët e presin 21 Korrikun me mjaft padurim, sepse reforma ka kaq kohë që diskutohet, që flitet, që debatohet dhe rikonfirmoj bindjen time se shqiptarët duhet të dalin të bashkuar pas 21 Korrikut, sepse Republika e Shqipërisë e pas 21 Korrikut nuk mund të jetë e disave. Ajo është e të gjithë shqiptarëve.

Po nëse nuk ka konsensus?

Jam i bindur se do të ketë konsensus, patjetër. Ka vetëm një plan, miratimi i reformës sipas Venecias. Gjithashtu, jam i bindur se Washington-i zyrtar, dhe Brukseli zyrtar do ta duartrokasin këtë marrëveshje. Të jeni të sigurt!

A do të arrini që ta bindi dot z. Rama?

Kryeministri është më konstruktivi nga të gjithë ne katër aktorët e tjerë, sepse thotë zgjidheni sipas SHBA-së dhe BE-së dhe ne kështu do ta zgjidhim, sipas SHBA-së dhe BE-së dhe Venecias.

SHKARKO APP