Nishani: Zullumqarët duan drejtësi si në vitin 1945

Ish-presidenti, Bujar Nishani e cilëson shqetësuese atë që po ndodh me sistemin e drejtësisë dhe bllokimin e gjykatave kryesore ne vend.

Në një reagim në Facebook, ish-presidenti shprehet se asgjësimi i Gjykatës Kushtetuese është një zhvillim negativ për shtetin. Ai thotë se çdo ditë e më tepër po bëhet e qartë se synimi i reformës nuk ka qenë pastrimi nga të korruptuarit, por kontrolli politik i gjithë sistemit të drejtësisë.

Gënjeshtra i ka këmbët e shkurtradhe hundën e gjatë. Kjo është e vjetër sa Bota ! Gjykata Kushtetuese është asgjësuar; JO se kanë ikur të korruptuarit, por se nuk PO vijnë të rinjtë ! Synimi nuk ishte pastrimi nga korrupsioni, por kontrolli i drejtësisë nga politikanët e korruptuar dhe të lidhur me krimin e organizuar“,- shkruan Bujar Nishani.

Ai shton se qytetarët janë të vetëdijshëm që kapja e sistemit po synohet nga Edi Rama dhe njerëzit e tij. Ish-Presidentit bën një paralelizëm të asaj që po ndodh me situatën e vendosjes së diktaturës në vitin 1945, kur pushti komunist eliminoi gjykatat dhe ua dha pushtetin “komisarëve politikë” që bënin gjyqet politike  sipas direktivave partisë.

Gënjeshtarë, shqiptarët nuk janë dele!  Zullumqarët nuk duan Drejtësi të vërtetë. Ata e duan si më 1945!”- shkruan ish-Presidenti Bujar Nishani në Facebook.

Nishani ka qenë kritik ndaj mënyrës sesi u operua me miratimin e reformës nga qeveria edhe gjatë kohës që ai ishte në detyrën e kreut të shtetit. Në jo pak raste, Nishani kritikoi përjashtimin e institucioneve dhe të vet Presidentit nga tavolinat e diskutimeve për hartimin e drafteve të reformës. Në atë kohë PS, pretendonte se ligjet po bëheshin nga “ekspertë të pavaur”. Emrat e disa “ekspertëve” të pavarur sot po rezultojnë të vetmit që po marrin poste dhe çuditërisht po kalojnë Vettinun pa asnjë problem edhe pse kanë jo pak pika të errëta të pasuria dhe karriera e tyre.

Për tendenca autoritariste të qeverisë dhe për rrezik të cenimit të shtyllave kryesore të demokracisë foli dje dhe ish-presidenti, Bamir Topi. Topi deklaroi se pa Gjykatë Kushtetuese vendi ka mbetur vetëm në dorë të vullnetit të një njeriu, Kryeministrit Edi Rama. Ai tha se në një shtet normal, vendi nuk qeveriset me vullnet, por me Kushtetutë dhe sot qeveria mund të marrë çdo vendim antikushtetues, pa e ndaluar asnjë institucion.

SHKARKO APP