Kërkesa e 7 deputetëve. Ben Blushi kërkon duel me Edi Ramën
Ben Blushi mezi po pret të ketë në tapet kryeministrin Edi Rama. Dhe e ka gjetur bukur lojën për duel. Hapja e negociatave për Shqipërinë dhe shtyrja në afate ende të panjohura, ka bërë bashkë deputetë nga parti të ndryshme. 7-të deputetë të Kuvendit të Shqipërisë, përmes një letre zyrtare kërkojnë një interpelancë urgjente me kryeministrin Edi Rama, për çështjen e hapjes së negociatave me Bashkimin Europian.
Në një kërkesë dërguar kreut të Kuvendit Ilir Meta, deputetët, Mimoza Hafizi, Dashamir Shehi, Astrit Patozi, Nard Ndoka, Vangjel Dule, Agron Duka dhe Ben Blushi shprehin shqetësimin për shtyrje me afate të panjohuar të çeljes së negociatave për anëtarësim.
“Para pak ditësh, Këshilli i Ministrave të Bashkimit Europian nuk vendosi asnjë datë për hapjen e këtyre negociatave, për shkak të mospërmbushjes së pesë kritereve të përcaktuara në të gjitha dokumentet lidhur me vendin tonë. Ne jemi të shqetësuar se çështja e integrimit po shtyhet në afate të panjohura, duke krijuar mungesë shprese, pasiguri e cënim të imazhit të Shqipërisë. Hapja e negociatave me BE është çështje prioritare e politikës sonë, prandaj ne kërkojmë interpelancë urgjente me kryeministrin e vendit lidhur me veprimtarinë e tij e të qeverisë në këtë proces”, thuhet në kërkesën e shtatë deputetëve.