Burgu apo një “Avni Rustem” duhet për tradhtarët e Kombit që shesin edhe detin?!

Deklaratat e Greqisë për shtrirjen e kufirit të saj detar me 12 milje drejt brigjeve shqiptare kanë sjellë reagime të ashpra të opozitës dhe krejt opinionit publik shqiptar.

Skandaloz ishte fakti që kryeministri shqiptar tha se akti i palës greke njihet si një e drejtë në ligjet ndërkombëtare të detit. Por këtu është dhe mashtrimi i madh publik që po bëhet më marrëveshjen. Mes dy vendeve nuk janë përcaktuar saktë kufijtë ujorë dhe shtirja me 12 milje e Greqisë pa marrëveshje, mbetet hyrje në territorin shqiptar, që sipas ligjeve ndërkombëtare i takon Shqipërinë. Këto 12 milje përfshijnë ujërat territoriale të Shqipërisë dhe Zonat Ekskluzive Ekonomike për të cilat interesat strategjike janë më të mëdha. Ato janë ujërat tona dhe mund të përdoren nga Shqipëria si zona gazmbajtëse apo naftëmbajtëse nënujore, ku fitimi kombëtar do jetë miliarda e miliarda dollarë. Nëse nuk kemi sot mjete moderne për ti kthyer në miliarda ato pasuri nënujore, ato mbahen ose jepen me koncension, por ama territor shqiptar e jo të heqësh dorë sikur nuk kemi interes apo ka të drejtë “komshiu” të hyjë në oborrin tonë ujor!

Kjo është pyetja që askush nga qeveria deri më sot nuk i ka dhënë përgjigje dhe prej ditësh dëgjojmë refrenin bajat se “Greqia ka të drejtën e saj për 12 milje”.

Çështja është çfarë po ndodh me të drejtën e Shqipërisë?

Si është hartuar marrëveshja dhe çfarë garancish kemi këtë herë në këtë përballje me Greqinë që të mos humbim atë që na takon.

Marrëveshja e Detit është çështja më serioze që brezave të pas viteve ’90 u ka rënë për pjesë ta zgjidhin. Është çështje kombëtare, ekonomike, territoriale dhe çështje dinjiteti për shtetin e klasën politike aktuale. Mënyra sesi qeveria jonë ka zgjedhur ta trajtojë këtë problem është jo transparente, aspak serioze, e dyshimtë, bile mund të jetë edhe tradhti e madhe, që sipas avokat Ngjelës zgjidhet me një “Avni Rustem” të dytë!

Imagjinoni që kur del kaq hapur kundër kryeministrit edhe Spartak Ngjela, që njihet si mik i Ramës dhe mbrojtës i tij, kuptohet se sa tradhti e madhe po ndodh!

Marrëveshja e parë e Berishës në vitin 2009 u mbajt sekret dhe u zbulua si “surprizë” gjatë vizitës së delegacionit grek. Njëlloj si Berisha dhe Edi Rama po e mban sekret paktin, por me ndryshimin që po tallet dhe po trajton shtetin si plaçkë personale dhe qytetarët si tufë që nuk kupton. Ndërkohë që e ka detyrim ligjor të bëjë transparencë. Asokohe Berisha pranoi vendimin e gjykatës kushtetuese, bile në mos themi se vetë luajti me dy porta; me grekët bënte sikur do ta firmoste dhe nga ana tjetër urdhëroi kushtetuesen ta rrëzojnë marrëveshjen.

Rëndësi ka që nuk e firmosi dhe nuk insistoi!

