Berisha, Ramës: Mos kërcëno Europën me Rusinë. Do marrësh kartonin e kuq
Ish-kryeministri Sali Berisha ka komentuar sot vizitën e Kryeministrit Edi Rama në Gjermani. Berisha tha se problemi kryesor për mos mapjen e negociatave më Shqipërisë është kanabisi. Ai tha se një ditë para vizitës në Gjermani mediat në Berlin theksuan se Shqipëria është bërë burimi kryesor i drogës në Europë.
Berisha komentoi dhe një pjesë të fjalimit të Ramës në Berlin, ku Kryeministri tha se hapësira bosh që krijon BE-ja në rajon mund të përdoret nga faktorë të tjerë, duke nënkuptuar ndikimin e Rusisë.
“Bundestagu gjerman ka një peshë shumë të madhe. Dhe për të kuptuar këtë peshë ju them se nga viti 2012 deri sot, ka dërguar për këtë qëllim, hetimin e progresit të integrimit, ka dërguar 10 misione faktmbledhëse. Pra zotëri lëri kërcënimet. Ke bërë një kërcënim të turpshëm. Hiq dorë nga kërcënimi i Evropës se Shqipëria mund të bjerë në kthetrat e ISIS apo Putinit. Ti mund të përfundosh në llumin e plehrave të historisë por Shqipëria nuk lëkundet kurrë nga rruga europiane e saj. U përpoq Enver Hoxha dhe shkoi atje ku e meritonte, do shkosh dhe ti atje ku e meriton. Mos e trash këtë bisedë sepse mund të marrësh siç mori tjetërkush kartonin e kuq, mos mendo se me kërcënime gjynjëzon Evropën. Europa vërtet sot është e bazuar në filozofinë e Kantit, filozofinë e paqes por sot ajo është më e fortë se kurrë. Ata që njohin Europën e dinë se më të fortë se ajo në rrafshin ekonomik, ushtarak nuk ka. Ka probleme të brendhsme si union por ajo në konjukturë dhe në aleancë ska qënë kurrë kaq e fuqishme. Prandaj lëri ato dëngla ti, na flet për faktorë të tretë, bën sajesa të një psikologjie të sëmurë“,- tha ish-kryeministri Sali Berisha.
Ish-kryeministri Sali Berisha tha se kjo deklaratë është kërcënim ndaj Bashkimit Europian.
Më 28 nëntor në Berlin, në konferencën e shtypit të Edi Ramës bashkë me Kancelaren gjermane Angela Merkel kreu i ekzekutivit shqiptar deklaroi: “Unë nuk ju them asgjë të re, duke nënvizuar edhe sot faktin se kjo situatë e re premtuese në rajon lidhet me fuqinë e madhe tërheqëse që ka Europa për ne, gjë që ju e keni konstatuar dhe nënvizuar vazhdimisht. Por, po ashtu dua të nënvizoj se në këtë situatë shumë pozitive për rajonin tonë, as ne dhe as miqtë dhe partnerët tanë europianë nuk duhet ta marrin të mirëqenë atë që kemi arritur, sepse në hapësirën tonë rajonale veprojnë dhe aktorë të tretë, të cilët synojnë të shfrytëzojnë çdo lëkundje, çdo paqartësi apo vakum që mund të krijohet në marrëdhënien tonë me Bashkimin Europian”.
Lexoni edhe: “Aktori i 3-të” në Ballkan