Biznesi në protestë, tregtarët mbyllin qepenat
Biznesi i vogël ka nisur sot protestën kundër rritjes sa taksave. Në të gjitha tregjet kryesore në kryeqytet dhe në rrethe tregtarët kanë mbyllur qepenat, në shenjë revolte ndaj vendimeve të qeverisë. Protesta do të zhvillohet nga ora 11:00 deri në orën 12:00 dhe është parashikuar të mbahet dhe në tregun Çam, Tregu Ushqimor, Rruga e Kavajës dhe në Rrugën e Durrësit.
Protesta është mbështetur dhe nga opozita. Deputetët e PD dhe LSI kanë qenë sot pranë tregëtarëve duke kundërshtuar përfshirjen e biznesit në skemën e TVSH-së.
Deputetja e PD, Jorida Tabaku e pranishme në protestën e tregtarëve u shpreh se një qeveri që vendos gjoba nuk mund të zhvillojë biznesin.
“Një qeveri që dhunon sipërmarrjen përmes taksave të larta nuk është më një qeveri e shumicës së qytetarëve por e një pakice që përpiqet të imponohet me dhunë. Sot jemi në krahun e atyre që vendosin lirinë e tyre dhe të sipërmarrjes së lirë mbi dhunën arbitrare të një pushteti gati diktatorial. Taksat as nuk kanë qenë dhe as nuk janë gjoba e qeverisë karshi sipërmarrjes sikundër kjo qeveri mendon dhe vepron”,- u shpreh Jorida Tabaku.
Në krah të biznesit kanë dalë dhe deputetët e Lëvizjes Socialiste për Integrim. Deputetët e LSI-së janë të pranishëm në të gjashtë pikat ku po protestohet në kryeqytet. Deputetët që marrin pjesë në protestë janë Endrit Braimllari, Nora Malaj, Silva Caka, Shezai Rrokaj, Kedi Mehmetaj, Floida Kërpaçi.
Vasili: Qeveria asgjëson biznesin e vogël për llogari te oligarkëve
Kreu i deputetëve të LSI-së, Petrit Vasili ka reaguar sot për rritjen e taksave dhe protestën e biznesit të vogël në gjithë vendin.
Në një koment në Facebook, Vasili shprehet se taksat e reja të qeverisë do të falimentojnë biznesin e vogël. Sipas tij, kjo skemë e qeverisë synon që të favorizojë oligarkët.
Deklarata e plotë e Petrit Vasilit: “Qeveria asgjeson biznesin e vogel per llogari te oligarkeve dhe per ti perzene shqiptaret nga atdheu.
Qeverise ja tha shume qarte FMN,qe nuk duhet ta aplikoje TVSH per bisnesin e vogel.
Por qeveria e perbuz edhe FMN pasi eshte koke e kembe ne sherbim te oligarkeve.
Eshte e qarte si dita e diellit se falimentimi dhe mbyllja masive e bisnesit te vogel behet qe te fitojne oligarket dhe supermarketet e tyre.
Qeveria e ve TVSH per bisnesin e vogel edhe qe te justifikoje koncesionin e perpunimit te te dhenave ku do te grabise miliona euro te tjera nga xhepat e njerezve te thjeshte.
Qeveria duke falimentuar mijra bisnese e duke i lene ne mes te kater rrugeve jeteson strategjine e zbrazjes se vendit nga shqiptaret pasi keta mijra njerez pa pune e pa buke u mbetet vetem emigracioni si mundesi per te mbijetuar.
Qeveria antishqiptare kerkon nje Shqiperi pa shqiptare qe te vjedhe e qete dhe askush te mund ta kundershtoje.
Sot mbyllja e qepenave te bisnesit te vogel eshte shuarja e endrres se qeverise per ti larguar shqiptaret,pasi shqiptaret e femijet e tyre do te jetojne ketu, kurseqeveria antipopull do te ike nga syte kembet”.
Endrit Braimllari: Biznesi i dha sot një mesazh Edi Ramës
Sekretari i Përgjithshëm dhe deputeti i LSI-së, Endrit Braimllari deklaroi sot gjatë takimit me tregtarët që morën pjesë në protestë se sot biznesi i dha një mesazh Edi Ramës.
Në prononcimin e dhënë për mediat, Braimllari shtoi se taksat e vendosura nga qeveria “Rama” janë një kolaps për ekonominë e vendit. Ai tha se protestat do të vazhdojnë. “Kjo qeveri nuk ka lënë rrugë tjetër për biznesin, nuk ka lënë rrugë tjetër për qytetarët e këtij vendi, nuk ka lënë rrugë tjetër për të rinj e të reja që po largohen përditë nga vendi dhe largohen për shkak të papërgjeshmërisë e për shkak të kësaj qeverie”,- tha Braimllari.
Deklarata e plotë e deputetit të LSI, Endrit Braimllari: Sot biznesi i vogël i dha një mesazh shumë të fortë kësaj qeverie dhe nëse në ditët në vazhdim kjo qeveri nuk reflekton, nëse nuk i hiqet biznesit të mesëm TVSH-ja do jetë pastaj masive do të kalojmë deri në një mbyllje totale të qepenëve në mënyrë që ky Kryeministër të marri njëherë e përgjithmonë mesazhin e qartë nga shqiptarët. E kemi thënë dhe e kemi bërë publike, kjo qeveri është qeveria e taksave të larta. Më datë 1 prill ka filluar skema e re e taksave. Taksimi i bizneseve, trefishimi i taksës së banesës, krijimi i një kolapsi të tërë për ekonominë. Vjen si rezultat i një papërgjegjshmërie dhe një njeriu jo serioz që drejton vendin. Sot Edi Rama ka marrë një mesazh të fortë nga këto biznese dhe duhet të reflektojë. Të jeni të bindur që nuk ka më reflektime të natyrës, rrit taksa, ushtron presion dhe del pastaj në publik thotë më falni se gabova.Kjo rrugë vazhdon dhe nuk ndalet më.
