(VIDEO) Tension në Kuvend/ Rama quan Berishën “qen lufte” dhe plas rrëmuja
Tension dhe debate të ashpra në Kuvend. Ish-kryeministri Sali Berisha tha sot në parlament se nuk ka zgjidhje tjetër përveçse “të ngrihemi të rrëzojmë me forcë këtë qeveri kriminale”. Ndërkohë, në fjalën e tij, Rama i tha Berishës se “ti je nje qen lufte” dhe kjo shkaktoi revolte nga deputetët e PD-se. Deputeti Flamur Noka u ngrit dhe i ndërpreu fjalën kryeministrit duke e sulmuar. Në një moment deputeti donte ta godiste kryeministrin, por Garda ndërhyri.
Acarimi i situatës ndodhi pas përfundimit të fjalës së Berishës, kur podiumin e Kuvendit ka marrë fjalën Kryeministri Edi Rama.
Rama ironizoi ish-kryeministrin Sali Berisha për filmin e fundit të Hollivudit, që ka marrë subjektin nga Shqipëria dhe shpërthimi në Gërdec.
“Nëse do të ndodhte sot, çudia, që Saliu të mos fliste, do të flisja unë për Saliun. Do doja t’i uroja përpara parlamentit dhe para popullit shqiptar, një arritje që nuk besoj se tjetër figurë e politikës shqiptare do ta arrijë ndonjëherë, futjen në Hollivud. Të përgëzoj që arrite të bëhesh frymëzim edhe për Hollivudin dhe sugjeroj që atë zyrën e avokatisë që ke, ta vësh në veprim për të drejtat e autorit, sepse filmi “War dogs”, pa ty nuk do të ishte krijuar nga Hollivudi. Je një “war dog” i vërtetë dhe fakti që nami mbërriti deri në Hollivud është vërtet një arritje e suksesshme.
Duhet një kurajë shumë e madhe, gati-gati hollivudiane, që vetëm Saliut nuk i mungon, për të dalë këtu e për të folur siç flet, pasi e ka bërë Shqipërinë objekt dhe subjekt të një filmi hollivudian. Në trajlerin e të cilit, personazhi i dëshpëruar thotë ”qentë kanë dalë jashtë kontrollit”,- tha Rama.
Nisja e fjalimit të Ramës ka sjellë dhe reagimin e PD. Gjatë kohës që Rama fliste deputeti Flamur Noka është ngritur në këmbë dhe i është afruar foltores ku ndodhej kryeministri Edi Rama. Ndoka kërkoi nga Rama që të kërkonte falje.
Forca të shumta të gardës janë afruar afër podiumit për të ndaluar përplasjen fizike mes deputeti Noka dhe Kryeministrit. Për gati 5 minuta kanë vijuar replikat mes Nokës dhe Ramës. Në këtë situatë, kreu i Kuvendit, Ilir Meta kërkoi që të ndërpritej seanca për disa minuta.
REPLIKAT
RAMA: Sali të përgëzoj që u bërë frymëzim edhe për hollivudin dhe sugjeroj që zyrën e avokatisë që ke ta vësh në veprim për të drejtat sepse filmi ‘qen lufte’ pa ty nuk do ishte krijuar nga hollivudi.
(Ngrihet Flamur Noka dhe shpërthen në fyerje por nuk dëgjohet pasi është pa mikrofon)
RAMA: Ti Sali je një war dog i vërtetë. Mbërriti në Hollivud, është një arritje e vërtetë. (Deputetë e PD çohen dhe rrethojnë Ramën në foltore)
META: Zoti Noka të lutem ulu. Noka të lutem, zoti Noka të lutem zoti Noka të lutem.
RAMA: Zoti Noka, të lutem po të kishe parë filmin do ishe edhe më krenar për Saliun. Sali, nëse..
META: Zoti Noka ju lutem…Rama: Nëse një figurë e politikës shqiptare arrin të turpëzojë edhe Hollivudin është diçka që nuk mund të mbetet jashtë rrezes së vëmendjes.
META: Ju lutem ruani etikën!
RAMA: Falë Saliut, është bërë zëdhënësi më… E shikon a të thashë? Ai është krenar që ka shkuar në Hollivud. Më lër të flas. Dëgjoje Robert Deniron. Mos u merr se nuk i kupton ti këto. Janë të thella punët e Hollivudit.
META: Ju lutem, mos të përmend unë fjalët që përmende ti tani Flamur të lutem!
RAMA: Filmi që nuk do ishte krijuar pa Saliun është ‘War Dogs’. Hollivudin nuk mund ta censurosh.
RAMABERISHËS: Sali mos më shkel syrin mua. Ulu!
RAMANOKËS: Mos ma prish Flamur se është një moment që nuk përsëritet më në parlament. Një figurë politike është bërë film në Hollivud.(Tensionohet situata… deputetët e PD i drejtohen Ramës por nuk dëgjohen nga mikrofoni )
META: 5 minuta pushim.
Më herët, ish-kryeministri Sali Berisha bëri akuza të ashpra ndaj kryeministr, ndaj Edi Rama dhe ministrit të Brendshëm, Saimir Tahiri. Në fjalën e tij në Kuvend, Berisha u shpreh se si asnjë herë më parë, vendi është mbuluar nga hashashi.
Berisha u shpreh e këtë vit llogaritet se janë mbjellë më shumë se 20 milionë rrënjë hashash në gjithë vendin.
Sipas tij, i gjithë trafiku është i organizuar dhe drejtohet nga njerëz të pushtetit. Ai akuzoi ministrin Tahiri se në zonën e Tepelenës është personi kryesor që ka garantuar kultivimin e drogës.
Berisha tha se piloti i avionit që u rrëzua sot në Ishëm rezulton se është në proces gjyqësor në Itali për trafik droge.
Ish-kryeministri ka komentuar dhe heqjen e mandatit të deputetit Koço Kokëdhima nga Gjykata Kushtetuese. Berisha tha se Koçon nuk e dëmtoi ai, por vetë Edi Rama në Gjykatën Kushtetuese. “Koços ja bëtë ju gropën, jo unë. Unë jam marrë politikisht. Nuk merrem me atë. Jam marrë me tezat e tij kur ishte në krah të Edi Ramës. Unë nuk merrem me biznesmenë. Unë merrem me klientelën kriminale, si ky qe merr 56 tendera nga PS”,- tha Berisha.
[youtube url=”https://www.youtube.com/watch?v=BAK6N3RPZfM&feature=em-uploademail” width=”560″ height=”315″]