Blushi dhe Rama-Peleshi-Kokëdhima

Blushi: “ PS-ja është kthyer në një parti të 10 miliardërve”

Takimi i djeshëm i drejtuesve të Partisë Socialiste u quajt mbledhje e grupeve të punës të PS për rajonin Vlorë-Gjirokastër. Ky është emërtimi i zyrtar i aktivitetit. Por nëse analizon mesazhet dhe deklaratat që erdhën nga fjalimet e Kryeministrit Edi Rama dhe deputetit Koço Kokëdhima, takimi kishte vetëm një qëllim; sulmin kundër deputetit Ben Blushi. Si në një akord AntiBlushi në Tiranë doli në një televizion privat edhe zv/kryeministri Niko Peleshi. Edhe ai me marifet tha se çështja e zgjedhjes së kryetarit në PS-së është mbyllur ka filluar kongresi. Do të jetë Edi Rama. Pa votim, pa zgjedhje, thjesht konfirmim.

Pas deklaratave që deputeti Ben Blushi bëri në emisionin “Top Story” të Sokol Ballës ku u shpreh se do kandidonte për drejtimin e PS-së, nëse do të kishte garë reale. Pas kritikave për drejtimin e PS nga Rama, qeverisjen e dobët, marrëdhëniet klienteliste mes kreut të qeverisë dhe një grupi deputetësh,bile deputetëve kriminelë, siç e përsëriti Blushi, kreu i PS-së dhe mbështetësit e tij janë vënë në lëvizje. Blushi nuk u përmend asnjëherë me emër dhe në Vlorë, as nga Edi Rama dhe as nga Koço Kokëdhima, por gjithçka që u dha live në televizione dhe vetë aktivitetit ishte sajuar si një reagim i ashpër kundër kandidimi të tij. Bile pas emisionit të Blushit tek Sokol Balla mësohet se ka qenë vetë zyra e shtypit e Ramës që ka lajmëruar disa pronarë televizonesh që të bëhen gati se “Rama do ti jap dajak Blushit nga Vlora”. Në qëndrimet e Ramës dhe Kokëdhimës kaq aq shumë referenca që lidhen me deklaratat e Blushit, sa duket se dy drejtuesit e PS nuk flisnin për sallën, por i drejtoheshin direkt deputetit Blushi. Vetëm sa nuk thonin “A dëgjon Blushi?!”.

Kritikat e deputetit Blushi që synon drejtimin e Partisë Socialiste, kryeministri Edi Rama i ka cilësuar si qëndrime sehirxhinjsh. Blushi kritikoi qeverisjen duke thënë se vendimet po merren në mënyrë personale e jo kolegjiale. Se në 3 vjet varfëria është shtuar dhe një parti që ka brenda saj banditë dhe të pasur nuk mund të bëjë reforma, aq me tepër të jetë pranë të shtresave sociale të varfëra. Blushi tha se ç’duan miliarderët në PS kur partia jonë është e majtë si program , kurse ata janë ekstreme të djathtë dhe kanë ardhur për të vjedhur shtetin. Ai tha se borxhi publik është rritur, emigracioni është shtuar dhe se nismat e qeverisë kanë qenë selektive, pasi kanë goditur vetëm shtresën e varfër të popullsisë. Për të gjitha këto dhe kritikat e tjera, Rama tha se janë qëndrime sehirxhinjsh dhe ai nuk do të tërhiqej nga ato që i quajti reforma. “Të tjerët e kanë më të lehtë që të bëjnë akuza, të shpifin, të bëjnë kritika, apo të thonë se çfarë nuk shkon nga pozitat e sehirxhiut. Por e dini se përse e kanë më të lehtë? Sepse nuk kanë asgjë në dorë dhe kush nuk ka asgjë në dorë, e ka gjithmonë më të lehtë të thotë se ku po gabojnë ata që kanë marrë në dorë fatet e vendit. Ndërkohë, ne që kemi marrë në dorë fatet e vendit nuk e kemi aspak të lehtë, por jemi të vendosur që të mos tërhiqemi asnjë milimetër nga kjo rrugë reformash,…”,- u shpreh Rama.

Në emision Top Story, Ben Blushi kritikoi Ramën për mënyrën sesi po e drejton Partinë Socialiste. Sipas Blushit PS-ja nuk ka më identitet, nuk është më as e majtë dhe as e djathtë. Është kthyer në një parti të 10 miliarderëve. Por Rama dje tha se këto janë përralla dhe Partia Socialiste është e hapur për të gjithë. “Partia Socialiste e Shqipërisë është një parti e majtë e shekullit të ri, e cila ka fuqinë e një vizioni reformues dhe transformues për vendin, e cila e konsideron çdo shqiptar një aleat të mundshëm të saj, nga veriu në jug, nga më i varfëri tek më i pasuri, nga të papunët e deri tek punëdhënësi. Kjo është Partia Socialiste e Shqipërisë. Të tjerat janë të gjitha përralla të së kaluarës”,- tha Rama.

Në fund Rama ka pasur dhe një mesazh për ata që mendojnë se pas kritikave shpartalluese të Blushit, në PS do të ketë reflektim për mënyrën sesi po qeveriset. Në mënyrë indirekte ai tha se nuk ka frikë se PS humbet disa vota nga ata që e kritikojnë, por se do të vazhdonte me reformat. “Ne nuk mund t’i lejojmë vetes që në emër të të mbajturit mirë me njëri-tjetrin, në emër të frikës se po humbasim ndonjë votë nga ata që zhgënjehen të mbajmë peng reformat….Mjaft ka humbur kohë Shqipëria me llafe, me justifikime dhe marrëzira!”,- tha Rama.

