Berisha: Populli ta rrëzojë me forcë Ramën, por pa gjakderdhje…
Ish-kryeministri Berisha ishte i prerë te abcnews në emisionin e Juli Xhokaxhi, duke kërkuar rrëzimin e kryeministrit Rama me çdo mënyrë, qoftë edhe me përplasje fizike.
“Qytetarët duhet të marrin përgjegjësinë, pasi këtu rrugëdalje me votë nuk kemi. Të bëjmë gjithçka për të shmangur gjakderdhjen, por duhet të bëjmë gjithçka për të rrëzuar qeverinë. Rumunët përshkuan 450 kilometra për të shkuar në një shesh në Bukuresht dhe për të protestuar kundër një ministri”, tha Berisha.
Ish-kryeministri Sali Berisha, deklaroi se nuk duhet të ketë më asnjë marrëveshje me Edi Ramën, duke deklaruar se marrëveshja e vetme që duhet bërë është ajo e rrëzimit te Edi Ramës.
Protesta e 27 janarit ishte madhështore, theksoi Berisha, ndaj kryeministri Edi Rama në protestën tjetër duhet rrëzuar me forcën e popullit, por nuk duhet të ketë gjakderdhje. Kjo ishte thirrja e Berishës, e cila në PD po përkthehet si thirrje për tu përgatitur për përballje edhe të dhunshme ndaj kryeministrit Rama.
Ndërkombëtarët si zakonisht nuk ndërhyjnë nëse nuk ka lajm, por lajmi mbetet përplasja.
Nuk dihet se si janë planet e Lulzim Bashës në lidhje me protestën tjetër, e cila duhet të jetë finale sipas kryetares se LSI Monika Kryemadhi, por edhe siç deklaroi Berisha. Mbetet të shikohet lëvizja e radhës e kryetarit të PD-së. Burime të besueshme tregojnë se Edi Paloka dhe Arben Ristani i kërkojnë Lulzim Bashës që në protestën e radhës të bëhet thirrje hapur se kushdo kërkon të vijë në protestë duhet të përgatitet se do ketë përplasje fizike me pushtetin e Ramës deri sa ai të jap dorëheqjen.