Basha, Ramës: Ta amendojmë Vettingun. Nuk presim Gjykatën Kushtetuese
Në një takim me veteranët, me rastin e 29 Nëntorit, kryeministri Edi Rama akuzoi opozitën se po përpiqet të pengojë të ardhmen e vendit. Sipas tij, opozita i ka ngritur Shqipërisë një mur që i pengon asaj çeljen e negociatave, pasi ka bllokuar ligjin e Vetting-ut. Për këtë arsye, ai i ka bërë thirrje votuesve të opozitës që të ushtrojnë presion mbi lidershipin e PD për të zhbllokuar ligjin në fjalë.
Pas kësaj deklarate të Ramës ka ardhur dhe reagimi i kreut të opozitës Lulzim Basha lidhur me vetingun.
Lulzim Basha e quajti Vettingun pretekst të Edi Ramës për të justifikuar atë që ai e quajti si “dështim të tij”, ndërsa dha edhe një rrugëzgjidhje për këtë ligj, zgjidhje që shmang Gjykatën Kushtetuese.
“Lidhur me Vettingun unë dhe Partia Demokratike jemi gati të amendojmë ligjin pa patur nevojë që të presim Gjykatën Kushtetuese. Kushtetuta thotë që Vettingun duhet ta bëjë Kuvendi, kurse Edi Rama do ta bëjë ai vetë. Ai e ka Vettingun pretekst për të mbuluar dështimin e tij. Zgjidhja është e thjeshtë dhe mund të bëhet që tani duke respektuar Kushtetutën e vendosur me konsensus”, deklaroi në një konferencë për mediat, kreu i PD.
Basha tha se qeveria po krijon armiq imagjinarë në Perëndim për t’iu shmangus, sipas tij, gjendjes së krimit dhe drogës në vend.
Reagimi i kreut demokrat mbërriti pas fjalës së mbajtur nga Kryeministri Edi Rama pas kthimit nga vizita në Gjermani dhe takimit që pati atje me Kancelaren Angela Merkel.
FJALA E PLOTE E BASHES
Muri që mban të izoluar Shqipërinë është muri i krimit, i drogës dhe i korrupsionit qeveritar. Eshtë mungesa e zgjedhjeve të lira dhe të ndershme.
Shqetësimi kryesor i liderëve europianë për Shqipërinë është depërtimi i krimit në politikë, droga dhe korrupsioni. Kjo, i është bërë e qartë Edi Ramës nga çdo politikan që ka takuar, pa asnjë përjashtim, më është bërë e qartë edhe mua si kryetar i opozitës.
Shikoni mediat shtetërore italiane, gjermane, zvicerane, austriake, britanike, për të kuptuar se çfarë e shqetëson realisht Europën.
Ndaj në emër të opozitës kam një thirrje të thjeshtë për Edi Ramën:
Qepe!
Mjaft më me sulmet e turpshme prej Don Kishoti ndaj politikanëve më të lartë nga Amerika në Austri, në Gjermani, në Hollandë, në Greqi e kudo.
Mjaft më, duke shpallur armik opozitën dhe shumicën e popullit tënd!
Nuk do të ketë kurrë paqe dhe përparim për Shqipërinë me drogë, krim dhe kriminelë në politikë.
Nuk do të ketë paqe as për ty nëse vazhdon të fshehësh dhe mbështesësh drogën dhe krimin.
Në lidhje me vetingun i bëj thirrje Edi Ramës që të amendojmë ligjin pa pasur nevojë për vendimin e Gjykatës Kushtetuese. Unë jam gati që tani.
Kushtetuta thotë se vetingun duhet ta bëjë Kuvendi, kurse Edi Rama do që vetingun ta bëjë ai vetë me drejtorët dhe vartësit e tij.
Arsyeja është e qartë. Si do ta mbrojë ndryshe krimin dhe korrupsionin.
Edi Rama nuk do zgjidhje për Vetingun. Ai e ka vetingun pretekst për të mbuluar dështimin e tij. Sepse zgjidhja është e thjeshtë dhe mund të bëhet menjëherë, që sot, që tani, duke respektuar Kushtetutën e votuar me konsensus.
Ai vetë kryeministri, nuk ka nevojë të presë vetingun për të bëjë pjesën e tij. Nëse Edi Rama do vërtet pastrimin e politikës dhe drejtësisë nga krimi dhe korrupsioni, le të shkarkojë që sot Elvis Roshin i dënuar për përdhunim dhe trafik droge nga drejtësia e Italisë dhe e Zvicrës.
Për aq kohë sa Edi Rama mban në politikë Rroshin, Bushin, Prengën, dhe kriminelët e tjerë, përbetimet e tij për drejtësi dhe veting janë përralla.
Unë, Partia Demokratike dhe çdo shqiptar i ndershëm e duam Shqipërinë në Europë. E duam Shqipërinë si gjithë Europa. Pa krim, pa korrupsion dhe me zgjedhje të lira e të ndershme.