Berisha: Eshtë vetvrasje për opozitën të shkosh në zgjedhje me Ramën kryeministër

Berisha te Klan dhe Edi Rama te Top Channel ishin dy lajmet kryesore të kësaj të enjte mbremje.

Ish-kryeministri Sali Berisha ka bërë një analizë të situatës politike ku ndodhet vendi. I pyetur në emisionin “Opinion” se si po e drejton Lulzim Basha opozitën shqiptare ai tha se nuk mund ta krahasosh me mënyrën se si ai e ka drejtuar Partinë Demokratike kur nuk ishte në pushtet.

“Nuk mund ta krahasoj opozitën e Bashës me opozitën time. Të pretendosh që tjetri të ketë imitimin tënd do të ishte e pandershme. A ka bërë opozitë? Padyshim që ka bërë opozitë dhe opozitë të fortë”– tha Berisha. Me pasi tha se Rama duhet rrëzuar me të gjitha mënyrat pasi me votë është e vështirë që ta mundësh.

“Unë për vete do të bëja gjithçka që Edi Rama “të kthente patkonjtë” edhe me mjete që ju mund t’i kritikoni. Cilat mjete? Në kushtet e grushtit të shtetit nuk ka asnjë justifikim. Sot Rama po qeveris në kushtet e grushtit të shtetit. Me Ramën në pushtet opozita nuk vjen dot me votë. Armik më të egër se Edi Rama në pushtet nuk ka opozita. Ai është më keq se Ramiz Alia.

Ai duhet nxjerrë për leckash nga zyra. Si mund ta mundësh me zgjedhje? Shko bëj zgjedhje në Kiras! Shko bëj zgjedhje në Dobraç! Shko bëj zgjedhje në Vlorë! Sot janë 4 djem nënash të grabitur. Kjo polici në bashkëpunim me kriminelët, po fsheh krimet. Janë marrë deponime të fshehta në komisariatin e Fierit sepse njërëzit kanë pasur frikë ti bëjnë në Vlorë.

Zgjedhje me këtë në pushtet nuk mund të ketë. Populli duhet të kthehet në uragan që duhet ti thotë “ik qërrohu nga zyra”. Qytetarët duhet të ngrihen me guxim. Këtu jemi në kushtet e një grushti shteti.

A do të hyjë opozita në zgjedhje me Edi Ramën? Duhet të ikë Rama. Me Ramën në zgjedhje nuk ka zgjedhje. Është vetëvrasje për opozitën nëse shkon në zgjedhje me Edi Ramën kryeministër. Kjo është thirrje për mosbindje civile” – e mbylli Berisha.

Por derisa Berisha e dha verdiktin se nuk duhet futur në zgjedhje, cila është skema e opozitës për ta rrëzuar? Akoma nuk ka një prononcim nga kryetari i PD-së.

SHKARKO APP