Ben Blushi: Njeriu me mish!
Kryesore E Diel, 17 Korrik 2022 11:51
Nga Ben Blushi-
NJERIU ME MISH
Në Elbasan pashë një burrë që mbante një kafshë në krahë.
–Ça është ky?
-Kec
–Ku e gjete?
-Ma dhanë
–Kush ta dha?
-Ata të fondacionit
-Pse ta dhanë?
-Ata japin ndihma
-Pse japin ndihma?
-Për Bajram
-Do e festosh Bajramin?
-Do e festoj
-Si quhesh?
-Kristaq
-Me kë jeton?
-Me gruan
-Po fëmijë ke?
-Nuk kam
-Pse nuk ke?
-Ashtu qëlloi
-Ça pune bën?
-Nuk punoj
-Pse nuk punon?
-Jam i sëmurë
-Ça sëmundje ke?
-Jam dëmtuar në kokë
-Ku u dëmtove?
-Në ndërtim
-Çfarë të ndodhi?
-Rashë nga lartësia
-U vrave?
-Mu mpiks gjaku
-Të ndihmoi kompania?
-Asnjë lek
-Si nuk more asgjë?
-Jo
-Po pse?
-Ata hanë mishin tonë, ne hamë mishin e kafshëve
-Ç’do e bësh gjithë këtë mish?
-Do ta ha
-Kush e ka therrur?
-Fondacioni
-Ata ia hoqën kokën?
-Ata
-Ku është koka?
-Nuk e di
-Si nuk e di?
Unë nuk di ku kam kokën time
-Do e haje kokën e kecit?
-Jo
-Pse nuk do e haje?
-Ika tani
-Pse po ikën?
-Po më sulmojnë mizat
-Ç’duan mizat nga ty?
-Duan të më hanë kecin
–Do e futësh në frigorifer?
-Do e fus në legen
-Pse në legen?
-Është shumë vapë
-Do e lash?
-Do i bëj dush
-Do i bësh dush kecit?
-Do i bëj
-Mirupafshim Kristaq
-Mirupafshim