Ben Blushi: Eshtë Lulzim Berisha që ka punësuar Vangjush Dakon në Bashki
[youtube url=”https://www.youtube.com/watch?v=PwUcgXoRg4M” width=”560″ height=”315″]
Nga Ben Blushi.
FORMULARI I RILINDJES !
Amerikanët thonë se Gjushi i ka premtuar Gjykatës të punësojë Lul Berishën në Bashkinë e Durrësit. E kanë gabim. Lul Berisha e ka punësuar Gjushin ne Bashkinë e Durrësit. Pra ky i fundit e ka plotësuar Formularin e Punës që ndryshe njihet si Formulari i Rilindjes. Para Gjushit të njëjtin Formular e ka plotësuar Elvis Roshi, Arben Ndoka, Mark Frroku, Klement Balili dhe shumë shokë të tjerë të Edi Ramës që janë ende në parlament.
Ja pra pse nuk bëhet Vetingu për gjyqtarët: që të lirohen të gjithë nga burgu. Kush do të kuptojë pse s’na pranojnë në Europë të lexojë Formularin e Rilindjes!
Kundërpërgjigjet Vangjush Dako, kryetar i Bashkisë së Durrësit:
Vangjush Dako për ndihmën që ai i dha Lulzim Berishës të dalë nga burgu, duke i siguruar punë në bashk ka thënë: Eshtë një punë vullnetare, nuk është punë me pagesë. Nuk ka ardhur ende referimi nga gjykata. Kemi mbajtur një qëndrim korrekt si me të gjithë të burgosurit. Lul Berisha do të angazhohet në një nga ndërmarrjet e bashkisë si vullnetar. Bashkia ka përdorur procedura standarde si për të gjithë të burgosurit”.
Vangjush Dako është nën akuzë nga Zëri i Amerikës dhe BIRN se doli garant për të liruar nga burgu kreun e një prej bandave më famëkeqe në vend, i cili u arrestua nën akuzën për vrasjen e 5 personave dhe krijim të organizatës kriminale.
Dako nuk tha se ç’punë do të bëjë Lul Berisha, si janë orarët dhe si do të mund të punojë ai në komunitet i lirë, kur mbi të rëndojnë 5 vrasje dhe ai mund të jetë objekt hakmarrjeje.
Kryetari i Bashkisë së Durrësit foli për procedura standarde si për të gjithë të burgosurit e tjerë. Por a është Lulzim Berisha si të gjithë të tjerët? Ai u dënua me burg për jetë si person me rrezikshmëri të lartë, një vendim që u ul në 25 vjet me procedura gjyqësore.
Në opinionin publik janë ngritur dyshime të forta mbi vendimet e të gjithë gjyqtarëve që gjykuan Lul Berishën, e së fundi edhe mbi garancinë e ofruar nga Vangjush Dako që i dënuari për 5 vrasje të përfitojë lirinë, vetëm pas 10 vjetësh burg.
Kryetari i Bashkisë, Dako: Lirojeni, Lul Berishën. E punësoj unë në Bashki !
Në foto : Edi Rama duke iu kërcënuar Vangjush Dakos: Ç’na bëre o Gjushi, ç’na bëre!
Bashkia e Durrësit:”Është një procedurë rutinë nga Bashkia”, kurse Ambasadori Amerikan Lu është tmerruar nga ky vendim i gjykatës
Një investigim i “Zërit të Amerikës” dhe BIRN ka publikuar të plotë vendimin e gjykatës për lirimin nga burgu të Lulzim Berishës, i njohur si kreu i Bandës së Durrësit dhe i dënuar me 25 vjet burg. Më parë është dënuar me burgim të përjetshëm. Por ka përfituar nga mekanizmat ligjor. Investigimi, veç fakteve dhe dyshimeve për vendimet e disa gjyqtarëve që kanë shqyrtuar në vite dosjen e Lulzim Berishës nxjerr një fakt të çuditshëm. Vetë Kryetari i Bashkisë së Durrësit, Vangjush Dako i ka kërkuar lirimin nga burgu të Berishës, duke garantuar dhe punësimin e tij.
