Ben Blushi përkrah propozimin e Ilir Metës për parlament me 100 deputetë
Lideri i LIBRA Ben Blushi ka mbështetur sot publikisht kërkesën publike të bërë para disa javësh nga kreu i LSI-së Ilir Meta, i cili tha se duhet që parlamenti duhet të ketë vetëm 100 deputetë. Pra edhe Ben Blushi është i bindur se duhen vetëm 100 deputetë nga 140 deputetë që janë sot. Ilir Meta ka kërkuar gjithashtu që biznesmenët të mos futen më në listat e kandidatëve për deputetë. Ndërsa Blushi shkruan sot se “Të paditurit, të paaftët, agallarët e provincave të zbrazura, banditët me frak, analfabetët që mbajnë piano në kuzhinë, kanabistët me kollare me fruta pylli, piratët e energjisë, ilaceve dhe mbetjeve, tenderaxhinjtë e përmbytjeve dhe gjobaxhinjtë e bashkive do mësyjnë prapë në parlament duke u futur nga dyert dhe dritaret e partive te vjetra”, tamam atë që duan qytetarët e thjeshtë.
Lexoni me poshtë se ç’shkruan sot Ben Blushi:
PARLAMENT ME 100 DEPUTETË
Sa më shumë afrohet data e zgjedhjeve aq më pak shpresë kam se parlamenti i ardhshëm do jetë më i pranueshëm se ky që kemi. Të paditurit, të paaftët, agallarët e provincave të zbrazura, banditët me frak, analfabetët që mbajnë piano në kuzhinë, kanabistët me kollare me fruta pylli, piratët e energjisë, ilaceve dhe mbetjeve, tenderaxhinjtë e përmbytjeve dhe gjobaxhinjtë e bashkive do mësyjnë prapë në parlament duke u futur nga dyert dhe dritaret e partive te vjetra. Dikush me shaka më ka thënë se të gjithe deputetët bashkë kanë më shumë makina se libra. Dikur në fshatrat malorë ngrinin prita për te penguar ujqit. Ndoshta mund të përdoret si teknikë duke zvogëluar derën e parlamentit. Një parlament më i vogël do ishte një hapësirë më e kufizuar për kaq shumë vulg. Unë jam për një parlament me 100 deputetë.
A jeni dakort? Nëse po më shkruani. Por edhe ju që s’jeni dakort, prapë më shkruani.