Basha: Rexhepi e di se po vodhi zgjedhjet, Edi Rama e lë të bëjë çfarë të dojë
Ditën e sotme, në seancën gjyqësore të Rexhep Rraja, djali i deputetit socialistë që akuzohet për dhunë ndaj Xhisiela Maloku bëri përshtypje deklarata e të arrestuarit. Rexhep Rraja nuk bëri asnjë koment për akuzat për dhunë dhe përdhunim, as për familjen e tij apo opinioni. Rraja pati vetëm një mesazh për kreun e Partisë Demokratike duke thënë se përgjigjen do ta marrë në zgjedhjet e ardhshme. Është ndër rastet e rralla kur një i akuzuar për përdhunim shqetësohet për zgjedhjet e ardhme politike dhe problemin nuk e sheh të shkelja e ligjit, por të kreu i opozitës.
Ndaj kësaj deklarate të të dyshuarit për përdhunim ka reaguar kreu i PD-së, Lulzim Basha. Në një deklaratë për mediat, Basha shprehet “para se të kthehej në përdhunues dhe torturues vajzash, Rexhep Rraja ishte dhunues zgjedhjesh. Rexhep Rraja dhe kriminelët e tjerë sollën në pushtet Edi Ramën, dhe pushteti i Edi Ramës e mbrojti atë nga dalja para drejtësisë për vjedhjen e votave. Pushteti që i ati dhe Edi Rama mbajnë me votat e vjedhura, e mbrojtën Rexhepin edhe kur përdhunoi“.
Kreu i PD-së shton se mesazhi që Rexhep Rraja dhe Rilindja jep është se nëse vjedh zgjedhjet mund të bësh çfarë të duash në këtë vend. “Ishte denoncimi dhe presioni i shoqërisë dhe opozitës që e çuan Rexhepin në sallën e gjyqit. Prandaj Rexhepi është i habitur që ndodhet atje dhe kërcënon se do hakmerret kundër opozitës duke i vjedhur prapë zgjedhjet. Sepse Rexhepi e di mirë se kur vjedh zgjedhjet je zot që mund të bësh çfarë të duash, të grabisësh të përdhunosh të vrasësh. Që Rexhepi të mos dhunojë më, duhet që Edi Rama të mos ketë më pushtet!“,- deklaron kreu i Partisë Demokratike.