Ben Blushi: Kur shkrimtarët merren me qentë, qentë merren me librat!
Deputeti Ben Blushi, i cili është larguar zyrtarisht nga PS-ja, ka reaguar pas deklaratës së bërë mbrëmë nga kryeministri Edi Rama në adresë të tij.
“Paska folur Edi Rama per romanet e mi! Kur shkrimtaret merren me qente, qente merren me Librat!”- shkruan Blushi në një postim në profilin e tij në Facebook.
Përgjigja e Blushit, vjen pas ironisë që bëri Rama mbrëmë gjatë emisionit “Studio e Hapur” e gazetares Eni Vasili në “Neës 24”, teksa tha: “Meqë ka ikur nga partia mund të thyej heshtjen, por për të thënë shumë thjesht, Ben Blushi ka patur dy kryetarë në parti, Fatos Nanon dhe mua. Me Fatos Nanon u bë nja tre herë ministër dhe s’bëri asnjë punë. Me mua s’bëri asnjë punë, por bëri nja tre libra, romane. Dhe e vetmja gjë që unë do t’i sugjeroja nëse do kisha mundësi do ishte që tani që është akoma me këtë mllefin atomik ndaj PS-së, të bëjë edhe një libër tjetër, një roman sepse kur të bëjë partinë e tij s’do bëjë më as punë dhe as romane. Kështu mendoj unë për Ben Blushin”.
Po dje Rama komentoi dhe largimin e deputetes Mimoza Hafizi. I pyetur nëse i ka ofruar Mimoza Hafizit një post ministror, atëherë kur iu kërcënua mazhoranca nga një mocion i mundshëm, Rama tha: “Për Ben Blushin edhe mund të shpenzonim pak kohë se i ka bërë nja tri romane. Por Mimozën le ta lëmë të hajë përsheshin në partinë e Blushit dhe të mos merremi me këtë temë, ju lutem”.
Ndërkohë, deputetja shkodrane, Hafizi, reagoi në FB pas deklaratave të Ramës. “Të gjithë ata që janë lënduar mbrëmë nga gjuha vulgare e kryeministrit ndaj meje, dua t’i siguroj se përgjigjen do ia kthej nesër, nga foltorja e Parlamentit. Por jam e bindur se sjellja e këtij njeriu që nuk e di apo harron se është kryeministër, nuk më cënon vetëm mua, por edhe ty, ju, edhe të gjithë ata që ende e dinë dhe e marrin për kryeministër”,- shkruan ajo.