Sali Berisha: Jo emërime nga të huajt. Xhafaj: Kanë vetëm rol procedurial

Debati për rolin e ndërkombëtarëve në procesin e përzgjedhjes së njerëzve që do të jenë në krye të institucioneve të drejtësisë ka qenë sot tema e debate në Kuvend.

Ish-kryeministri Berisha, duke folur për reformën në drejtësi në seancën e sotme plenare, akuzoi kryeministrin Rama se përjashtoi opozitën nga procesi.

“Fjala konsensus nuk ekziston për Edi Ramën, që udhëhiqet nga urrejtja më e madhe njerëzore, që celebronte fitoren me 1 milion grushta ndaj opozitës. Mbi këtë bazë Rama ngriti të famshmin komision të ekspertëve të nivelit të lartë”, ka thënë Berisha.

Sipas tij, këta ekspertë ishin njerëz të afërt me kryeministrin dhe figura politike të lidhura me krimin. “Po kush ishin këta ekspertë me në krye kryetarin e partisë komuniste të drejtësisë, mbrojtësin e klaneve të trafikut, Fatmir Xhafaj? Cilët ishin këta ekspertë?”, është shprehur Berisha, i cili ka renditur ekspertët në fjalë.

“Arben Rakipi, njeriu që akuzoi Sali Berishën, që ka poshtëruar institutin e akuzës sepse paraqiti si provë një shishe “Pepsi-Cola”. Ky ishte eksperti i nivelit të lartë. Tjetri ishte Kristaq Kraja, një njeri i shpërfytyruar nga bixhozi dhe rakia”, ka thënë Berisha.

Por sipas tij, ajo që bëri ky grup është edhe më keq. “Pasi mori një valixhe me para, ky grup hartoi një projekt me 70 nene kushtetuese në të cilat u garantua: më i vjetri i gjykatës së lartë do të emërohej në forumin e kontrollit të drejtësisë me 6 milionë lekë rrogë. Opozita shqyrtoi materialin dhe ia dërgoi Venecias, komisioni që kryetari i partisë komuniste të drejtësisë e bllokoi për 1 muaj. E bëri këtë sepse Venecia ua nxorri se çfarë drejtësie donin, që Rama të ishte kryeprokuror dhe gjykatës. Venecia ua rrëzoi variantin këtyre në 88 nene. Në 6 nene, u tha Venecia, ju shkelni konventat e të drejtave të njeriut”, ka thënë Berisha.

Më tej, ai ka sqaruar edhe pozicionin e PD në këtë proces. “Jemi për një rol të rëndësishëm të ndërkombëtarëve në procesin e vetingut, por emërimin e gjykatësve nga ndërkombëtarët nuk e pranojmë. Nuk mund t’i japësh sovranitetin ndërkombëtarëve”, ka sqaruar Berisha.

Ish-kryeministri është shprehur se propozimi i fundit i opozitës, që lejon vetingun por përjashton ndërkombëtarët nga ky proces, në gjykimin e tij është “i shkëlqyer”. “Propozimi i ri i opozitës është i shkëlqyer, por i negociueshëm”, ka thënë ai.

Xhafaj: Ndërkombëtarët, rol procedurial. Opozita, frikë nga reforma

Duke iu përgjigjur akuzave të ish-kryeministrit Berisha, kryetari i komisionit të posaçëm të reformës në drejtësi, Fatmir Xhafaj ka mbrojtur punën e ekspertëve të nivelit të lartë.

“Jam i nderuar që kam punuar me grupin e ekspertëve. Por nuk jam vetëm unë i nderuar, është edhe Komisioni i Venecias, edhe partnerët ndërkombëtarë. Ju harroni që ata ekspertë janë profesorë në këtë vend, që përgatisin brezat e ardhshëm të juristëve. Komisioni i Venecias i përgëzon anëtarët e komisionit ad hoc për punën në reformimin e gjyqësorit. Nuk ka vlerë ç’thotë Berisha, vlerë ka ç’thotë KV”, ka thënë Xhafaj.

Sipas tij, veç kësaj “Komisioni i Venecias beson se projekt ndryshimet mund të finalizohen pa vonesë”, por opozita ka probleme të tjera.

“Problemin e parë ju e keni me vetingun, me pastrimin e drejtësisë nga elementët e korruptuar e të lidhur me botën e krimit. Problemin e dytë e keni me prokurorinë speciale, me BKH-në, që thoni se i ka ndryshuar Venecia. Jo, nuk i ka ndryshuar. Shumë njerëz nga ju tremben nga këto. Kjo është e vërteta, një e vërtetë e hidhur”, ka thënë Xhafaj.

Më tej deputeti socialist ka hedhur poshtë pretendimet e opozitës se ndërkombëtarët do të emërojnë gjyqtarët.

“Që ndërkombëtarët do të emërojnë gjyqtarët, gënjeshtër më të madhe nuk ka. Ata do të vlerësojnë vetëm 21 vetët që do të bëjnë vetingun dhe nuk do të kenë rol vendimmarrës, por rol procedurial”, ka shtuar Xhafaj.

Në vijim të fjalës së tij, kreu i komisionit ka sqaruar edhe krahasimin e reformës në vendin tonë me ato analoge në Kroaci e Rumani, ku vetingu nuk është kryer. “Nuk e kanë Rumania e Kroacia? Nuk e kanë sepse nuk u është dashur të bëjnë veting”, ka sqaruar Xhafaj.

SHKARKO APP