Basha: Reforma zgjedhore, prioriteti numër 1. Nuk bëhemi pjesë e tavolinave të errëta

Kreu i PD-së, Lulzim Basha deklaroi sot se reforma zgjedhore është prioriteti numër një dhe duhet të miratohet sa më parë. Në një konferencë për mediat, Basha tha se propozimet e opozitës janë në tavolinë dhe PS-ja nuk duhet të vonohet më. Ai tha se reforma u hap rrugën zgjedhjeve të parakohshme, parlamentare dhe vendore.

Prioriteti numëri 1 është miratimi i menjëhershëm i reformës zgjedhore, që i hap rrugë zgjedhjeve të parakohshme parlamentare, në një ditë me zgjedhjet vendore, me standard dhe garanci për votën e lirë, për t’ dhënë fund fenomenit të shitblerjes së votës, përdorimit të krimit dhe parave të pista të krimit dhe për të ndëshkuar krimin elektoral, që janë tre kushte të tjera të Bundestagut gjerman për të hapur negociatat me Shqipërinë”,- deklaroi Lulzim Basha.

Kreu i PD-së tha se propozimi i opozitës është në tavolinën e PS dhe qeveria duhet ta pranojë ose ta refuzojë. Basha tha se problemi i zgjedhjeve nuk është sistemi, por vjedhja e tyre dhe futja e elementëve kriminalë.

Ne kemi dhënë propozimet tona. Prej shtatorit opozita i prin këtij procesi, ndërkohë që ka kaluar afati, që ishte afati i dhjetorit. Jemi në pritje të PS së Ramës. Por kjo pritje ka fund. Pasi do të marrim përsipër fatin e shqiptarëve. Nuk mund të jemi pjesë e një procesi të tavolinave të mbyllura dhe të errëta, por duhet të jetë pjesë e një diskutimi që garanton zgjedhje të lira dhe të ndershme. S’ka ndryshuar asgjë, asnjë presje. Këtu prevalon vullneti politik. Për sa kohë Rama vazhdon që të mbështesë karrierën politike tek kriminelët, për sa kohë zbulohen ata, dhe ai vazhdon të kruajë mjekrën, harrojeni se këtu do të ketë zgjedhje të lira dhe të ndershme. Shqipëria ka nevojë për një qeveri të papërlyer. Asnjë sistem nuk ka për të garantuar zgjedhjet, nëse nuk ndëshkojmë krimin elektoral të transmetuar nga VOA, apo dhe BILD. Dje jeni njohur me një tjetër kryebashkiak të përfshirë në krim, si ai i Mallakastrës”.

Ai deklaroi se qeveria nuk duhet të humbasë më kohë më reformën, pasi kërcënohet procesi i integrimit të vendit në BE. “Nuk duhet humbur asnjë moment për të përmbushur kushtet e Bundestagut, që janë e vetmja rrugë për të hapur negociatat, për ta bërë Shqipërinë anëtare të BE. Është e vetmja rrugë për të thithur fonde nga BE dhe për t’i mirëadminsitruar ato në drejtim të nevojave akute, siç janë ato të shkaktuara nga tërmeti i 26 nëntorit, në drejtim të bujqësisë në drejtim të biznesit, në drejtim të shëndetësisë, të arsimit dhe kudo tjetër”,- tha Lulzim Basha.

 

SHKARKO APP