Pyetje: A besoni se do të ketë përsëri vijim të këtyre protestave sepse përmendët pak më herët që do të ketë bllokim dhe mbyllje të qepenave dhe për më gjatë? A e keni në planin tuaj ju si opozitë?
Endrit Braimllari: Kjo qeveri nuk ka lënë rrugë tjetër për biznesin, nuk ka lënë rrugë tjetër për qytetarët e këtij vendi, nuk ka lënë rrugë tjetër për të rinj e të reja që po largohen përditë nga vendi dhe largohen për shkak të papërgjeshmërisë e për shkak të kësaj qeverie. Të jeni të bindur se protestat do vazhdojnë, do jenë masive deri në largimin e plotë të Edi Ramës nga kjo qeveri sepse ky njeri nuk e meriton më ta drejtojë këtë vend dhe ky njeri nuk meriton më të drejtojë shqiptarët sepse ky nuk bashkëqeveris me qytetarët por bashkëqeveris me një kastë të ngushtë njerëzish që janë aty vetëm për interesin e tij personal. Faleminderit.
VIDEO/PROTESTA E TREGTARËVE
https://www.facebook.com/jorida.tabaku/videos/1707819225972702/
Kreu i PD-së ka përkrahur protestën e opozitës. Basha u shpreh se skema e re e TVSH-së është një falimentim për biznesin.
https://www.facebook.com/lulzimbasha.al/posts/1845753855475787
Ahmetaj, biznesit: Mos dëgjoni Bashën
Ndërkohë, pak para protestës Ministri i Financave dhe Ekonomisë, Arben Ahmetaj deklaroi sot se përfshirja në skemën e deklarimit të TVSH-së për biznesin me xhiro mbi 2 milionë lekë në vit nuk është një taksë e re.
Gjatë një bashkëbisedimi me mediat në kuadër të procesit të informimit të bizneseve të vegjël që përfshihen në skemën e deklarimit të TVSH, Ahmetaj theksoi se deri në fund të dhjetorit të vitit 2018 nuk do të ketë gjoba për ato biznese që kanë plotësuar gabim deklaratën e TVSH-së .
“Nuk ka kosto administrative për biznesin, nuk ka rritje çmimesh për konsumatorët. Deri në dhjetor 2018, nuk do të ketë asnjë gjobë për deklarim të gabuar”, u shpreh ministri.
Ahmetaj tha se janë kryer sondazhe në të gjithë Shqipërinë dhe kosto për biznesin ka rezultuar modeste nga aplikimi i kësaj skeme, ndaj është e pajustifikuar rritja e çmimeve.
Ai bëri të ditur se janë 9900 sipërmarrje të vogla që futen në skemën e deklarimit, ndërsa 60 mijë biznese që realizojnë xhiro nën 2 milionë lekë në vit, nuk e kanë detyrimin të deklarojnë TVSH-në.
Sipas kreut të financave publike, futja e kësaj kategorie në skemën e TVSH-së ka fokus formalizimin te biznesi i madh dhe jo mbledhjen e të ardhurave nga kjo kategori, pasi të ardhurat nga TVSH nga biznesi me xhiro 2-5 milion në vit përbën vetëm 0.08% të totalit të TVSH të mbledhur nga tatimet dhe doganat. Ai tha se 99.2% e totalit të të ardhurave nga TVSH-ja mblidhet nga biznesi i madh.
Ahmetaj i ktheu përgjigje edhe opozitës ,e cila sipas tij, po e përdor politikisht futjen në skemën e deklarimit të TVSH-së të kësaj kategorie, që është ngjarje normale ekonomike.
“Kam një vendim të datës 21.9 2009 i firmosur nga ish kryeministri i kohës, Sali Berisha dhe ish ministri i Financave, Ridvan Bode, përmes së cilit ulet pragu i deklarimit të TVSH-së nga 8-5 milionë lekë. Ata që sot bëjnë sikur qajnë për biznesin e vogël tentojnë të marrin në humbëtirën e tyre politike edhe sipërmarrjen”, theksoi ministri Ahmetaj.
Bizneset mbyllin qepenët
https://www.facebook.com/kohajone/videos/808785882644284/
FOTO/MBYLLJA E BIZNESEVE NË DISA ZONA TË TIRANËS
Ka dhe biznese që nuk ankohen për taksat: Nuk i mbyllim dyqanet
Ashtu si në shumë protesta të tjera, jo të gjithë tregtarët kanë qenë në një mendje. Në Tiranë dhe disa qytete të tjera pati biznese të pakta që nuk pranuan të mbyllnin qepenat.
Përjashtim bënë tregtarët e Lushnjes, të cilët në masë nuk pranuan të bëhen pjesë e protestës për të drejtat e tyre. Në Lushnje bizneset nuk e kanë mbështetur protestën një orëshe për mbylljen e dyqaneve, kundër skemës së TVSH-së. Biznesmenët e Lushnjës kanë vazhduar ritmin e tyre të punës, teksa thonë se nuk dinin gjë për protestën.
Ata janë shprehur jashtë kameras se nuk do të mbyllin dyqanet, qoftë biznesi i vogël dhe ai i madh.