Basha: Vitin tjetër jemi në pushtet. Rrugën e Arbrit do e përfundojmë ne
Kryetari i Partisë Demokratike Lulzim Basha prezantoi sot në Dibër kandidatin e opozitës për kreun e Bashkisë, Sherefedin Shehu.
Kreu i PD-së ka treguar dhe arsyet se përse zgjodhi Shehun si kandidat në këtë bashki.
“Sot kam një arsye të re, kam një emër që shpreh respektin tim dhe respektin e PD dhe gjithë opozitës së bashkuar, Sherefedin Shehun, kandidatin tonë të përbashkët. Është një profesor që ka nderuar Shqipërinë në Amerikë dhe gjithë botën. Dibra do të ketë kryetarin e Bashkisë më të ditur, më me përvojë, më të zotin me më të respektuarin se çdo qytet tjetër të Shqipërisë. Mbi të gjitha do keni një njeri të ndershëm, përfaqëson shqiptarin e fortë, dibranin me karakter që pushteti dhe politika nuk e kanë prishur, nuk e kanë korruptuar por përkundrazi e kanë rritur si një figurë publike më të aftë, më të gatshëm”,- tha Basha.
Kreu i PD-së është ndalur dhe në pretimet e kryeministrit Edi Rama për ndërtimin e Rrugës së Arbrit. Basha tha se ky projekt është nisur nga Partia Demokratike dhe do të përfundohet po nga ajo.
Gjatë fjalimit të tij, Basha u shpreh se vitin tjetër, Partia Demokratike do të jetë në pushtet.
“Kandidojmë me një program konkret, boshtin e të cilit Sherefedini e shpalosi gjerë e gjatë para jush. Ai zgjodhi të shërbejë në Dibër. Kam ndjekur me kënaqësi programin, dhe nesër ju jap fjalën si Kryeministër do mbështes çdo projekt të Sherefedin Shehut. Vitin tjetër Partia Demokratike është në pushtet. Punët i bitis ai që i nis. Ne që e nisëm ne do ta përfundojmë rrugën e Arbrit. Ne e filluam rrugën e Arbrit. Ne dhamë paratë nga buxheti i shtetit. Fatkeqësia e Dibrës, fatkeqësia e rrugës së Arbrit është Rilindja”,- u shpreh kreu i PD-së Lulzim Basha.