Bashkia e Beratit i jep titullin “Qytetare Nderi” presidentes kroate

Presidentja e Kroacisë Kolinda Grabar-Kitarović u shpall sot “Qytetare Nderi” nga Këshilli Bashkiak i qytetit të Beratit. Zyrtarja e lartë kroate u vlerësua me motivacionin: “Personalitetit i shquar i politikës rajonale e më gjerë, model frymëzimi, humanizmi, solidariteti si dhe përfaqësues e një populli mik që çmon dhe vlerëson kontributin e shqiptarëve për lirinë duke ndërtuar ura bashkëpunimi, tolerance, mirëkuptimi dhe paqeje midis popujve”.

Në ceremoninë për nder të presidentes kroate ishte i pranishëm dhe kreu i shtetit, Ilir Meta. Presidenti Meta duke iu drejtuar të pranishmëve, theksoi se vizita në këtë qytet të përfshirë në trashëgiminë botërore të UNESCO-s dhe shpallja e Presidentes kroate “Qytetare Nderi” nga Beratit është një tregues mjaft domethënës jo vetëm i lidhjeve të lashta mes dy vendeve e popujve, por edhe një ilustrim i marrëdhënieve të shkëlqyera e miqësisë së ngushtë mes shqiptarëve dhe kroatëve.

Presidentja e Kroacisë, Kolinda Grabar-Kitarovic teksa falënderoi për nderimin që iu bë duke e ndjerë veten tashmë bashkëqytetare me të gjithë beratasit, nënvizoi faktin se miqësia dhe bashkëpunimi mes Kroacisë dhe Shqipërisë, midis kroatëve dhe shqiptarëve, është më e fortë se kurrë.

“Kjo gjë i shërben jo vetëm brezave tanë të rinj, që do të bëhen udhëheqësit e së nesërmes, por edhe rrugëtimit tonë evropian, së ardhmes sonë të përbashkët në Bashkimin Evropian, si dhe rajonit e kontinentit tonë  gjithashtu”, u shpreh mes të tjerash Presidentja e Kroacisë.

Presidentja kroate dhe delegacioni që e shoqëronte atë u njoh nga afër me vlerat turistike dhe trashëgiminë historike të këtij qyteti.  Presidentja kroate vizituar ndërtesat e veçanta të Beratit, si dhe ka vlerësuar trashëgiminë kulturore të këtij qytetit.

Presidenti Meta pas vizitës në Berat shkruan në profilin e tij në facebook se “Qytetarja më e re e qytetit të lashtë të Beratit, Presidentja e Kroacisë, Kolinda Grabar-Kitarović. Qytetare e Nderit e vendit të ikonografit të famshëm mesjetar Onufri, e qytetit të një mbi një dritareve dhe perlës së trashëgimisë botërore të UNESCO-s.”

SHKARKO APP