Bashkia:Nis çmontimi i depozitave të ujit tek “Ali Demi” e “Kodra e Priftit”
Zona e Ali Demit dhe Kodra e Priftit ne Tirane do të jenë dy zonat e para ku do të nisë çmontimi i depozitave të ujit në kryeqytet. Kreu i bashkisë së Tiranës Erjon Veliaj bëri me dije nisjen e këtij aksioni pas nënshkrimit të marrëveshjes mes ujësjellësit dhe USAID për përmirësimin e shërbimeve në këtë sektor jetik për qytetarët e Tiranës.
Në ceremoninë e firmosjes së marrëveshje me USAID per modernizimin e UKT, të zhvilluar paraditen e sotme, kryetari i bashkisë tha se këtë javë do të promovohet projekti pilot i furnizimit me ujë gjatë 24 orëve në zonën e “Ali Demit” dhe në “Kodrën e Priftit”, dhe që shoqërohet me heqjen e depozitave.
Erion Veliaj: Kësaj javë do të promovojmë disa zona, në zonën Ali Demi dhe Kodra e Priftit dhe në disa zona të tjera do të nisë çmontimi i depozitave. Ky është lajm i shumëpritur prej 25 vitesh. Një nga konfliktet më të mëdhaja që marrim nga banorët është se kush dhe ku e vë depozitën.
Depozitat na shëmtojnë qytetin estetikisht por janë dhe burim infeksionesh. Mezi pres këtë javë që ne të nisim promovimin e disa prej këtyre zonave dhe qytetarët të furnizohen 24 orë me ujë. Mezi pres të nisë ky projekt për ta mbyllur këtë mandat me një situatë shumë herë më të pranueshme me furnizimin me uji të Tiranës.
Ndër të tjera, Veliaj paralajmëroi nisjen e një aksioni për lavazhet që punojnë me ujë të pijshëm dhe foli për shkarkimet masive ne Ujësjellës.
Veliaj: Kemi pasur qindra e qindra punonjës që nuk vinin fare në punë. Kemi pasur për një sahat dy faturistë. Kjo është pa sens. Këtu jemi që të sigurojmë një kompani të qëndrueshme dhe ta menaxhojmë me të gjitha parametrat e një tregu konkurrues dhe jo të kthehemi në një parking politike.
Drejtori i Ujsjellës-Kanalizimeve prezantoi projektin e ri i cili do ti japë fund mbifaturimeve.
Redi Molla: UKT përballet çdo ditë me sfidën e përdorimit të sistemit të faturimit, i cili nuk është në gjendje të përpunojë të dhënat aktuale, duke krijuar probleme në faturim. Nuk është fleksibël dhe shumë procedura bëhen manualisht. Tashmë, me zgjerimin e zonave të shërbimit është e pamundur që ky sistem të përballojë përpunimin e të dhënave. Ndaj, për të ndryshuar situatën do të fillojmë një projekt bashkëpunimi me USAID dhe Bashkinë Tiranë në lidhje me aplikimin e një sistemi të ri faturimi dhe kontabiliteti.
Kryebashkiaku Erjon Veliaj njoftoi se tashmë të gjitha taksat e bashkisë do të përfshihen në faturën e ujit.
Veliaj: UKT e gjetëm me 60 mln euro borxh. Humbjet në rrjet 70%
60 ml euro ka qenë borxhi i kompanisë së Ujësjellës Kanalizimeve në Tiranë. Kryetari i Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj duke u ndalur tek problemet e furnizmit me ujë të pijshëm, tha se humbjet në rrjet kanë qenë 70%. Ndërsa fal punës së administratës së re Veliaj tha se humbjet janë ulur me 2%.
Veliaj: Kemi gjetur një komani që ka pasur borxhe 60 mln euro. Borxhet e Ujësjellësit janë sa dy fishi i bashkisë. Kjo është arsye pse kjo kompani ka një gjendje financiere të vështirë. Ne kemi dhe një situatë skandalozë për humbjet në rrjet. 70% e ujit që shkon në rrjetin e UKT humbet në sistem, tubacione, kryesisht kur kalon në Kamëz dhe Paskuqan.
Sot situata ka ndryshuar. Humbjet janë ulur 2% dhe është shtuar me 2 orë furnizmi me ujë. Ambicja është shumë larg.
Të njëjtën gjë kemi pasur edhe me taksat lokale, administrate e kaluar nuk ka mbledhur taksat. 7 % ka qenë mbledhja e taksës së pronës. Taksa e pronës është 15 lekë për m2 për apartamentet që janë ndërtuar para vitit 1993.