Ky fakt gjendet i pasqyruar në vendimin e Gjykatës, ku Bashkia e Durrësit e drejtuar nga Dako ka lëshuar një karakteristikë familjare për Lulzim Berishën. “Bashkia Durrës, duke vlerësuar gjendjen e kësaj familjeje, sjelljen e tyre në komunitet, si dhe mundësinë e lirimit të të dënuarit, garanton punësimin e të dënuarit Lulzim Berisha, në pamundësi për t’u punësuar në ndonjë subjekt privat”,- citohet në shkresën Vangjush Dakos, e cila është përfshirë në vendimin e lirimit të Lulzim Berishës.
Një kërkesë e tillë përbën një precedentë të rrallë në historinë e vendimeve të gjykatave të vendit. Vetë Dako nuk ka pranuar ta komentoj këtë dokument pasi është bërë publik. Vonë në darkë nga zyrat e Bashkisë ka dalë një deklaratë e shkurtër ku thuhet se kjo është një procedurë rutinë kur ka lirime me kusht. Por një rast i tillë përveç habisë duket se ka edhe efekte ligjore. Ligji i dekriminalizimit parashikon që të largohen nga administrata persona që kanë kryer qoftë edhe një vepër penale të zakonshme. Me shkresën e Kreut të Bashkisë së Durrësit Vangjush Dako konfirmohet e kundërta, u ofrohet punë edhe të dënuarve që me vendim gjykata akuzohen për disa krime të rënda dhe fillimisht janë dënuar me burgim të përjetshëm.
Investigimi: Lirimi i Lulzim Berishës, vendimet e gjykatave dhe rekomandimi i Bashkisë së Durrësit
Lirimi me kusht i ish- kreut të së ashtuquajturës “Banda e Durrësit” është përcjellë me akuza për korrupsion në radhët e gjyqësorit në Shqipëri, si nga faktorët vendas ashtu edhe nga përfaqësues ndërkombëtarë. Megjithatë, të dhënat e siguruara nga BIRN tregojnë që liria e parakohshme e Lulzim Berishës, nuk ka ardhur vetëm si pasojë e vendimeve të debatueshme të gjykatave, por edhe nga një oferte për punë nga kryetari i Bashkisë së Durrësit, Vangjush Dako. Materiali i mëposhtëm është një bashkëpunim i Zërit të Amerikës me rrjetin investigativ BIRN
Me 5 dhjetor, ish- kreu i “Bandës së Durrësit” Lulzim Berisha, i dënuar për pesë vrasje dhe disa atentate u lirua me kusht nga Gjykata e Apelit Durrës. I dënuar fillimisht me burgim të përjetshëm nga Gjykata e Krimeve të Rënda në vitin 2012, dënimi i Berishës u reduktua në 25 vjet burg ne vitin 2014 nga një vendim i Gjykatës së Lartë. Por edhe nga ky dënim, i akuzuari për vrasje dhe pjesëmarrje në grupe kriminale, ka kryer fizikisht 10 vjet e tetë muaj burg që nga arrestimi i tij i 6 prillit 2006.
Në foto: Lulzim Berisha.
Lulzim Berisha ka përfituar nga një seri e gjatë vendimesh gjykate të debatueshme dhe shpesh kontradiktore për ulje dënimi si dhe nga ligji i vitit 2012 për amnistinë. Një tjetër faktor që ndikoi në reduktimin e dënimit të tij është zgjatja për vite të tëra e procesit gjyqësor, ku një ditë në qeli si i paraburgosur llogaritet me 1.5 ditë burg. Pasi i shpëtoi burgimit të përjetshëm në vitin 2014, Lulzim Berisha i drejtoi Gjykatës së Durrësit një lumë kërkesash për ulje dënimi.
Më saktësisht, në shtator të vitit 2015, me vendim të gjyqtares Shpëtime Pitaku, dënimi i Berishës për periudhën 2006-2015 është ulur me 1 vit e 11 muaj burg.
Më tej, me 19 prill 2016, me vendim të gjyqtarit Tritan Hamitaj, Lulzim Berisha ka fituar një ulje dënimi prej 90 ditësh për periudhën prill 2015 –prill 2016, edhe pse ligji parashikon se të dënuarit në burgjet e sigurisë së lartë nuk mund të përfitojnë më shumë se 45 ditë ulje dënimi gjatë një viti. Me 11 maj të këtij viti, me vendim të gjyqtarit Fejzo Hysi, Berisha ka përfituar nga amnistia e vitit 2012 edhe 1 vit e gjysmë ulje dënimi, edhe pse ligji i amnistisë e mohon kategorikisht këtë të drejtë për të dënuarit me vrasje.
