Berisha: Protesta e radhës do t’a fshijë dhunshëm Ramën dhe qeverinë
Ish-kryeministri: Marrëveshjen me Greqinë, kryeministri Rama e miraton vetëm nëse kalon mbi trupat tanë
Opozita pritet të hidhet në aksione masive kundër qeverisë në protestat e radhës. Paralajmërimi është bërë nga ish-kryeministri Sali Berisha. Në prononcimin e dhënë për gazetarët pas seancës së tensionuar, Berisha u ka bërë thirrje qytetarëve të reagojnë për vendimet antikombëtare, sipas tij, të qeverisë “Rama”.
Ai tha se protesta e ardhshme e opozitës do të jetë një reagim mbarëkombëtar që do të rrëzojë qeverinë. Sipas Berishës protesta e radhës do të jetë e ashpër dhe “do t’i fshijë Ramën dhe qeverinë”. Berisha ka bërë paralajmërime të forta për marrëveshjen e re të ndarjes së detit mes Shqipërisë dhe Greqisë. Duke e cilësuar si paktin më të dëmshëm për territoriale dhe ekonomike të Shqipërisë, Berisha tha se ky pakt i Ramës “do të miratohet vetëm nëse Edi Rama kalon mbi trupat e opozitës”.
Ish-kreu i qeverisë deklaroi se marrëveshja që ai firmosi me Greqinë në vitin 2009 ishte ndarje e barabartë e territorit, ndërsa pakti i Ramës i fal gjithë pasuritë e gazit dhe të naftës Greqisë. “Edi Rama ka dorëzuar fushat e gazit më të mëdha të Mesdheut dhe Jonit, por edhe naftën. Sipas marrëveshjes sonë, këto fusha i takonin 100 për qind Shqipërisë në atë kohë”, u shpreh ai.
Duke e cilësuar tradhti kombëtare këtë marrëveshje, Berisha tha se ky vendim vjen në linjën e narko shtetit dhe kapjes nga bandat të institucioneve shtetërore. “Edi Rama ka bërë aktin më antikombëtar në historinë e vendit, pazarin e kufirit detar të Shqipërisë me Greqinë, në të cilën ministri i Jashtëm grek thotë se fituam zgjerimin e ujërave territoriale me 12 milje. Të gjithë ata që mendojnë se kjo është deklaratë propagandistike e ministri grek gënjejnë veten e tyre”, tha Berisha.