Blushi: Rilindja ka falimentuar. Pushtetin ta marrë PS
Deputeti kritik Ben Blushi deklaronoi sot pas mbledhjes së grupit parlamentar të PS-së, se partia në disa zona po jepet me koncesion.
“Ka zona në Shqipëri ku deputetë fatkeqësisht të PS-së shkojnë dhe emërojnë njerëz pa zgjedhje, caktojnë njerëz sikur të kenë biznes privat se kush do të jetë delegat, kush do marrë pjesë në Kongres, kush është anëtar partie dhe kush jo.
Ky nuk është biznes privat nuk ka ardhur koha që PS-në ta japim me koncesion. Jemi shumë herët. Në zona të caktuara PS po jepet me koncesion, po trajtohet si biznes privat. Por jo e gjithë PS mund të jetë biznes privat”,- tha Blushi.
Deputeti Blushi tha se “Rilindja ka falimentuar si projekt”. Ai shtoi se pushtetin duhet ta marrë Partia Socialiste.
Duke folur pas mbledhjes së grupit, ku Rama mungoi, ai tha se “PS-ja ka 7 vite pa kryer zgjedhje, pa kryetar, pa Kongres”.
“Nga viti 2009 deri në 2016 PS-ja është pa zgjedhje, pa kryetar partie. Nuk jam unë i vetmi që kërkoj zgjedhje. 2-3 kolegë parlamentarë folën sot për këtë gjë. Kjo parti është mësuar të zgjedhë prej vitit 1991.
Kush po qeveris, Rilindja apo PS? Ka qeverisur rilindja deri tani, por ajo ka faliemntuar. Ka ardhur koha ta marrë drejtimin PS-ja. Ka ardhur koha të bëhen zgjedhje po e them publikisht e kam thënë në çdo mbledhje…”