Berisha: Një koalicion PD-PS do të ishte varrosje e demokracisë

Ish-kryeministri Sali Berisha është kundër një koalicioni mes PS-së dhe PD-së për të zgjidhur krizën politike. Në emisionin “Opinion”, ish-kryeministri tha se nëse do të bëhej një koalicion i tillë kjo do të varroste përfundimisht  demokracinë shqiptare.

Në të gjithë vlerësimin tim, një koalicion i tillë do të ishte asgjë tjetër veçse goditja e mëshirës për sistemin shqiptar, sepse nuk mund ta quaj më demokratik. Goditja e mëshirës për ta varrosur përfundimisht atë që deri dje quhej demokraci por që sot është narko-shtet. Një koalicion i tillë do shuante çdo shpresë tek shqiptarët për të marrë rrugën e standardeve rrugën e shtetit ligjor”, tha Berisha.

Berisha tha se çdo hap i PD-së drejt koalicionit do të ishte fatale. “Standardet këtu kanë marrë fund. Por problemi është këtu, opozita nuk mund të bëjë asnjë hap të vetëm, do të ishte iluzion i tmerrshëm duke parur PS në koalicion, e cila krijoi këtë situatë me qeverisjen e saj. Ajo (PD) ka vetëm një rrugë largimin e saj, me vullnetin politik të shqiptarëve”,- theksoi më tej Berisha.

Ish-kryeministri tha se për zgjidhjen e krizës politike, gjatë muajit Qershor ka patur tentativa për negociata nga Gjermania. I pyetur nga gazetarët nëse ka aktualisht negociata për marrëveshje, Berisha mohoi që të ketë, por zbuloi se dy palë negociata gjatë Qershorit me iniciativë nga pala gjermane, janë refuzuar nga Kryeministri Edi Rama. “Nuk di të ketë filluar asnjë marrëveshje, asnjë negociatë. Nuk di, mund të ketë. U bënë tentativa. Dy herë i ka refuzuar Edi Rama. I ka refuzuar gjatë Qershorit. Janë bërë nga gjermanët. Dy herë janë refuzuar“, deklaroi Sali Berisha.

Opinion - Sali Berisha  (12 Shtator 2019)

Ish-kryeministri ka komentuar dhe qëndrimet e kreut të shtetit për skenarë të djegies së Parlamentit. Berisha tha në “Opinion” se Presidenti Meta nuk mund të shpikte raportin për planet për djegien e Parlamentit.

Shërbimi Informativ i dërgon raport kryeministrit dhe ia fsheh Presidentit. Shërbimi ka bërë raportin, të saktë dhe me korrektesë dhe i ka dërguar raport tjetër kryeministrit dhe raport tjetër Presidentit. Atë raport për djegien e Parlamentit, besoj që Presidenti e ka raportin. Presidenti nuk mund të shpikë një raport të tillë”,- theksoi Berisha.

Lidhur me reformën zgjedhore ish-Kryeministri Sali Berisha tha se preferon sistemin proporcional duke mbrojtur marrëveshjen e vitit 2008. “Thellë-thellë në shpirt, unë absolutisht jam për proporcional, nuk jam për atë të hapurin. Më i drejtë proporcionali është. Nuk jam penduar për marrëveshjen e 2008, sepse këta po e demonizojnë. E ka Spanja, e ka Greqia, e kanë disa vende. Të jesh i bindur që lista e hapur ta bën Parlamentin dhomë tregtie, minimumi”,- tha ish-Kryeministri Sali Berisha.

SHKARKO APP