Ndërsa me 1 dhjetor, gjyqtarja Eda Kaja ka dhënë një vendim tjetër, duke i ulur edhe 45 ditë burg nga periudha e vuajtjes së dënimit Lulzim Berishës. Vendimet e marra nga gjyqtarët Kaja dhe Hamitaj janë në kontradiktë me njëri tjetrin për masën e uljes së dënimit dhe të mbivendosura në kohë. Lulzim Berisha e ka kërkuar lirinë me kusht që në mesin e vitit 2016, por Gjykata e Durrësit e ka hedhur poshtë me 28 korrik, duke argumentuar se ai nuk i kishte kryer akoma ¾ e dënimit prej 25 vjetësh, me gjithë uljet e përfituara deri në atë kohë.
Megjithatë, Gjykata e Apelit vendosi më 5 dhjetor se kjo kohë është përmbushur pas vendimit të uljes së dënimit me 45 ditë në 1 dhjetor nga gjyqtarja Eda Kaja. Sipas gjykatës, në përllogaritjet e bëra me datë 2 dhjetor, me uljet e përfituara edhe nga vendimi i fundit i shkallës së parë, Berisha kishte vuajtur virtualisht 18 vite e 9 muaj heqje lirie dhe i mbeteshin edhe 6 vite e 2 muaj burg, duke përmbushur kriterin bazë të lirimit me kusht.
Trupa e udhëhequr nga gjyqtari Arben Vrioni si kryesues, dhe anëtarët Petrit Çano dhe Anita Mici ka vendosur ta lirojnë me kusht Berishën, pasi kanë gjykuar se i dënuari është rehabilituar, ka pasur sjellje shembullore në burg, dhe ishte në “gjendje të renduar psikologjike për shkak të kohës së gjatë të vuajtjes së dënimit.” Një faktor tjetër që ka ndikuar vendimin e gjyqtarëve, ka qenë dhe një karakteristikë familjare pozitive e kryebashkiakut të Durrësit, Vangjush Dako, si dhe oferta e tij për një vend pune në bashki.
Dako nuk iu përgjigj kërkesave të BIRN për të komentuar garancinë e tij për Lulzim Berishën. Megjithatë, në vendimin e Gjykatës së Apelit shkruhet se, “Bashkia Durrës, duke vlerësuar gjendjen e kësaj familjeje, sjelljen e tyre në komunitet, si dhe mundësinë e lirimit të të dënuarit, garanton punësimin e të dënuarit Lulzim Berisha, në pamundësi për t’u punësuar në ndonjë subjekt privat”. Ndryshe nga qëndrimi i kryebashkiakut të Durrësit, vendimi për lirimin e Lulzim Berishës ka provokuar reagime të forta në Tiranë, ku ambasadori amerikan Donald Lu i ka akuzuar gjyqtarët që kanë firmosur lirimin e tij si të korruptuar.
“Të mërkurën, kreu famëkeq i krimit të organizuar Lulzim Berisha u lirua nga burgu për arsye të panjohura. Ai vuajti më pak se gjysmën e dënimit me 25 vite burg, për 6 vrasje, trafik droge dhe krim të organizuar. Të gjithë duhet të indinjohemi nga ky lajm dhe duhet t’u themi gjykatave të korruptuara se në një demokraci kjo është e papranueshme.” Lirimin e Lulzim Berishës e kanë dënuar edhe deputeti Demokrat Enkelejd Alibeaj, si dhe edhe ministri i Brendshëm Saimir Tahiri. Siç ndodh rëndom në politikën shqiptare ata nuk bien dakord se kush është përgjegjës. “Lirimi nga burgu i Lulzim Berishës është një zhvillim i rëndë, një hapësirë më shumë që merr krimi në kurriz të ligjit dhe rendit. Nuk ka asnjë dyshim që pas kësaj qëndron Edi Rama”, u shpreh deputeti demokrat Alibeaj. “Unë shpresoj që kjo dhe shumë të tjera të shërbejnë si kambanë alarmi për të gjithë ata që sot mbajnë peng vetingun, instrumentin që do të pastrojë gjyqësorin nga të gjithë ata që janë majmur në karriget e gjyqësorit nëpërmjet korrupsionit”, -tha ministri i Brendshëm, Saimir Tahiri.
Qamil Xhani