Berisha: Deputeti Edi Rama paraqet amendament për të mbrojtur kryeministrin nga pezullimi!
Kreu i Partisë Demokratike, Sali Berisha, akuzoi kryeministrin Edi Rama se po përpiqet të krijojë një “mburojë ligjore” ndaj vetes përmes një nisme të re ligjore që, sipas tij, pritet të depozitohet nga mazhoranca në Kuvend.
Reagimi i Berishës vjen pas zhvillimeve të fundit lidhur me vendimin e Gjykatës Kushtetuese për pezullimin e zëvendëskryeministres dhe ministres së Infrastrukturës, Belinda Balluku.
Sipas liderit të opozitës, argumenti i Ramës për ekzistencën e funksioneve të padelegueshme nuk qëndron, pasi në praktikë ekzistojnë qindra vendime të Këshillit të Ministrave të firmosura nga zëvendësministra me autorizim. “Në arkivin e Këshillit të Ministrave ka jo me dhjetëra, por me qindra vendime të firmosura me autorizimin e tij nga zëvendësministrat”, deklaroi Berisha.
Ai shtoi se edhe Kushtetuta parashikon mekanizma zëvendësimi dhe delegimi kompetencash në institucionet shtetërore. “Në rast se presidenti largohet përkohësisht nga vendi, zëvendësohet nga kryetari i Kuvendit. Po kështu ministri mund të zëvendësohet nga zëvendësministri me autorizim. Pra delegimi është i parashikuar”, u shpreh ai.
Berisha pretendoi se nisma e re ligjore synon të mbrojë kryeministrin nga pezullimi apo nga ndërhyrja e drejtësisë. “Do të shohim një akt që nuk është parë më parë: deputeti Edi Rama paraqet amendament për të mbrojtur kryeministrin nga pezullimi kur e kap ligji”, tha ai.
Në të njëjtën kohë, ai reagoi edhe ndaj deklaratave të Ramës për protestuesit, duke i cilësuar ata si qytetarë me ideale.
Berisha njoftoi se opozita do të zhvillojë protestë më 20 shkurt në Tiranë. “20 shkurti është dita kur qytetarët do të mbushin sheshet kundër regjimit”, deklaroi kreu i PD.
KOHA JONË SONDAZH