Partia Demokratike dje, si forca kryesore e opozitë, në një qëndrim zyrtar për çështjen e detit kërkoi as më shumë dhe as më pak sesa nxjerrjen e dokumenteve të negociatave mes dy qeverive dhe bërjen e transparencës. Në vend të një përgjigje serioze, kryeministri zgjodhi të bëjë batuta dhe ta kthejë çështjen më të rëndësishme kombëtare në një gallatë për rrjetet sociale. “Hapu det se vajmedet ka dalë të të mbrojë Lulzimi me PD! Të qash për ata që vazhdojnë e hanë për djathë sapunin e PD apo të qeshësh me këtë Artist që s’e ka shokun për të bërë sikur? Je i madh Lul, sinqerisht, shyqyr s’u more me shitje djathi se do kishim mbetur pa copën e sapunit!”-shkroi Edi Rama.

Replikat me kreun e PD-së sollën dhe reagimin e Lulzim Bashës duke e kthyer çështjen e marrëveshjes së detit, në një sherr me fjalor burg dhe sapun! “Lëri dërdëllitjet prej rrugaçi Edi Rama. Bëj transparencë çfarë po ndodh me negociatat për detin. Historitë me sapun ruaji se do të duhen më vonë… Po ta përsëris Edi Rama, bëj transparencë e mos u fshih pas gërrvërreve bajate. As servilët e fundit që të kanë mbetur nuk qeshin me to. Nuk je thjesht i lagur, je i mbytur në detin e marrëveshjeve të fshehta në kurriz të shqiptarëve”,– deklaroi kreu i Partisë Demokratike.

Opozita ka vetëm fjalën dhe kërkesën e llogarisë, kurse vendimet, negociatat dhe firmën për detin e hedh qeveria dhe Edi Rama si Ministër i Jashtëm. Sado rezerva të ketë qeveria për marrëveshjen e parë dhe qëndrimet e PD dikur, ai kapitull u mbyll nga Gjykata Kushtetuese dhe jo nga politika. Sot, vendi nuk ka Gjykatë Kushtetuese dhe as parlament funksional. Qytetarët dhe opozita kanë dyshime të logjikshme se marrëveshja e re është më e keqe se ajo e para. Problemi është dhe më alarmant nga pikëpamja ligjore. Parlamenti një partiak mund të votojë një marrëveshje që Greqia të vijë deri në Vlorë dhe fatkeqësisht ky akt do quhet i ligjshëm. Mungesa e Gjykatës Kushtetuese e bënë nul reagimin institucional ndaj një marrëveshje të padrejtë. Madje duket se kjo gjykatë po mbahet peng pikërisht për një marrëveshje si kjo me Greqinë. Ligjërisht Edi Rama mund të bëjë gjëmën më të madhe duke vënë në jetë një marrëveshje që e sjellë Greqinë deri te vilat e tij qeveritare në Dhërmi dhe askush nuk mund ta ndal. Mungesa e institucioneve është arsyeja se përse, opozita, media dhe kushdo tjetër ka ngritur alarmin për atë që po ndodhë.

Minimumi që mund të bëjë Edi Rama është transparenca dhe nxjerrja e gjithë dokumenteve të negociatave. Lojërat me sulme ndaj Presidentit, opozitës dhe qytetarëve që e klikojnë vetëm sa rrisin dyshimet se marrëveshja anti-kombëtare është gati ose mund të jetë firmosur. Nëse qeveria vijon të tallet me një çështje kaq serioze dhe të ketë pranuar një marrëveshje antikombëtare atëhere qytetarët kanë gjithë të drejtën morale dhe ligjore ta hedhin në det ketë qeveri si tradhtare të interesave kombëtare.

Kjo është çështje madhore për Kombin, ndaj nëse do firmoset nga qeveria dhe votohet nga parlamenti monist, atëhere qeveria duhet djegur pa asnjë mëshirë mu në Bulevard.

Presidenti Meta ka paralajmëruar se njeh vetëm vendimin e gjykatës kushtetuese dhe interesat kombëtare. Në të kundërt “2 marsi” tjetër do jetë tmerr për qeverinë dhe Edi Ramën.

“Avni Rustemi” që kërkoi dje Spartak Ngjela rri gati, sepse kurdoherë kombi e njerr një të tillë!

/Mili Xhani/

 

 

 

SHKARKO APP