Në të njëjtën linjë, por pa stilin e Ramës, kritik ndaj Blushit ka qenë dhe deputeti Koço Kokëdhima. I etiketuar nga deputetët e tjerë në PS si njeriu që ka përçarë partinë në gjithë Jugun, si deputetit që shkatërroi strukturat socialiste dhe bazën 25 vjeçare të kësaj partie, Kokëdhima ka dhënë një panoramë tjetër. Ben Blushi ka kritikuar se PS-ja po bëhet një parti e mbyllur dhe delegatët e kongresit po emërohen nga njerëz afër kryetarit. Por për Koço Kokëdhimën, PS-ja është më e hapur se kurrë. Kritikës se po sillet në jug njëlloj si Ali Pasha, Kokëdhima ju përgjigj se “Disiplina dhe kultura institucionale nuk e kthejnë partinë në pashallëk”. Realisht Kokëdhima është projektuar në vend të Gramoz Ruçit pas kongresit.

Në thelb takimi i djeshëm ishte nisja e një fushate anti-Blushi në Partinë Socialiste. Gjithçka ishte sajuar brenda orëve të fundit, pas shpalljes së qëndrimit të Blushit për kandidimin. Shumica e të pranishmëve në takimin e PS në Vlorë ishin studentë dhe gjimnazistë që kishin lënë mësimin për të ndjekur fjalimin e Koço Kokëdhimës. Kishte studentë ekselence që dje ju dha dhanë kartat e anëtarësisë së PS-së, duke u thënë se për të ecur përparua duhet të jenë patjetër anëtarë të një partie. Që takimi ishte nevojë emergjente e kryetarit të PS-së dhe i paplanifikuar më parë dukej edhe nga fakti se xhamat e sallës u pastruan nga ndotja pak para se të mbërrinte kryeministri. Edhe punonjësit e sallës thanë për “KJ” se na kanë marrë në mesnatë e na kanë nxjerrë të pastrojmë vendin ku do të bëhej takimi se “ ka një urgjencë nga Tirana”.

Po ky stil takimesh me mitingje në bazë ku festohen sukseset imagjinare të reformave, ndërsa kazani i sherrit zien në Tiranë është pak i vjetruar në Partinë Socialiste. Sado ti fshehësh problemet me salla të shtruara me tapet luksoz dhe me drita shumëgjyrshe në skenë, ato aty mbeten. Përballja me kritikat nuk bëhet duke mbajtur fjalime për suksese imagjinare dhe grupe armiqësore në një sallë me gjimnazistë. Kërcënimet dhe gjuha e përdorur nga kryetarit Rama dhe numrit dy në PS, zotit Kokëdhima, nuk bëjnë asgjë më shumë vetëm sa i japin të drejtë Blushit kur thotë se “PS nuk është më ajo që ishte dikur, e majtë, por ka degjeneruar”. PS mund të jetë partia e suksesshme që mendon Rama dhe Koço, por jo ajo që mendojnë socialistët. Për ta provuar se kush ka të drejtë, socialistë apo Rama dhe Koço ka vetëm një mënyrë. Kongres pa delegatë të blerë dhe garë e ndershme me parimin “një anëtar –një votë”.

Por kjo duket se nuk do të realizohet në kongres. Gjithçka po përgatitet se kryetari është votuar e duhet vetëm të konfirmohet formalisht në kongres dhe të “hamë nga një drekë në Tiranë me 19 mars”.

Në të vertetë Edi Rama po ta bënte kongresin siç ishte mandati në tetor 2013 aq që diskutohej se do të ishte votuar si Enver Hoxha, diku 100 përqind. Porse ka rrjedhur shumë ujë tash dy vite e kusur, pasi ka mbi shpinë qeverisjen dhe akuzat e një qeverisje pa identitet të majtë, porse e një grupi shokësh e miqsh. Ka bërë reforma për të qenë realist Edi Rama. Ka bërë një vendosje të ligjit kudo. Edhe kjo duhet thënë. Porse përherë një forcë politike bën zgjedhje, pasi mundet brenda saj të ketë individë me të zotë e me kolegjialë, ndaj duhet votimi.

Blushi e ka të vështirë fitoren në kongres, por jo të pamundur. Por duhet që vota e fshehtë të vendosi e jo fjala konfirmim e Niko Peleshit apo Taulant Balla që doli mbrëmë me urdhër e tha se nuk ka votim.

E fundit , interesante se si vjen puna në politikë. Ben Blushi e pati marrë asokohe në vitin 1997-1998 Edi Ramën nga Franca dhe ia prezantoi Fatos Nanos duke e bërë ministër kulture. Më pas në vitin 2003 e mbështeti si kandidat për kryetar të PS-së përballë Nanos dhe në vitin 2005 i dha vulën e PS-së, natyrisht me Gramoz Ruçin. Edhe Niko Peleshin e mori nga lagjet e Korçës dhe e ngjiti në shkallët e pushtetit. Tani Ben Blushi ka mbetur pa Ramën e Peleshin, pasi i bashkon të dy pushteti kundër tij.

Mosmirënjohja është gjëja më e keqe e njëriut!

Ka mbërritur edhe Koço Kokëdhima, si simbol i 10 miliarderëve, dhe PS-ja nuk duket se ka vend  për Ben Blushin socialist.

 

Alban Spiteni

SHKARKO APP