BE mbyll kufijtë për Shqipërinë

Vendet anëtare të Bashkimit Europian kanë miratuar të premten në mbrëmje listën e vendeve me të cilat do të hapen kufijtë e BE pas datës 1 korrik. Në listën e publikuar nga gazeta më e madhe franceze “Le Monde” mungon Shqipëria. Nga 6 vende të rajonit kufijtë e BE hapen vetëm për Serbinë dhe Malin e Zi. Dokumenti është miratuar nga Komiteti i Përfaqësuesve të Përhershëm (Coreper), i cili përbëhet nga ambasadorët e vendeve anëtare të Bashkimit Evropian (BE). Vendimi final për kufijtë do të merret gjatë fillimit të kësaj jave. Nëse nuk do të ketë ndryshim të minutës së fundit për listën e shteteve, qytetarët e të cilëve nuk do lejohen të hyjnë në BE, Shqipëria rrezikon të izolohet gjatë kësaj vere me vendet anëtare të unionit.

Veç vendeve të rajonit dhe Shqipërisë nga lista vijojnë të mbeten kufijtë të mbyllur për qytetarët edhe me Shtetet e Bashkuara, Rusia, Izraeli, Turqia dhe Arabia Saudite. Sipas mediave europane arsyeja e këtij vendimi lidhet me situatën e koronavirusit. Dy javë më parë Shqipëria dhe gjithë vendet e tjera të rajonit ishin në listën e shteteve me të cilat BE do të hapte kufijtë pas datës 1 korrik. Zyrtarisht nuk ka asnjë njoftim që se cilat janë arsyet që nga gjashtë vende të Ballkanit, udhëtimi do lejohet vetëm për Serbinë dhe Malin e Zi dhe jo për Shqipërinë, Kosovën, Maqedoninë e Veriut dhe Bosnje Hercegovinën. Në median franceze shkruhet se vendimi është bazuar në shkallën e infektimin, testimet dhe rregullat e parandalimit të infektimeve me koronavirus. Në shifrat zyrtare të publikuara nga qeveria, Shqipëria renditet me mirë se Serbia për numrin e infektimeve, viktimave dhe situatë së përgjithshme nga koronavirusi. Serbia ka si mesatare 31 vdekje për një milionë banorë, ndërsa Shqipëria 19. Po ashtu dhe numri i infektimeve në ditë në Shqipëri është më i ulët se në Serbi dhe vende të tjera. Nga analiza e shifrave vendimi i BE për kufijtë nuk ka bazë për Shqipërinë. I vetmi argument për Shqipërinë duket se lidhet me besueshmërinë e shifrave për koronavirusin. Duket se institucionet e BE nuk i llogarisin si të sakta numrin e testimeve, infektimeve dhe viktimave që prezanton zyrtarisht kabineti “Rama”. Rritja e madhe e  infektimeve gjatë javës së fundit mund të ketë ndikuar dhe në këtë vendim të institucioneve të BE. Vendimi i BE nuk është komunikuar në mënyrë zyrtare dhe mbase para datës një korrik Shqipëria mund të dalë nga lista e zezë. Në të kundërt, bllokimi i kufijve do të ishte një goditje e rëndë për qytetarët shqiptarë dhe ekonominë e vendit. Futja në listën e zezë të Shqipërisë do të penalizontë në mënyrë të padrejtë qindra mijë shqiptarë që presin të udhëtojnë për punë apo arsye të tjera në vendet e BE. Ndërkohë që ky vendim do të ketë efekte shkatërruese për turizmin vendas. Edhe pse një pjesë e vendeve të BE kanë politika të ndryshime për hyrjen në kufijtë kombëtare, mbetja e Shqipërisë në zonën shteteve problematike me koronavirusin do të largojë dhe interesin për turizmin.

Goditja e BE vjen dhe në kohën kur kryeministri Edi Rama e quan menaxhimin e situatës së koronavirusit si histori suksesi ndërkombëtare. Nga ajo që po gatuhet në BE, rezulton se jemi dështim spektakolar. Shifrat e Edi Ramës duket se nuk i beson më askush ndaj s’na mbetet veçse të shpresojmë se deri në datën 1 korrik BE të ndryshojë mendim për të mos bllokuar kufijtë.

Mili Xhani

 

 

 

 

 

 

 

SHKARKO APP