Mustafaj: Unë Bashës i kam sygjeruar që duhet t’i tregojë kufirin Berishës
Besnik Mustafaj, ish-ministër i jashtëm dhe një prej figurave kryesore të themelimit të PD-së, ka folur në Ora News te emisioni i Dritan Hilës në lidhje me drejtimin e sotëm të PD-së nga Lulzim Basha. Debati ka qenë edhe me të tjerë në studion e Dritan Hilës (intervista e plotë gjendet te rubrika “Intervista” në web-in www.kohajone.com), por ka spikatur Besnik Mustafaj i cili ishte më i prerë në raport me vazhdimësinë e Berishës në politikë e sidomos me vendimmarrjen në PD nga Lulzim Basha. Por me sa duket zoti Mustafaj ka harruar se kush është Sali Berisha në PD! Ndaj pa Berishën apo mbiemrin Berisha ajo parti asfiksohet për disa vite, ndonëse ka nevojë që Basha të krijojë portretin e autoritetin e tij në selinë blu. Por duhen vite të ikë Berisha e të shkëlqejë Basha.
Nëse Lulzim Basha fiton zgjedhjet me 18 qershor (gjë që duket e vështirë) atëhere ai ka vendosur emrin e tij në PD, por në qoftëse ndodh e kundërta, pra që i humbet, atëhere a ka zot që e mbledh PD-në. Ndonëse Besnik Mustafaj ka të drejtë në thelb, por ai duhet të dijë se si është ndërtuar e funksionon PD-ja. Të ç’montosh mekanizmin Berisha në atë parti, për momentin, PD-ja përfundon me pak vota se partia e Nard Ndokës! Natyrisht nuk mohojmë rolin emancipues të Lulzim Bashës, i cili mbetet lider europian, porse akoma jemi në Shqipëri. Aq me shumë kur flitet për partitë shqiptare.
Ja se çfarë tha Mustafaj, ndër të tjera.
1- “Ne kemi një mentalitet përgjithësisht të çuditshëm si shoqeri që për mua është tregues i kulturës së paktë poltike. Vazhdojnë ti tregoj Partisë Demokratike keqeverisjen e saj vazhdojnë ti tregojne përgjegjësinë për mosmbajtjen e disa e premtimeve, sidomos në mandatin e dyte 2009-2013. Një parti jep llogari ne zgjedhje dhe nga ai moment është starti i ri. Çka bërë me parë nga ai moment flet historia apo drejtesia për raste korrupsioni. Kjo është jashtë aftësive të Bashes si lider, por e ka ndikuar dhe e ka vënë disa herë në pozita mbrojtëse si lider i ri, për mua kjo është e pa papranueshme. Mbron një bilanc që nuk ka punë. Sugjeroj se nuk ka nevojë të mbrojë një bilanc për të cilin zgjedhësit e kanë dhënë verdiktin e tyre, në këtë kuptim duke u vënë në pozita mbrojtëse e ka penguar që të merret sa duhet me reformimin e Partisë Demokratike për ta parë shqiptarët sa më shpejt çfarë koncepti ka për PD dhe cila është alternativa që ofron”.
2- “Basha është distancuar në shumë raste nga keqqeverisja. E ndjen se trashëgimia duhet gjykuar politikisht për t’i shërbyer të ardhmes. Në këtë kuptim Basha ka bërë gjeste të mirëpritura nga opinioni publik. Por kjo nuk duhet t’i marrë kohë. Mea culpa, ai tani është në periudhen e shfaqjes se alternativave për të krijuar besim te shqiptarët. Pavarësisht përpjekjeve të vazhdueshme për të lënë në hije dhe për t’i ikur përgjegjësisë së qeverisjes 8 vjeçare, por dhe premtimit për një mënyrë të re të të bërit politikë, duket se mes Partisë Demokratike dhe mbështetjes qytetare ka një hendek ende të pakapërcyer. Rezultati i zgjedhjeve vendore, nuk ishte frymëzues per kauzën politike pasi Partia Demokratike shkoi në opozitë edhe në qeverisjen vendore. Lulzim Basha, lexoi fitore dhe përballë humbjes, një strategji kjo ndoshta për të mbajtur të në entuziazëm strukturat dhe arsyet e humbjes për t’i deleguar faktorëve të tjerë”.
