Berisha: Pa PL e Metës ne do të përfundonim si kandidat të pavarur! Duhet që votimi të jetë me detyrim
Akuzave apo fjalëve se pse “Berisha përfundoi në shtëpinë e PL” kryetari demokrat, Sali Berisha, tha sot se Partia e Lirisë ka qenë plotësisht luajale ndaj PD-së.
“Unë mendoj se Partia e Lirisë ka qenë plotësisht luajale dhe ajo nuk kishte asnjë interes si parti të bënte koalicion, por këtë koalicion ajo e bëri në mënyrë që opozita të kishte një fuqi më të madhe, përndryshe siç e patë ju, kandidatët tanë do detyroheshin të regjistroheshin të pavarur sepse Edi Rama me gjykatësit e tij, ekzekutorë të ligjit në sallën e gjyqit, mori logon dhe vulën e PD-së.
Në këto rrethana, të garantoj që Edi Rama do i kishte bërë shpërblimin më të madh Ilir Metës, nëse nuk do pranonte koalicionin me PD. Duhet të kemi gjykim politik. Përpjekja ishte një dhe vetëm një, të asgjësohej PD në këtë farsë elektorale. Kjo përpjekje dështoi. PD mori 40 përqind të votës së elektoratit.
Ne ishim para rrethanës që Edi Rama dhe jo vetëm ai, kërkonin me çdo kusht që të na zhduknin nga harta elektorale e vendit,” tha Berisha.
Ai propozoi edhe votimin e detyrueshëm si opsion për të luftuar blerjen e votës.
“Votimi i detyrueshëm do e bëjë të pavlefshme blerjen e votës. sepse blerjet janë dy llojesh, nga njëra anë është blerja e të drejtës së votës. Ana tjetër është merr paratë dhe dil e voto për mua. Kjo e dyta, nëse bëhet votimi me detyrim siç e ka Greqia apo Australia. Një nga miqtë e mi në Australi më ka thënë se kjo është bërë për t’i dhënë fund blerjes së votës. Por Edi Rama nuk e pranon se ai e quan Kodin Zgjedhor një kinezëri. Ai pranon vetëm standarde që i lejojnë atij të manipulojë votën,” tha Berisha.
“Unë kam përgjegjësitë e mia. Por një gjë u them ju, nëse tjetri vendos shitjen e votës, në një varfëri ekstreme që jetojnë njerëzit, duhet të jemi realist. Ne mbetemi të hapur plotësisht për bashkimin e PD-së. Natyrisht është një përgjegjësi e secilit që e merr. Unë besoj se çdo demokrat, për hir të investimit të tij në PD dhe për hir të një situate dramatike në të cilën ndodhet vendi, duhet t’i përgjigjet thirrjes së brendshme dhe të bashkohet në këtë përpjekje për çlirimin e Shqipërisë dhe rivendosjen e votës së lirë,” shtoi kreu demokrat.