Basha shpërthen kundër Ramës: “Gomar e zog gomari! Po bën shtet leshi!”

Kreu i Partisë Demokratike, Lulzim Basha ka shpërthyer sot në akuza dhe fyerje ndaj kreut të mazhorancës, Edi Rama. Fjalor i ashpër.

Në fjalimin e mbajtur në çadrën e PD-së, Basha ka akuzuar kryeministrin si mashtrues dhe vjedhës të fondeve publike për miqtë e tij. Basha tha se “Edi Rama po ndërton një shtet leshi”.

Por akuzat e Bashës kanë kaluar edhe në plan personal ndaj Ramës. Kreu i PD-së është ndalur në një lajm të publikuar dje në media, i cili është postuar dhe nga kryeministri Edi Rama në Facebook. Sipas këtij informacioni, si pasojë e reformave të Qeverisë “Rama”, Luzlim Basha paguan më pak fatura energjie sesa në kohën kur qeveriste Partia Demokratike.

Por ky informacion i publikuar nga Edi Rama ka sjellë dhe reagimin e Lulzim Bashës. “Po pse mor gomar dhe zog gomari, për vete kam dalë unë këtu në shesh. Unë kam dalë për qytetarët dhe për vendin”,- tha Basha.

Kreu i PD-së shkoi dhe më tej duke akuzuar mazhorancën për nxjerrje informacioni personal. “Të dhënat e faturave janë personale dhe duhet leje për publikimin e tyre. Unë nuk e kam problem se u publikuan, nuk kam asgjë për të fshehur, por e kupton çfarë shteti leshi kemi”,- u shpreh Basha.

Në fund të fjalimit të tij me akuza dhe fyerje personale, kreu i PD-së lëshoi dhe një mesazh politik. “Nuk ka asnjë tërheqje, qeveri teknike është kusht i panegociueshëm për zgjedhje të lira dhe të ndershme”,- tha Basha.

Me këtë fjalor dhe fyerje ndaj njeri tjetrit zor se kemi ulje në tavolinë për marrëveshje. Me sa duket po shkojnë drejt përplasjes me 7 maj në Kavajë, me popull.

SHKARKO APP