Benet Beci i merr Ramës edhe 140 milionë euro për Shkodrën
Nga Jonida Halili-
Beteja për Shkodrën ka njohur dje një zhvillim të ri, gjithsesi të pritshëm duke ditur aftësitë drejtuese e menaxhuese të Benet Becit.
Deri tani fushata ishte në kuadër të premtimëve si nga Bardh Spahia ashtu edhe nga Benet Beci, ndonëse i pari mbetet partiak korrekt, kurse Beneti ka manifestuar një logjikë tjetër nga rivali për Shkodrën. Spahia e do si kështjellë demokrate, ndërsa Beci si vend ku duhet të investohet dhe të lëvizë paraja e zhvillimi ekonomik, ku Shkodra të kthehet siç është thënë pa nota hiperbolike si një “Venecia e vogël”.
Në të vertetë brezi i ri shkodran, qoftë demokrat apo socialist, edhe pa parti, duan një qytet dhe zonë ku të punojnë dhe fitojnë mirë, e ku njerëzit e bizneset të turren drejt Shkodrës e jo të ikin me vrap drejt Tiranës apo jashtë shtetit.
Benet Beci nuk është militant partie, pasi ai ka punuar me Berishën 8 vite dhe 4 vite me Ramën në detyrën e drejtorit të Fondit Shqiptar të Zhvillimit. Ai di ku gjenden paratë me bankat e huaja apo fonde e donacione kur ke ide dhe projekte, por duhet edhe njohje me ta, pasi askush nuk të jep dhjetra milionë euro pa e ditur se kujt ja jep.
Përveç projektëve me të huajt që ai premton pas 14 majit kur të zgjidhet kryebashkiak, Benet Beci i mori kryeministrit premtimin publik edhe për 140 milionë euro projekte për Shkodrën nga buxheti i qeverisë qendrore.
Bile ky premtim i kryeministrit dje është përkthyer nën gjuhë me zemërim nga disa bashki socialiste , pasi e dijnë mendjen e Edi Ramës, se kur premton e realizon, por paratë do të turren drejt Shkodrës nga qeveria qendrore.
Beci po insiston te ana ekonomike e Shkodrës e jo për të marrë një kala demokrate.
Kur lëvizë leku e euro, edhe humori në Shkodër do të jetë më brilant! Shkodra njihet për kulturën, sportin, artin, diplomacinë ndër shekuj me fqinjët, por edhe për betejat legjendare. Por humori shkodran mbete perlë e humorit shqiptar.
Ndaj Shkodra nuk do më politikë, por do investime, do zhvillim, do lekë, do hare e ku njerëzia i gëzohen punës së tyre që prodhon lumturi.
Beneti është një shpresë për Shkodrën në këtë drejtim. Nëse shkodranët duan bastion demokrat, por pa gjë në xhep, atëhere të shikojnë nga Bardh Spahia.