3-“Une besoj se Basha duke u bërë iniciator i ligjit te dekriminalizimit, ka dhënë kontributin më të madh që ndonjë opozite ka dhënë në këto 25 vite. Kam parasysh çdo opozitë, asnjëra nuk ka bërë një iniciativë të tillë që synon transformimin dhe pastrimin e elitave politike.”
4-“Si opozitë Basha ia ka arritur qellimit dhe është sukses, zbatimi nuk është në dorë të opozitës është në dorë të qeverisë. 6 muaj para zgjedhjeve parlamentare të 2017, Lulzim Basha ndodhet në një moment kulmor në karrierën e tij politike. 18 qershori, dita kur mbahen zgjedhjet parlamentare, mund të cilësohet beteja e tij e parë si lider i Partisë Demokratike dhe i së djathtës. Basha prezantoi një platformë për reformimin e thellë të Partisë Demokratike, si mënyrë për të forcuar në sytë e qytetarëve staturën e një lideri perëndimor me një gen të fortë demokratik ose si inkurajim për strukturat në qendër dhe në bazë. Është një platformë fantastike. Uroj si demokrat i vjeter që ajo të zbatohet sa më shpejt. PD ka vuajtur për demokraci të brendshme. Kjo paraqitje e Bashës për disa koncepte do të fusë brenda në PD një dinamikë tjetër demokratike. Kjo i jep ëndrrën çdo demokrati se mund të rritet përmes votave. Një toger që nuk ëndërron të bëhet gjeneral nuk e dua në betejë. A do të mund t’i shkojë Basha në fund? Në një masë të madhe varet nga ai. Por ne duhet t’i shohim kur t’i fusë në statut, të ikë nga deklaratat publike. Primaret ne parti janë një gjë e madhe”.
5-“Berisha ka deklaruar se nuk ndërhyn, por njëkohësisht mendoj se Basha duke mos qenë pjesë e lidershipit të historisë së PD qysh në fillim, dhe personalitetin e fortë, Basha ka kompleksin e historisë siç e kanë krejt te rinjtë. Por më shumë se kompleks ka qenë ndikim i një marrëdhënie dhe respekti të ekzagjeruar nga ana e Bashës. Unë Bashës i kam sygjeruar që duhet t’i tregojë kufirin Berishës. Unë nuk besoj se njerëzit duhet të largohen vetë nga politika. Kur e kanë kryer ciklin e tyre, duhet t’i tregohet vendi me votë dhe nga lidershipi i ri. Fakt është se Berisha ka bërë opozitë të fortë, ka qenë kompensim i madh për cilesinë e grupit parlamentar. Ka pas një ndikim në disa momente kyçe, le të kujtojmë këtu denoncime të mëdha që ka bërë dhe forca goditëse i ka shërbyer rolit që ka opozita. Nuk jam në gjendje t’i them Bashës nëqoftëse duhet të jetë Berisha në listat e reja. Nëqoftëse nuk do jetë me kë do ta zëvendësojë, nëqoftëse do të jetë si do mbahet nën kontroll. Janë gjëra qe duhet t’i zgjedh kryetar”.
6- “Basha ka shprehur nje koncept për hapje të plotë të PD. Ka shkuar deri në një koncept të tepruar “ kushdo që është kundër qeverise, të vijë te ne”. Shqipërisë i duhet një bashkim i të gjithë spekterit të djathtë. Koncepti i koalicionit duhet të jetë i djathtë. Bashës i duhet që idetë e shfaqura të dëshmojë se i beson dhe ka energji ti zbatojë”.