Bora zbardh Shqipërinë, bllokohen disa fshatra
Ashtu sikundër pritej reshjet e dëborës kanë prekur edhe kryeqytetin gjatë natës, ndonëse me intensitet të dobët. Flokët e parë të dëborës në Tiranë kanë nisur rreth orës 02:00 të mëngjesit të sotëm dhe reshjet kanë zgjatur disa minuta duke krijuar edhe shtresën e parë të bardhë e cila nuk ka qëndruar gjatë.
Gjithashtu, reshje ka pasur edhe në Elbasan. Aktualisht për shkak të dëborës janë krijuar vështirësi në qarkullim edhe në rrugën kombëtare Elbasan-Librazhd-Prrenjas-Qafë-Thanë dhe në të gjitha akset rurale të Qarkut të Elbasanit.
Për herë të parë këtë vit, ky mëngjes ka gjetur të zbardhur edhe Shkodrën. Gjatë natës ka pasur reshje bore në qytet ku mësohet se trashësia ka arritur në 3-4 cm. Është dashur ndërhyrja e 4 borëpastruesve në qytet për pastrimin e rrugëve dhe normalizimin e lëvizjes së automjeteve.
Edhe Gjirokastra është mbuluar nga dëbora. Trashësia e borës në qytet arrin në 10 cm, ndërsa në zonat rurale janë bllokuar dhjetëra fshatra. Probleme ka në fshatrat Golem dhe Zagori ku trashësia e borës arrin në 30 cm si dhe Frashër të Përmetit, Lopës dhe Kurvelesh të Tepelenës.
Problematike situata paraqitet në Dibër. Gjysma e fshatrave të këtij Qarku janë të bllokuar. Fshatrat si Lura, Kalaja e Dodes, Arras Selishtë, Ostren, Trebisht dhe në Bulqizë. Ndërkohë prej tetë ditësh është e bllokuar Terrnova e madhe dhe e vogël me 115 shtëpi.
Sa i takon Qarkut të Korçës ku reshjet e borës vijojnë të bien prej disa ditësh probleme raportohen në zonat e thella si Mokër, Panarit, Gorë dhe Lekas.
Reshjet e dëborës kanë vazhduar gjatë gjithë natës edhe në rrethin e Krujës. Për pasojë e gjithë Malësia e Krujës është zbardhur nga dëbora. Në fshatrat e malësisë niveli i dëborës shkon në rreth 15 centimetra ndersa tek Parku Kombetar i Qafështamës niveli shkon në rreth 30 centimetra. Janë 6 fshatra të Malesisë së Krujes të bllokuar nga prezenca e dëborës në rrugë. Konkretisht fshatrat Cudhi Zallë, Cudhi kamp, Bruz mal, Bruz zalle, Rranze dhe Parku Kombëtar i Qafështamës.
Njoftimi i Autoritetit Rrugor Shqiptar për situatën e rrugëve në gjithë vendin
Njoftimi i plotë i ARRSH: Gjendja aktuale e akseve kryesore të vendit
Gjendja në gjithë segmentet rrugore nga Qafë Mali deri ne Qafë Muzinë është e rënduar për shkak te temperaturave te ulëta dhe reshjeve intensive te bores.
Gjendja e rrjetit rrugor dhe kushtet e qarkullimit të automjeteve paraqiten si më poshtë:
Në Rajoni Verior Shkodër: Gjate natës e deri më tani ka pasur reshje dëbore me intensitet.
Kontraktoret kane bere pastrimin dhe trajtimin me kripe te gjithe segmenteve rrugore. Qarkullimi kryhet me zinxhir ne akset Kukes – Bushtrice dhe Kukes – Ura e Zapodit, Qafe Lac – Koman, Koplik – Boge, Dedaj – Razem.
Ne segmentin Skuraj – Burrel – Klos – Bulqize – Peshkopi aktualisht levizja e mjeteve kryhet pa zinxhire, por rekomandojme perdorimin e zinxhireve dhe gomave te bores pasi rreshjet po intensifikohen.
Ne rruge Ura e Cerenecit – Stebleve, po punohet me borepastruese dhe fadroma per pastrimin e rruges dhe qarkullimi kryhet me zinxhire vetem ne pjesen fundore.
Ne segmentet e meposhme qarkullimi kryehet me zinxhire:
Qafe Mali – Fierze (ka rreshje me intensitet, rreth 20 cm bore), Qafe Qele – Puke – Fushe Arrez – Kukes, Shkoder – Hani I Hotit dhe Ura e topojanit – Dogana Bllate. Firmat e mirembajtjes po punojne intesivisht me borepastruese e trajtim me kripe per pastrimin total ne ketyre segmenteve.
Ne Rajonin Qendror Tirane: Gjate nates dhe tani , ka rreshje shiu dhe bore. Ne akset e Dajtit po punohet nga kontraktori per pastrim dhe trajtim me kripe. Segmenti Qafë Priske – Qafë Mollë – Shengjergj, Trau Dajt – Teleferik qarkullohet me zinxhire. Rreshje te dobeta ka patur ne Gjinar dhe Stebleve. Po punohet intensivisht per pastrimin e akseve. Deri tani nuk ka probleme. Ne Librazhd – Qafe Thane, ka patur rreshje me intensitet. Qarkullimi rekomandohet me zinxhire.
Ne Rajonin Jugor Gjirokaster: Ne Qarqet Korce dhe Gjirokaster ka reshje me intensitet te larte. Ne akset e Korces trashesia e bores shkon rreth 20 cm. Ne akset e Dardhes, Voskopojes, Korce – Qafe Qarri – Erseke, Liqenas – Dogana Gorice, qarkullohen me zinxhire. Aksi Kryesor Qafe Thane – Pogradec – Korce – Kapshtice, qarkullohet me zinxhire.
Edhe segmentet Tepele – Dorez – Qafe Dushk dhe Sevaster – Kalivac, Permet – Carshove, Ura e Leklit – Kelcyre , Jorgucat – Muzine – Syri i Kalter, Gjirokaster-Tepelene dhe Gjirokaster Kakavije, qarkullohet vetem me zinxhire. Rruga Dukat – Llogara – Sarande eshte e hapur dhe qarkullohet pa zinxhire.
Sipas parashikimit meteorologjik moti do te perkeqesohet, do ju njoftojme here pas here per ndryshimin e gjendjeve te akseve kryesore. Rekomandohen përdoruesit e rrugës të tregojnë kujdes dhe të respektojnë sinjalistikën rrugore. Të vendosin zinxhir në akset që përmendëm më sipër, të respektojnë udhëzimet e Policisë së Qarkullimit Rrugor, të lëvizin me shpejtësi të reduktuar dhe të përdorin gomat e dimrit.
Lexoni edhe..
- Moti i keq, MM: Emergjencat në gatishmëri
- Borë në Rrugën e Kombit, situata po mbahet nën kontroll (FOTO)
- Në Gjirokastër nuk mbahet mend kaq shumë borë sa sot (FOTO)
- Balla mbledh drejtorët në Qafë Thanë për shtabin e Emergjencës
- Probleme në aksin Qafë Buall-Peshkopi, asnjë borëpastruese në rrugë
- Deputeti: Qarku i Gjirokastrës drejt paralizimit
- VIDEO/ Ngricat, furgoni fluturon nga rruga në arë
FOTO/Situata në Gjirokastër