Ka një dallim të madh mes pakënaqësisë dhe kurajës politike. Pakënaqësinë mund ta shprehësh me një status, me një fjali të tërthortë apo duke përshëndetur humbjen e një pushtetari në një vend tjetër. Kuraja matet kur ngrihesh përballë drejtuesit të partisë tënde dhe ia thua hapur çfarë mendon. Dje reaguan me pickime Elisa Spiropali dhe Ditmir Bushati. Edhe Erion Veliaj.
Në sallat e Asamblesë dhe të Kongresit të Partisë Socialiste, përballë Edi Ramës dhe aparatit të pushtetit, ishte vetëm Ben Blushi që ka folur drejtpërdrejt. E kritikoi mënyrën e drejtimit, ngriti çështjen e demokracisë së brendshme dhe kërkoi një përballje politike. Socialistët e dinin kë kundërshtonte, përse e kundërshtonte dhe çfarë kërkonte.
Sot, reagimet e Ditmir Bushatit dhe Elisa Spiropalit mbeten shumë larg asaj përballjeje.
Duke u nisur nga reagimet e përshkruara pas rezultatit të zgjedhjeve në Serbi, mesazhet e tyre mund të lexohen si një paralajmërim për Ramën: asnjë pushtet nuk është i përjetshëm. Por ky mbetet një interpretim i nëntekstit të tyre. Një qëndrim politik serioz nuk duhet të ketë nevojë për përkthyes.
Nëse mesazhin e keni për Edi Ramën, përmendjani emrin!
Nëse mendoni se PS-ja ka humbur debatin, kërkojeni debatin në organet e saj. Nëse besoni se drejtimi është i gabuar, paraqitni alternativën. Nëse kërkoni ndryshim, merrni përsipër edhe përgjegjësinë për ta udhëhequr.

Spiropali i është drejtuar me një letër strukturave të partisë dhe nuk ka marrë përgjigje për shqetësimet e ngritura. Ky është një hap që duhet njohur. Por heshtja ndaj letrës kërkon këmbëngulje dhe një qëndrim të mëtejshëm publik. Një letër e mbetur pa përgjigje nuk mund të jetë fundi i një beteje për demokracinë e brendshme.
Bushati dhe Spiropali kanë mbajtur poste të larta. Kanë pasur pushtet, akses dhe mundësi për të ndikuar. Pikërisht për këtë arsye, publiku ka të drejtë të kërkojë prej tyre më shumë sesa disa pickime të kujdesshme në rrjetet sociale.
Blushi e ngriti stekën shumë më lart. Ai kishte ide, argumente dhe vizion. Kishte aftësinë ta kthente kundërshtimin në tezë politike dhe guximin ta mbronte përballë shumicës së sallës. Përballja e tij kishte autor, adresë dhe përmbajtje.
Mund të debatohet gjatë për rrugën që zgjodhi më pas dhe për rezultatet elektorale. Por rezultati i mëvonshëm nuk e fshin kurajën e momentit kur u ngrit kundër drejtimit të Ramës. Humbja e një beteje nuk ia heq vlerën njeriut që pati guximin ta zhvillonte.
Ky është thelbi që shpesh anashkalohet: Blushi rrezikoi marrëdhënien me pushtetin duke e kundërshtuar hapur. Kritika e tij kishte një kosto që ai e mori përsipër.
Bushati dhe Spiropali duhet të tregojnë nëse janë të gatshëm të bëjnë të njëjtën gjë. Deri tani, reagimet e tyre dëshmojnë pakënaqësi, por ende nuk përbëjnë një sfidë të qartë për drejtimin e Partisë Socialiste.
Prandaj krahasimi është në favor të Blushit. Ai doli në mes të sallës dhe e sfidoi Ramën në sy. Bushati dhe Spiropali ende e lënë publikun të kërkojë Ramën mes rreshtave të Facebook-ut. Në kurajën e përballjes, dallimi është si nata me ditën.



