Briken Calja mbulon me tre medalje ari, në Rumani, emrin e Shqipërisë

Briken Çalja u shpall kampioni më i ri i Europës në peshëngritje, pasi shkëlqeu në turneun që po zhvillohet këtë fund muaji në Bukuresht. Tre medalje të arta erdhën vetëm nga sportisti ynë, kampion i trefishtë kontinental dhe rezultat historik për vendin tonë.

Shtangisti nga Shtërmeni e nisi në mënyrë të shkëlqyer garën e tij, pasi fillimisht pati sukses në 141 kilogramë, pesha më e madhe të cilën nuk e tentoi asnjë në provën e parë. Calja e përmirësoi bilancin edhe pse ishte i pari në renditje, duke ngritur 143 kilogramë në tentativën e dytë në pedanë. Por ajo që bëri sallën të shpërthejë në ovacione ishte ngritja e 146 kilogramëve në provën e tretë.

Briken Calja e nisi i avantazhuar edhe garën në shtytje me 171 kilogramë mbi supe. Ai tentoi edhe më shumë, por dështoi fillimisht në provën me 175, që gjithsesi nuk ia cenuan titullin pasi realizoi objektivin pak minuta më vonë, duke festuar përkundër rregullave me flamurin kuqezi në pedanë. 146 kg në shkëputje 175 kg në shtytje, ndërsa në total 321 kg.

Arbër Cercizi bëri një garë pozitive, por mbeti jashtë podiumit. Ai ishte i qëndrueshëm në provën e parë në shkëputje me 131 kilogramë. Por zhgënjeu ata pak shqiptarë të pranishëm në pallatin e sportit të Bukureshtit pasi shtanga nuk iu bind në provën e dytë, dhe as në të tretën.

Entuziazmi i fillimit u venit shpejt dhe Cercizi mbeti larg medaljeve. Erkand Qerimaj nuk arriti të garonte në Europian pasi rezultoi me infeksion në tendinat e të dy gjunjëve. Të enjten do të marrë pjesë në garë Daniel Godelli në peshën 77kg. Konkurimi i kuqezinjve në Europian do të mbyllet më datën 30 mars me Krenar Shoraj, në peshën 85 kg.

Këtë sportist që sjellë tre medalje ari për Shqipërinë duhet ta presë qeveria dhe ta shpërblejë.

SHKARKO APP