Berisha me emigrantët shqiptarë në Itali: Na ndihmoni të rrëzojmë Edi Ramën!
Kreu i Partisë Demokratike Sali Berisha, ka zhvilluar një bashkëbisedim online me shqiptarët në Itali.
Gjatë fjalës së tij Berisha tha se Italia ka dhënë kontribut të jashtëzakonshëm në luftën kundër krimit të organizuar
“Së pari ju përshëndes ju dhe të gjithë emigrantët shqiptarë në Romë, Itali dhe kudo ku janë. Ju falënderoj për ardhjen tuaj sot në këtë foltore shumë të rëndësishme, në një bashkëbisedim me ju përfaqësues të emigracionit tonë, foltore që zhvillohet në prag të një ngjarje të madhe të Italisë rikthimit në pushtet të forcave politike të djathta në Itali dhe ka rëndësi edhe për Europën. I shpreh mirënjohje qeverisë italiane për mbështetjen miqësore që ka treguar ndaj shqiptarëve. Italia jep kontribut të madh në luftën kundër krimit ë organizuar. Antimafia italiane ka dhënë kontribute në betejë kundër mafies shqiptare. Sajmir (Tahiri) skafisti do të ishte sot mbizëvendëskryeministër nëse nuk do të ishte antimafiia italiane. Në vitin 2005, pasi formuam qeverinë bëra një vizitë në Itali dhe takova Berlusconin. Në atë takim më bëri përshtypje fjalët e ngrohta dhe të vërteta që Berlusconi folën për emigrantët shqiptarë. Kjo shënonte një arritje të madhe të shqiptarëve në Itali”- theksoi Berisha.
Kreu i PD Sali Berisha kritikoi kryeministrin Edi Rama, duke u shprehur ai ka marrë peng edhe opozitën shqiptare në mënyrë kriminale.
“Ju falenderoj shumë për mendimet që dhatë. Ajo që mund t’u them është se Shqipëria pas 30 vitesh në rrugën e demokracisë është në diktaturë, një diktaturë partiake dhe personale. Këtë e them sepse sot të gjitha pushtetet kontrollohen nga një person dhe një parti. Sot Edi Rama ka pushtet 10 % më shumë se Ramiz Alia pas shkurtit ’91. Ju them shqiptarëve se në Tiranë është një armik i egër i lirive që garantohen nga ndarja e pushteteve dhe funksionimi i ligjit. Rama ka dhunuar votën e lirë para të gjithë botes”, tha ai.
“Sot kemi rrogën mesatare më të ulët në rajon, 20-30% më të ulët se Kosova. Ju ngritët shqetësimin për çmimet. Bordet komuniste tha Rama janë të dobishme. Po, janë të dobishme sepse cakton çmimin që do. Dhe me çmimet e rritura cakton të ardhurat e tij. Rama caktoi gjithsej 50 mln për shqiptarët. Tani ka bërë një rritje të jashtëzakonshme të energjisë,. përse? Do të godasë shtresën e mesme, i ka shpallur luftë të hapur shtresës së mesëm. Një shoqëri pa shtresën e mesme, kurrë nuk mund të zhvillohet”, shpjegoi Berisha
Me tej emigrantët që folën ishin të gatshëm për të ardhur në protestën finale që do të organizojë PD-ja për ta rrëzuar kryeministrin Rama.
Insistimi i Berishës se në Tiranë ka një regjim autokratik dhe që ka futur në dorë gjithë pushtetet, lidhej me thirrjen drejtuar kudo demokratëve në Shqipëri dhe në botë që ditën e protestës së madhe të jenë në Bulevardin kryesor të Tiranës.
Ndërkohë baza demokrate po e kërkon datën finale për tu përballur me regjimin, por akoma PD nuk po cakton datën.