Kryetari i Partisë Demokratike, Sali Berisha, ka kërkuar krijimin e një fronti të përbashkët opozitar për t’i dhënë fund qeverisjes së Edi Ramës.
Gjatë fjalës së tij në Foltoren e Ripërtëritjes në Durrës, Berisha akuzoi qeverinë për largimin masiv të shqiptarëve, rritjen e çmimeve të banesave dhe lidhjet me krimin, ndërsa u bëri thirrje forcave politike opozitare të bashkohen kundër mazhorancës. Ai u ndal edhe te procesi i ripërtëritjes së PD-së, duke theksuar nevojën për hapjen e partisë ndaj të rinjve dhe grave.
“Edhe njëherë të mos harrojmë, 2007-2014 në çdo vit numri i shqiptarëve në Shqipëri u rrit. Nga 2014-ta deri sot, Shqipëria është katandisur, sipas tyre, me 2.3 milionë. Edhe një krahasim. Ndërtohej gjatë asaj periudhe, ndërtohej shumë, jo pak. Po kush ndërtonte? Ndërtonin qytetarët shtëpitë e tyre.
Për të hapur rrugët e shpresës, për të hapur mundësinë që shqiptarët të votojnë të lirë, të zgjedhin më të mirët e më të mirëve që besojnë. Është një luftë për ekzistencën tonë si komb i lirë, si komb i qytetëruar. Ndaj edhe duhet të bashkohemi. Asnjëri të mos mendojë se duke qëndruar veçmas mund të rritet, mund të fitojë.
E provuan! U rrit vetëm Partia Demokratike gjatë këtyre gjashtë muajve. Pse? Se mbajti qëndrimet më të ndershme, sepse që në fillim deklaroi: Armiku i armikut tim është aleati im në luftë kundër të keqes. Një parim i përdorur nga romakët që nga lashtësia romake e gjer sot para rreziqeve ekzistencialë.A
Ndaj edhe ne të vazhdojmë me vendosmëri procesin e ripërtëritjes, të vazhdojmë të hapemi ndaj vlerave, të vazhdojmë të hapemi ndaj të rinjve, zonjave.
Ripërtëritjen ta konceptojmë si detyrim madhor për secilin prej nesh, për të shtrirë dorën dhe të bëjmë gjithçka për frontin më të gjerë e më të fuqishëm që ka njohur Shqipëria kundër këtij rreziku madhor ekzistencial dhe ju garantoj se do fitojmë”, shprehet Berisha. Duke thënë ” Armiku i armikut tim është aleati im në luftë kundër të keqes. Një parim i përdorur nga romakët që nga lashtësia romake e gjer sot para rreziqeve ekzistencialë”, Berisha nënkuptoi se i duhen edhe Erion Veliaj, Elisa Spiropali, etj.
