Basha: Shembja e Teatrit, vepër banditësh. Rama: Godina ka marrë fund

Kuvendi ka miratuar me 75 vota pro dekretin e Presidentit Ilir Meta për godinën e Teatrit, pa praninë e opozitës. Pavarësisht kundërshtive të opozitës, e cila u mblodh ditën e sotme në Vlorë, mazhoranca e kaloi dekretin e Metës bashkë me amendamentet e ndryshuara.

Votimi i dekretit të presidentit për Teatrin Kombëtar ka qenë tema kryesore zhvillimeve politike. Opozita është mbledhur në Vlorë ku ka diskutuar për situatën politike dhe konkretisht aksionin për mos shembjen e godinës aktuale të Teatrit Kombëtar.

Lulzim Basha e cilësoi si vepër banditësh ligjin e qeverisë që synon prishjen e godinës ekzistuese. “Ndërsa ne jemi mbledhur në këtë sallë, në sallën e Kuvendit të Shqipërisë një mazhorancë e korruptuar dhe inkriminuar deri në palcë po ndërmerr një akt të paprecedentë në historinë 300 vjeçare të Europës. Edi Rama dhe hajdutët dhe kriminelët e tij në parlament bashkë me një luftë delesh u kapën flagrant në aktin e vjedhjes përmes procedurës së përshpejtuar dhe ligjit special Rama-Fusha për grabitjen e pronës publike dhe Teatrit Kombëtar me qëllim që së bashku me mafien e drogës dhe përfaqësuesit e tyre në industrinë e ndërtimit të ngrinin 7 kulla me një vlerë 200 milion eurash. Nga Uashingtoni në Bruksel nuk ka njeri që se kupton më që Edi Rama është hajdut me damkë, qëllimi i vetëm i të cilit është të mbahet pas karriges për të zhvatur edhe centin e fundit dhe pasurinë e fundit publike të shqiptarëve“,- deklaroi kreu i Partisë Demokratike.

E pranishme në tryezën e opozitës, kryetarja e LSI-së e cilësoi ligjin për Teatrin si një vjedhje të pastër dhe shkelje të rëndë kushtetuese.

Ndërkohë kreu i qeverisë, Edi Rama i është përgjigjur akuzave të kreut të PD-së Lulzim Basha të bëra nga Vlora ndaj qeverisë. Lidhur me teatrin, Rama tha se godina aktuale ka marrë fund dhe duhet patjetër ndërhyrje serioze që vendi të mos mbetet pa Teatër Kombëtar.  Rama ka nxjerrë edhe një shkresë surprizë nga foltorja. Ai tha se në kohën kur Basha drejtonte Bashkinë e Tiranës, Florion Mima i kishte dërguar një shkresë ku kërkonte privatizimin e Teatrit të Metropolit për llogari të një deputeti të PD. “Ajo që më nxori këtu është një shkresë të cilën Florian Mima, ministër i Ekonomisë ja dërgon Lulzim Bashës kryetar i bashkisë e çfarë i kërkon. I kërkon privatizimin e Teatrit të Metropolit, në kllapa shënon Floriana Teatri i Estradës për llogari të deputetit Astrit Veliaj. I vetmi aset kombëtar në dispozicion të bashkisë së Tiranës i transformuar nga një kafene e degraduar në një teatër të metropolit para se Basha të shkonte në bashki çohet për privatizim jo për PPP as për të ndërtuar një teatër të ri të metropolit në këmbim të kontributit të zotit Veliaj dhe në funksion dhe të një përfitimi legjitim të zotit Veliaj pasi të investonte për teatrin e ri por për t’u privatizuar për pallat”,- deklaroi Rama.

Parlamenti pritet të votojë sot amendimet e ligjit të Teatrit duke i hapur rrugën ndërtimit të projektit të ri.

Kryedemokrati Basha i është përgjigjur menjëherë akuzave të Ramës në Kuvend se Basha kishte privatizuar teatrin “Metropol”. “Kryehajduti kërkon skutave për shkresa të pavlera. Teatri i Metropolit është aty! Kinema 17 Nëntorin, Kinema Republikën, kinema Partizanin, kinema Ali Demin, i ka shkatërruar Rama dhe ka ndërtuar pallate”, shkroi Basha në “Twitter”.

SHKARKO APP