Nga dr. Bledar Kurti: Njerëzit po vdesin, qeveria vazhdon e krihet

Nga Dr. Bledar Kurti –

Çdo ditë po përballemi me lajme të hidhura për vdekjen e personaliteteve të shquara të artit, sportit, politikës, mjekësisë, akademisë etj. Çdo ditë mësojmë që ministra, kryebashkiakë, miq, familjarë e të njohur infektohen me COVID-19, dhe institucione të administratës, shkolla, kopshte e çerdhe po mbyllen. Përpara pandemisë e gjithë shoqëria nderonte me respekt emrin dhe kujtimin e jetës së humbur, qoftë personalitet kombëtar apo familjar i thjeshtë, ndërsa sot, për shkak se çdo orë mësojmë për jetë të humbura, nuk arrijmë dot emocionalisht të shprehim as brenda vetes keqardhjen apo të kryejmë homazhin mendor ndaj jetëve të humbura.

Teksa jetë shqiptarësh, të njohur apo të thjeshtë, po shuhen me ritme të frikshme, e vetmja që krihet e nuk resht me zbukurimin e propagandës së saj është qeveria.

Ashtu si Neroni që këndonte teksa digjej Roma, edhe qeveria vazhdon me propagandën e saj se “situatën e kemi nën kontroll,” ndërkohë që numri i infektimeve është rritur me 500% që nga piku i pandemisë në muajin mars. Dhe numri i vdekjeve është rritur me 60% nga muaji në muaj.

Teksa Shqipëria dita-ditës po humb jetë, PPP-të lulëzojnë më shumë se kurrë dhe oligarkët po zhvasin para pandemie, para jete, para gjaku, para shqiptarësh.

Që nga fillimi i pandemisë Shqipëria renditet e para në kontinent për PPP-të, dhe e fundit për numrin e tamponëve. Kjo tregon qartë prioritetin e qeverisë: oligarkët të parët dhe shqiptarët të fundit.

Njerëzit po shuhen si mizat, në ambulanca, jashtë dyerve të spitaleve, në urgjencat e tejmbushura, në spitalet e shndërruara në vatra infektimi, hidhen nga dritaret e spitalit, e madje as shoqërohen më me respekt e dinjitet në banesën e fundit, pasi frika është më e fortë se dhimbja.

Në këtë situatë të tmerrshme të dalë jashtë kontrolli në përmasa të paprecendetë e të paimagjinueshme, jetët e shqiptarëve, të rinj e të vjetra, fëmijët në çerdhe e shkolla, prindërit që detyrohen të punojnë në fasoneri me mijëra punonjës etj, varen nga një Komitet Teknik anonim, me kryesi politike që merr orientime politike nga facebook-u i kryeministrit dhe është i detyruar të heshtë ndaj apeleve dhe rekomandimeve të ekspertëve.

Teksa në spitale nuk ka as sapunë, e jo më tamponë (vetëm me paratë e një tenderi apo PPP-je do ishin bërë testimet për të gjithë shqiptarët) çmendia më e madhe zhvillohet në Kuvendin e Shqipërisë ku vazhdojnë dhe hartohen e miratohen ligje anti-kushtetuese apo propozohen ndryshime kushtetuese për t’i shërbyer qeverisë për zgjedhjet e 25 prillit. Duke dëshmuar edhe më qartë se prioriteti i qeverisë janë zgjedhjet e ardhshme dhe jo beteja e tanishme me pandeminë dhe mbrojtja e tanishme, e përditshme, e vazhdueshme e jetëve të shqiptarëve.

Thënë thjesht: shëndeti publik është i fundit në interesin dhe prioritetet e qeverisë dhe të Kuvendit, i cili sot, më shumë se kurrë duhet të përbëhej nga personalitete elitare, intelektualë, profesionistë, mjekë, ekonomistë, nga mendjet më të ndritura të vendit, që t’a kapnin prej veshi kryeministrin e tyre e t’a bënin të hapte sytë e të shikonte se në çfarë tragjedie ka përfunduar Shqipëria dhe se si po vdesin shqiptarët. Por me këtë parlament ilegjitim gaztorësh, kamikazësh politik, të pashkollësh dhe analfabetësh, bashkëfajtor i kolapsit në menaxhimin e pandemisë, shqiptarët janë dyfish të pashpresë.

Neni 3 i Deklaratës Universale të Drejtave të Njeriut thotë: Çdo njeri ka të drejtë të jetojë, të jetë i lirë dhe të ketë sigurimin vetjak. Sot shqiptarët janë më të pasigurtë se kurrë, së pari për jetën por edhe për ekonominë, etj. E gjithë bota po përballet me pandeminë por qeveritë e vendeve të zhvilluara po bëjnë gjithçka për popujt e tyre: asnjëra nuk po vjedh popullin e vet në fatkeqësi; nuk po ngopin oligarkët teksa populli nuk ka tamponë; nuk firmos tendera teksa bluzat e bardha nuk kanë maska, doreza dhe disinfektant; nuk bëjnë propagandë gënjeshtrash por konsultohen me ekspertët më të mirë vendas e ndërkombëtarë, përfshirë edhe nobelistë në mjekësi apo ekonomi siç bëri Greqia.

Qeveria e vetme në kontinent që nuk e do popullin e vet, është kjo e jona. Madje jo vetëm nuk e do por edhe e përbuz me arrogancë. Është kjo qeveri që historia nuk ka për t’a harruar kurrë, duke e damkosur si më të keqen dhe më të papërgjegjshmen e cila i la shqiptarët në baltë në ditët e tyre më të vështira.

SHKARKO APP